1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak shanse për ministër për Merzin

27 Dhjetor 2018

Në partitë unioniste shumë anëtarë i kanë lidhur shpresat ende me Friedrich Merz-in. Por kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer nuk i jep shpresa për ndonjë post ministri ish-konkurrentit të saj.

https://p.dw.com/p/3Af4x
Deutschland CDU-Parteitag in Hamburg Friedrich Merz
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Schreiber

Në mëngjesin e fundit të punës të kabinetit qeveritar  ajo i pati numëruar të gjithë: "Kabineti ishte i pranishëm me numër të plotë", i tha Kramp-Karrenbauer gazetës së përjavshme "Die Zeit". "Pra këtu nuk ka nevojë që kancelarja të ndërmarrë veprime".

Kramp-Karrenbaueri dhe Merzi zhvilluan pak kohë më parë një bisedë kokë më kokë. Më pas, Merzi deklaroi publikisht se ai ndihet i aftë për një post si ministër në kabinetin e kancelares Angela Merkel. Kramp-Karrenbauer i tha tani gazetës "Die Zeit" se në bisedë nuk qe bërë fjalë që Merzi të marrë një post ministror. Këtë nuk do ta vlerësonte as partia, tha kryetarja e CDU-së. Edhe zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert pati reaguar ndaj spekulimeve me refuzim: "Kancelarja federale nuk ka në plan një riformim të kabinetit".

Bakteri përçarës Merz?

Megjithatë, pjesë të partive unioniste nuk e kanë hequr nga lista Merzin për një kandidaturë për kancelar. Kështu, Komisari i BE, Günther Oettinger vazhdon të shohë tek Merzi një kandidat të mundshëm. "Gati gjysma e delegatëve të partisë e donin Friedrich Merzin si kryetar të CDU-së - dhe një kryetar i CDU-së është gjithmonë një kandidat i mundshëm për kancelar", u tha Oettinger gazetave të Grupit Mediatik Funke. Por vendimi për kandidaturën e ardhshme të kancelarit në "radhë të parë" është te kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, pranoi Oettinger. Megjithatë në këtë proces "nuk ka gjëra automatike".

Oettingeri theksoi se CDU-ja ka nevojë për "kompetencë dhe për autoritetin e tri kandidatëve për kryesinë e partisë". Për të kryesuar CDU-në, krahas Merzit dhe Kramp-Karrenbauerit kandidoi edhe ministri i Shëndetësisë Jens Spahn.

Merz-i duhet të mbetet një zë aktiv në CDU, theksoi Oettinger më tej. Që qeveria nuk mund "të riformatohet menjëherë", kjo për të megjithatë është "krejt e qartë." Por sipas tij do të ketë ndryshime në qeverinë federale, më e vonta në vitin 2021 me zgjedhjet e reja të rregullta parlamentare, por ndoshta edhe më parë. Oettingeri i këshillon Merzit që "fillimisht të japë kontributin e tij në një projekt partiak - në një komision programi ose në në një këshill të lartë konsultativ."