Vuajtjet e rënda të kosovarëve
5 Mars 2015Ajo është më pak se 2-vjeç, me kollë dhe hundët që i rrjedhin. Nëna shtatëzënë, Zoja Alijaj e shtrëngon në gji dhe përpiqet ta qetësojë. I ati, Valdet Brahimi mban fytyrën me dorë dhe ofshan thellë. "Sikur ta dija se çfarë tmerresh na presin gjatë rrugës prej Kosovës deri në Gjermani, nuk do të isha nisur kurrë", thotë ai.
Rrëfimi rrënqethës i 25- vjeçarit të lindur në Prishtinë, fillon me premtimet dhe mashtrimet në Kosovë. "Na kanë rrejtë. Shumë njerëz na kanë thënë se në Gjermani menjëherë të japin punë, banesë, letra për qëndrim, ndihma... kjo nuk është fare e vërtetë."
Po kush janë ata? Në këtë pyetje Valdeti nuk kan ndonjë përgjigje të saktë. "Të gjithë flisnin, të gjithë!" Valdeti është vetëm një nga dhjetëra mijëra kosovarët, të cilët në muajt e fundit kanë rënë pre e thashethëmeve dhe spekulimeve se kosovarët në Gjermani, Austri, vendet skandinave dhe në përgjithësi në Perëndim i pret "qumshti dhe mjalti në tavolinë".
Nisja dhe kalimi i kufirit
Rrugën në kërkim të një jete me të mirë, familja Brahimi e ka nisur me 29 janar, ashtu si edhe dhjetëra mijëra kosovarë të tjerë. Fillimisht nisja nga Suboticë, me shpresë se do të kalonin deri në Gjermani. Deri në Suboticë ata shkuan me autobusë dhe atje janë vendosur në hotelet, që muajt e fundit kanë shërbyer më shumë si një vendstrehim kalimtar i kontrabanduesve dhe viktimave të premtimeve të kota.
Trafikantët në hotel u kërkuan 400 euro për kokë njeriu për të kaluar kufirin. Në fund kanë pranuar që këtë shërbim t'ua bëjnë edhe për 200 euro. "Por ne kemi vendosë me kaluar vet, me ndihmë të GPS, sepse atë natë u kthyen disa njerëz nga kufiri dhe thanë që trafikantët i kanë mashtruar - i kanë dërguar deri afër kufirit dhe u kanë treguar një rrugë të gabuar."
Rruga prej kufirit deri në Segedin të Hungarisë ka zgjatur rreth 11 orë me këmbë. "Ka qenë tmerr - kemi shkuar nëpër male, nëpër ujë, nëpër therra dhe rrugica. Dikur me qëllim kemi dalë në autostradë, me shpresë se do të na kapë policia". Më në fund i ka ndaluar edhe policia hungareze, por gëzimi për rënien në dorë të "një policie të një shteti demokratik, anëtar të BE, ishte tepër i shkurtër".
Nata dhe rrahja në burg
Valdetin, Zojen shtatëzënë (në muajin e tetë) dhe gocën e vogël së bashku me bashkëudhëtarët e tjerë i kanë dërguar menjëherë në një burg. Burrat i ndanë prej femrave dhe fëmijëve. "Sjellja e policisë ka qenë e tmerrshme. Na kanë mbyllur si kafshë dhe na kanë mbajtur të mbyllur tërë natën, deri në ditën e nesërme në ora 11." Në një dhomë prej rreth 100 m2, kanë qenë të vendosur, sipas Valdetit, më shumë se 200 burra, të cilët nuk kanë mundur as të shtrihen në beton. "Më e keqja ishte që nuk e dija se ku janë gruaja shtatëzënë dhe çika e vogël!"
Gratë dhe fëmijët ishin në një dhomë tjetër. "Dhoma ka pasur shipka në dritare dhe beton në tokë. Nuk ka pasur asnjë shtrat, Në beton as edhe një batanije për fëmijët e vegjël", shpjegon Zoja dhe shton: "Nuk kemi pasur as ujë, nuk kemi mundur të shkojmë në banjo dhe nuk kemi pasur pampersa për çikë. Çika ka kërkuar tërë natën ujë, por nuk kam pasur."
Ditën e e nesërme diku nga ora 11 i kanë hapur dyert. Në përpjekje për t'i dhënë zemër Zojës, Valdeti i thotë gruas: mos ke frikë se nuk do të na ndajnë (sepse do familje të tjera më parë i kanë ndarë!). Kur të na lirojnë do të na lirojnë të gjithëve së bashku!" Asnjë fjalë tjetër. "Kur e kanë parë që po flas me gruan, menjëherë i kanë mbyllur dyert. Në dhomën time kanë ardhur pesë policë dhe më kanë goditur me shufra, pa asnjë fjalë. Pas goditjes së dytë kam rënë në tokë dhe më nuk di asgjë. Kam humbur vetëdijen dhe jam zgjuar pas katër orësh... më kanë rrahur kaq brutalisht, vetëm pse i thash gruas që të mos shqetësohet..."
Azilkërkim me dhunë
Një ditë më vonë, Valdeti dhe Zoja me fëmijë janë detyruar të kërkojnë azil politik në Segedin. "Nuk kemi dashur të kërkojmë azil në Hugari. Por na kanë kërcënuar se nëse nuk kërkojmë azil, do të mbetemi disa muaj në burgje", shpjegon Valdeti, i cili as vet nuk e di se pse ka qenë e domosdoshme që të kërkojë azil në Hungari?! Një ditë më pas u kanë dhënë bileta dhe kanë kërkuar prej tyre të shkojnë me autobusë në një qendër për vendosjen e azilkërkuesve kosovarë. Por Valdeti me familje kanë vazhduar rrugën për Budapest dhe janë vendosur në një hotel. Nga vuajtjet e ditëve të kaluara, Zoja shtatzënë është sëmurë keq dhe u desh të thirrej urgjenca për të shkuar në spital. Pas shërimit dhe dhjetë ditëve të kaluara në hotele të ndryshme të kryeqytetit hungarez, janë nisur për në stacionin hekurudhor në Budapest.
"Policia e kishte shtrënguar kaq fort udhëtimin sa që ishte i pamundur të futemi në tren për Gjermani. Në afërsi të stacionit më janë ofruar disa persona të panohur dhe kanë kërkuar 2.500 euro për të na dërguar deri në Dyseldorf të Gjermanisë", shpjegon Valdeti. Ai thotë se nga torturat dhe vuajtjet e ditëve të fundit, nuk ka pasur më besim të mbetet në Hungari dhe ka pranuar të pagujë edhe këtë shumë të kërkuar nga trafikantët.
Në Dyseldorf policia i ka drejtuar në Dortmund, në qendrën për pranimin e azilkërkuesve, ku edhe kanë kërkuar azil politik. "Prej 29 janarit kur jemi nisur e deri më 12 shkurt, kam shpenzuar më shumë se 4000 euro. Tmerr i vërtetë, por nuk kam pasur zgjidhje tjetër."
Shitja e makinës dhe lopës
Viktima e premtimeve se në Gjermani do të gjejë një jetë shumë më të mirë, ka pranuar të shesë pasurinë për t'u nisur me familje. "Kam shitur një makinë që kam pasur, një lopë dhe kam marrë para borxh. Kam paluar 5000 euro dhe jemi nisur, por sikur ta dija se çka na pret rrugës, nuk do të isha nisur kurrë." Valdeti pohon se ai nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të largohet, sepse në Kosovë nuk ka gjetur kurrfarë perspekive.
"Deri në vitin 2011 kam jetuar në Belgjikë dhe Holandë. Në Hagë kam përfunduar fakultetin e Kriminologjisë me Penologji. Por në vitin 2011 jam kthyer për shkak të sëmundjes së babait dhe kam qenë i bindur se me shkollën e kryer mund t'i kontribuojë vendit tim - Kosovës."
Plot katër vjet ka kërkuar Valdeti punë në profesionin e tij, pa asnjë rezultat. "Kam qenë edhe në kabinetin e ish-kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa, kam dërguar dokumentacionin edhe në zyrën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, kam konkurruar edhe në polici, por askund nuk kam gjetur vend pune. Nuk më ka ndihmuar as diploma holandeze. Ndërkohë që në Kosovë thonë se duan t'i mbështesin kuadrot që kthehen. Do të më kishte mjaftuar një pagë prej 300 eurosh në muaj, por jo - nuk më dha kush punë."
Valdeti ndan fatin e rreth 45% të të rinjve kosovarë, të cilët janë të papunë. Kosovarët e ikur nga vendi thonë se në Kosovë nuk ka kurrfarë perspektive për ta. Gjendja e mjerueshme ekonomike, nepotizmi, punësimi mbi bazë njohjesh apo me ryshfet, varfëria e skajshme, korrupsioni i lartë janë ndër shkaqet që përmenden më së shpeshti nga kosovarët që kërkojnë azil në Gjermani.
Për të gjetur punë atij nuk i ka ndihmuar as kontributi i familjes gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Një vëlla i është vrarë në luftë, një është plagosur nëntë herë, është plagosur edhe babai, nga familja e tij e madhe në Keqekollë dhe Prapashticë janë vrarë 72 anëtarë të familjes, të gjitha shtëpitë u janë djegur.
Po si ka mbijetuar deri tani: "Në Kosovë e kam mbijetur duke e prerë dhe shitur nga mali i babës dhe babgjyshit. Kohët e fundit jam marrë edhe me shitjen e pjesëve të makinave të aksidentuara, por pas lindjes së fëmijës këto para nuk mjaftonin për të mbijetuar. Ndaj jam detyruar të ikë me shpresë se do të gjej një jetë më të mirë. Por njerëzit në Kosovë na kanë rrejtur dhe mashtruar", shpjegon Valdeti.
Valdeti me familje kanë qenë në ditën e zhvillimit të bisedës (24.02.2015) në Qendrën për Strehimin e Azilkërkuesve në Hemer, afër Dortmundit. Sipas marrëveshjes, në këtë vend mund të vendosen 300 persona. Numri mund të rritet më së shumti deri në 500, por vetëm për një javë. Ndërkohë që në momentin e vizitës atje ishin rreth 650. 54% e të gjithë të vendosurve janë nga Kosova. Ka dhe nga Serbia, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia... Nga Ballkani në këtë Qendër janë 75% e të strehuarve.
Kushtet e jetesës janë të rënda. Familjet janë të vendosura në një dhomë të vogël. Ndërsa ata ndodhen shpesh në dhoma me 5-6 persona të tjerë. Duke i falënderuar angazhimit të organizatës Malteser, ata kanë për të ngrënë tri herë në ditë. Por Valdeti pohon se ushqimi është shumë i dobtë. "Shpesh nuk po e han as çika e vogël. Papastërtia është e madhe", thotë ai. Në Qendër ekziston edhe një kopësht për fëmijë, por ai është i stërmbushur. Brenda një zhurmë e padurueshme. Fëmijë nga të gjitha rajonet e botës, që flasin në gjuhë të ndryshme. Dominon gjuha shqipe, me theks nga Kosova.
Situatë stresi
Që situata nuk është fare e lehtë, konfirmon edhe drejtori i Qendrës, Horst Labrenz. "Kjo është një situatë stresuese për të gjithë, në veçanti për personat që përkujdesen për ushqimin dhe mirëmbajtjen e Qendrës", shpjegon ai. Në përgjithësi, situata në vendstrehimet e azilkërkuese në landin Renania-Veriore Vestfalia është e rëndë. Të gjitha vendstrehimet janë tejmbushur, sepse ky land, për shkak të numrit më të madh të banorëve, është i obliguar të marrë 23,5 % të të gjthë azilkërkuesve në Gjermani. Shumë prej 18.000 kosovarëve që kanë ardhur në Gjermani në dy muajt e fundit, janë vendosur pikërisht në këtë land. Të gjithë ata kanë kërkuar azil politik. Por cilat janë shanset për azil?
Asnjë shans për azil
"Jo, nuk kanë shanse për azil. Ata janë duke dëmtuar vetveten. Kanë rënë viktimë e premtimeve të kota. Ne e dimë që në Kosovë mbretëron një situatë shumë e vëshirë ekonomike, por varfëria nuk është shkak për azil. Të gjithë ata kanë kërkuar strehim sipas paragrafit 16a të Kushtetutës - që do të thotë strehim politik për persona e përndjekur dhe ata të cilët janë të rrezikuar fizikisht në rast kthimi në vendlindje", shpjegon Labrenz.
Në janar të këtij viti, nga rreth 3.600 kërkesa të përpunuara, vetëm 0,3 % e kosovarë në Gjermani kanë marrë azil politik.
Ministrat e landeve gjermane kanë vendosur nga mesi i shkurtit që kërkesat e kosovarëve për azil të përpunohen brenda dy javësh dhe shumica dërmuese e tyre, gati të gjithë, po marrin dhe do të marrin përgjigje negative. Zbatimi i vendimit të minstrave ka filluar me 23 shkurt. Azilkërkuesit e refuzuar mund të ankohen brenda një jave, por shanset për ndryshimin e vendimit nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë se brenda disa javësh ata do të detyrohen të kthehen në Kosovë. Sa i përket atyre që kanë kërkuar azil më parë, ekziston mundësia që procedura e tyre të zgjazë më shumë, madje deri në 18 muaj. Nëse kështu edhe do të mbetet, kjo varet prej mundësive të Zyrës për Migrantë dhe Refugjatë.
Ndihmat sociale
Azilkërkuesit kanë të drejtë në Gjermani, në kushtet normale, që të marrin ndihma sociale për një person të rritur prej 354 eurosh. Për familjarët ekzsiton edhe ndihma për gruan, fëmijët. Por kosovarët nuk do të mund të përfitojnë shumë nga këto ndihma. "Dje më kanë dhënë nga 22 euro për mua dhe për gruan, si dhe 12 euro për çikën e vogël - për një javë", shpjegon Valdet Brahimi. Kjo do të thotë se për një muaj, ndihmat do të jenë 224 euro në muaj. Ndërkohë që nuk dihet se sa gjatë do të mbeten atje.
Këshilltari për migrantë në Kryqin e Kuq të Gjermanisë në Bon, Lothar Strunk thotë se për kosovarët e refuzuar ekzistojnë dy mundësi: të kthehen vullnetarisht apo të dëbohen me dhunë. Ata që kthehen vullnetarisht mund të marrin bileta gratis, nëse është hera e parë që janë paraqitur azil në Gjermani. Ndërsa të tjerët duhet të paguajnë vetë. Edhe të dëbuarit kthehen pa pare, por nëse dikush dëbohet me dhunë, atij i shënohet në pasaportë ndalimfutja në zonën Shengen për një periudhë deri në pesë vjet, e madje në rastet më të rënda deri në 10 vjet.
Valdet Brahimi me familje është i dëshpëruar, sepse nuk e di ku të shkojë nëse e kthejnë. "Në Kosovë nuk kam shtëpi, nuk kam punë. Do të mbetem në rrugën e Zotit. Nuk e di çka të bëj", ankohet dhe sugjeron: "Mos u nisni për Gjermani. Mos u besoni atyre që po rrejnë se këtu nuk ka azil, punë dhe shtëpi të premtuara për familje!"