1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Slloveni: Ekipi i parë i emergjencës nga Gjermania nis punën

8 Gusht 2023

Një ekip gjerman i shpëtimit është në terren në Slloveni pas përmbytjeve të rënda dhe vdekjeprurëse. Kryeministri slloven thotë se kjo është fatkeqësia më e keqe natyrore që nga pavarësia e vendit në 1991.

https://p.dw.com/p/4UvNS
 Pamje ajrore e përmbytjeve në Ravne na Koroskem, Slloveni
Përmbytjet prekën disa fshatra dhe qyteteFotografi: Gregor Ravnjak/AP

Një ekip ekspertësh nga Agjencia Federale Gjermane për Asistencë Teknike (THW) ka filluar të vlerësojë dëmet dhe të përgatitet për vendosjen e personelit shtesë emergjent me pajisje të rënda shpëtimi pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës që shkatërruan Slloveninë.

Pas përmbytjeve, të cilat u morën jetën të paktën gjashtë vetëve, anëtarja e Bashkimit Evropian Sllovenia aktivizoi Mekanizmin e Reagimit ndaj Fatkeqësive të Bashkimit Evropian, sipas të cilit ekipet ndërkombëtare mbërrijnë në vend për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe rikuperimit.

Gjermania dërgon dy ura të parafabrikuara dhe Franca dy ekskavatorë specialë. Ekipi i parë i THW solli edhe njërin nga këta dy ekskavatorë. Vullnetarë të tjerë priten në ditët në vijim.

Ministria e Jashtme gjermane do të financojë misionin, i cili pritet të kushtojë rreth 700.000 euro.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pritet të vizitojë Slloveninë të mërkurën.

Skenat e shkatërrimit

Shefi operativ i ekipit, Thorsten Meier, i tha transmetuesit publik ZDF se shkatërrimi në Slloveni i kujtoi atij skena të ngjashme pas përmbytjeve në Luginën Ahr në Gjermaninë perëndimore dy vjet më parë.

"Ne gjithashtu kemi shtëpi të shqyera këtu, ura të shqyera dhe një sasi të madhe dëmesh në zonën ku hynë ujërat e përmbytjeve,” tha ai.

Technisches Hilfswerks (THW)
Fotografi: Stefan Puchner/dpa/picture alliance

Meier tha se ekzistonte "nevojë e madhe për ura të përkohshme" sepse qytetet ishin ende të shkëputura nga bota. Por ai tha se ka "një përshtypje të mirë në terren. Ndjej se gjërat po shkojnë shumë shpejt dhe shumë mirë".

Autoritetet sllovene thonë se përmbytjet kanë prekur dy të tretat e 2.1 milionë banorëve të vendit.

Sllovenia goditet nga përmbytjet më të mëdha në dekada

Kryeministri Robert Golob, i cili e quajti katastrofën fatkeqësinë më të keqe natyrore të vendit në pothuajse 30 vjet, e vlerësoi dëmin total në më shumë se 500 milionë euro (548.3 milionë dollarë).

"Në këto kohë të vështira, Sllovenia nuk është vetëm," shkroi zyra e Golobit të hënën. "Ne kemi shumë miq dhe mbështetje ndërkombëtare, përfshirë nga BE, NATO dhe SHBA".

Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu ngushëllimet e tij në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, duke thënë: "Zemrat tona janë me viktimat, të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që humbën shtëpitë e tyre”.

Një fatkeqësi vdekjeprurëse

Përmbytjet që filluan të premten shkaktuan rrëshqitje dheu, detyruan evakuimin e fshatrave dhe pëmbytën rrugët dhe hekurudhat.

Në gjashtë personat që vdiqën janë dy holandezë të cilët u goditën nga rrufeja gjatë ecjes. Një burrë që po merrte pjesë në operacionet e pastrimit pranë kryeqytetit, Ljubljanë, u vra gjithashtu, tha policia.

Kroacia dhe Austria gjithashtu përjetuan kushte ekstreme të motit gjatë së njëjtës periudhë.

aud (afp,dpa)