1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujtimi i Holokaustit: Kurrë më i rëndësishëm se tani

31 Janar 2024

Me thirrje urgjente për rezistencë kundër antisemitizmit Bundestagu gjerman përkujton miliona viktimat e diktaturës naziste.

https://p.dw.com/p/4btob
91-vjeçarja Eva Szepesi, e mbijetuar nga kampi nazist i përqendrimit dhe i shfarosjes Aushvic-Birkenau, duke folur në seancë përkujtimore të Bundestagut gjerman për Holokaustin
91-vjeçarja Eva Szepesi, e mbijetuar nga kampi nazist i përqendrimit dhe i shfarosjes Aushvic-Birkenau, duke folur në seancë përkujtimore të Bundestagut gjerman për Holokaustin Fotografi: Christian Ditsch/epd/picture alliance

"Shoah nuk filloi me Aushvicin. Filloi me fjalë dhe filloi me heshtjen e shoqërisë dhe mbylljen e syve", theksoi Eva Szepesi, e mbijetuar nga kampi nazist i përqendrimit dhe i shfarosjes Aushvic-Birkenau. 91-vjeçarja tha në seancë përkujtimore të Bundestagut gjerman për Holokaustin se atë e lëndon fakti që hebrenjtë sulmohen edhe sot, sepse janë hebrenj.

Eva Szepesi me presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe kryetaren e parlamentit Berbel Bas
Eva Szepesi me presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe kryetaren e parlamentit Berbel BasFotografi: picture alliance/dpa

Ajo tha se është e shokuar, nëse partitë ekstremiste të djathtë mund të rizgjedhen. Ajo tha se "ende” ndihet e mbrojtur nga demokracia në Gjermani. Por në të njëjtën kohë Szepesi u bëri thirrje njerëzve që jo vetëm të demonstrojnë kundër ekstremizmit të djathtë, por edhe të kundërshtojnë deklaratat çnjerëzore në jetën e përditshme. "Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani. Sepse "Kurrë më" është tani", theksoi ajo nën duartrokitjet e vazhdueshme të sallës së mbushur plot.

Sulmi i paprecedent terrorist i Hamasit ndaj Izraelit

Szepesi u shpreh edhe rreth sulmit të paprecedent terrorist ndaj Izraelit nga Hamasi dhe grupet e tjera militante më 7 tetor 2023. Kjo ishte një ditë "që ndryshoi gjithçka për ne hebrenjtë". Që atëherë edhe jeta ime e përditshme në Gjermani karakterizohet nga masa të shtuara sigurie, incidente antisemite dhe frikë, tha ajo. Leksionet dhe takimet e saj janë anuluar, sepse organizatorët nuk mund të garantojnë për sigurinë e saj. Në këtë kontekst Szepesi u ankua për një "heshtje të zhurmshme nga mesi i shoqërisë” dhe "biseda që nisin me "Po, por”.

Pamje nga seanca përkujtimore e Bundestagut gjerman për Holokaustin
Pamje nga seanca përkujtimore e Bundestagut gjerman për Holokaustin Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Szepesi tha se dëshiron të përkujtojë jo vetëm viktimat e vrarë të Holokaustit, por edhe të mbijetuarit. "Ata tani kanë nevojë për mbrojtje," tha ajo.

Szepesi vjen nga një familje hebreje dhe ka lindur në vitin 1932 në periferi të kryeqytetit hungarez Budapest. Në vitin 1944 nacional-socialistët e internuan në kampin e shfarosjes Aushvic-Birkenau. Ajo përjetoi çlirimin e kampit më 27 janar 1945 nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe ishte një nga fëmijët e paktë që u mbijetoi krimeve naziste.

"Demokracia jonë është e gjallë dhe e aftë për t'u mbrojtur”

Ceremoninë përkujtimore zyrtare e hapi presidentja e Bundestagut, Berbel Bas. Ajo kujtoi gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë në Evropë, sintit dhe romët, njerëzit e persekutuar për shkak të bindjeve të tyre politike, të besimit p.sh. si Dëshmitarë të Jehovait, apo sepse ishin homoseksualë. Berbel Bas theksoi se Holokausti nuk u zhduk kurrë nga jeta e të mbijetuarve dhe u bëri thirrje qytetarëve në Gjermani që të mbajnë qëndrim kundër antisemitizmit dhe urrejtjes. "Le të gjithë të kemi guximin të mos heshtim, por të përballemi me vendosmëri me urrejtjen dhe mizantropinë”, tha politikania e SPD-së.

Presidentja e Bundestagut gjerman Berbel Bas
Presidentja e Bundestagut gjerman Berbel Bas Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Presidentja e Bundestagut, Berbel Bas, theksoi se që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor në Gjermani janë kryer më shumë se 2000 krime antisemite duke shtuar se "ky shpërthim antisemitizmi është  turp për vendin tonë." Ajo falënderoi qindra-mijëra vetë që dolën në rrugë javët e fundit për demokracinë dhe kundër ekstremizmit të djathtë. Ata të gjithë treguan se demokracia jonë është e larmishme, e gjallë dhe elastike. Por është e rëndësishme që edhe në jetën e përditshme të kundërshtojmë kur dëgjojmë parulla antisemite dhe raciste, qoftë në metro, në radhët e kolegëve apo në shkollë. "Secili prej nesh mund të tregojë se ne jemi një shoqëri që respekton çdo njeri, pavarësisht nga feja, origjina apo pamja e jashtme”.

PP (phoenix, epd, kna, dpa, afp, rtr)