1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak poezi, shumë burokraci

Peter Stuetzle:24 Mars 2007

Dy faqe shkrim janë në qendër të samitit të posaçëm të kësaj fundjave në kryeqytetin gjerman. Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare do të marrin pjesë të djelën në miratimin e të së ashtuquajturës "Deklaratë Berlineze".

https://p.dw.com/p/AqX8
Fotografi: PA/dpa

Në fillim idea ishte origjinale. Kur në Zyrën Kancelore, në vjeshtën e vitit të kaluar, po mendohej, se si mund të realizohej më së miri kërkesa e krerëve të shteteve dhe qeverive, për të hartuar një deklaratë të përbashkët për 50 vjetorin e Bashkimit Evropian, befas aty lindi propozimi për të angazhuar një mendimtar të madh evropian me këtë detyrë. Tekefundit edhe preambulën e Çartës së Kombeve të Bashkuara, që të nesërmen u miratua menjëherë, e kishte shkruar një njeri i vetëm.

Por deklarata e Bashkimit të sotëm Evropian ishte më e ndërlikuar se ajo e bashkësisë botërore asokohe. Asnjë nga kokat evropiane nuk u tregua i gatshëm të shkruante një tekst, i cili, pasi të kishte kaluar nëpër 27 kabinete do të ndryshohej aq shumë, saqë origjinali mos të njihej më. Kështu që, u zgjodh rruga burokratike.

Në fillim të presidencës gjermane, në janarin e këtij viti, qeveria federale dërgoi një skicë të deklaratës në të gjitha kryeqytetet: Ato do të jepnin mendimin e tyre, se si duhej ndërtuar kjo deklaratë, cilat tema duheshin cekur dhe në cilën radhitje.

Mbasi të gjithë dhanë propozimet dhe korrigjimet e tyre, teksti u ndreq dhe iu dërgua sërish anëtarëve. Një numër i madh bisedash në nivel nëpunësish u zhvilluan. Në samitin e BE-së më 8 mars krerët e shteteve diskutuan me orë të tëra për "Deklaratën e Berlinit", pastaj vazhduan skicat, komentet dhe korrigjimet.

Idea fillestare ishte që ky tekst të ishte i kuptueshëm për të gjithë njerëzit. Por kur erdhi puna në sqarimin e disa parimeve, siç ishte ai i "subsidiarizmit", doli që çdo qeveri nënkuptonte me të diçka tjetër. Pra, ka këndveshtrime të ndryshme për atë se çfarë duhet të jetë BE-ja. Kështu për shembull, Britania e Madhe, nuk e sheh politikën sociale si detyrë evropiane, siç e shohim shumë vende të tjera. Në deklaratë, si përfundim, është formuluar fraza: "Balancim mes sukesit ekonomik dhe përgjegjësisë sociale".

Me anë të deklaratës së Berlinit, qeveria gjermane donte, para së gjithash, t'i detyronte shtetet evropiane që të fillonin edhe një herë përçapjet e tyre për miratimin e kushtetutës, mbas dështimit të të parave me referendumet e Francës dhe Holandës. Mbas bisedave tepër të gjata me vendet, që nuk janë shumë të kënaqura me këtë projekt, qeveria gjermane e hoqi nga përdorimi fjalën "kushtetutë". Në vend të saj është formuluar, se tani jemi "të bashkuar rreth qëllimit, që deri në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, në vitin 2009, ta rivendosim (BE-në) mbi një bazë të përbashkët". Pikërisht qeveria çeke ishte ajo që nuk ishte dakord me këtë datë, por Merkel është treguar optimiste se edhe Çekia do ta miratojë dokumentin.

Në fjalinë e parë flitet për lumturinë e të qenit i bashkuar në Evropë. Kjo fjali fillon me fjalët: "Ne qytetaret dhe qytetarët e Bashkimit Evropian". Në fakt, këta janë të fundit, që do ta marrin vesh se ç’përmban deklarata që do të nënshkruhet të djelën në Berlin, nga Kryetarja e Radhës e BE-së, Angela Merkel, Kryetari i Komisionit, Jose Manuel Barroso, dhe ai i Parlamentit Evropian, Hans Gert Poettering. Sepse deri në minutën e fundit ekspertët ende ishin duke gdhendur përkthimet e variantit gjerman në 22 gjuhët e tjera të BE-së..