Përfundoi Festivali i Filmit në Venecie - "Luani i Artë" për filmin izraelit "Libani"
13 Shtator 2009Filmi „Lebanon“ e sheh konfliktin e vitit 1982 përmes syve të ushtarëve. Kritikët e përshkruajnë këtë vepër si “më e guximshmja dhe më e mira nga filmat më të fundit izraelitë“.
"Unë ua kushtoj këtë film të gjithë atyre, të cilët u kthyen shëndoshë dhe të sigurtë nga kjo luftë“, tha Maos pas marrjes së çmimit. “Këta njerëz gjatë gjithë jetës së tyre mbajtën kujtimet e luftës. Ata punojnë, martohen , ata kanë fëmijë, por përjetimet e tyre të luftës janë në shpirtin e tyre të përvëluar“, tha më tej ai. Maos ka marrë pjesë vetë në luftën e Libanit në vitin 1982.
Regjisori gjermano-turk Fatih Akin fitoi po ashtu për komedinë “Soul Kitchen“ (Kuzhina e shpirtit) një çmim special nga juria. Akin e cilësoi këtë vepër si të parin “film të vendlindjes”, sepse ai e zhvillon ngjarjen në qytetin e tij të lindjes në Hamburg.
“Luani i Argjendtë“ iu dha filmit iranian “Women without Men”,(Gra pa burra) me regji fotografen dhe piktoren Shirin Neshat. Filmi trajton historinë e katër grave me prejardhje të ndryshme në vitin 1953, në Teheran, kur qeveria me orientim të majtë e Mohamed Mosadehit u rrëzua me ndihmën e shërbimit sekret amerikan, CIA.
Të tre çmimet mund të vlerësohen si triumf i kinemasë gjermane: „Soul Kitchen“ si dhe „Women without Men“ janë prodhim gjerman, ndërsa në filmin „Lebanon“, Gjermania merr pjesë si partner në prodhimin e përbashkët.
Si aktori më i mirë u vlerësua Colin Firth në filmin “A Single Man”. Si aktorja më e mirë u vlerësua nga juria aktorja ruso-italiane Kseniya Rappoport për rolin e saj në filmin Italian “La Dopia Ora”(Ora e dyfishtë).
Më dhënien e çmimeve të shtunën në mbrëmje (12.09), pas 11 ditësh përfundoi edhe Festivali i Filmit në Venecie. Ishin gjithsej 25 filma që konkuruan para jurisë së kryesuar nga regjisori amerikano-tajvanez Ang Leel, i cili ka fituar vetë dy Luanë të Artë, në 2005 dhe në 2007 me filmat “Brokeback Mountain” dhe “Tiger and Dragon “.
Në këtë ngjarje të rëndësishme të artit kinematografik mori pjesë edhe Presidenti i Venzuelës Hugo Shavez. Aty u shfaq filmi dokumentar që bën fjalë për të, “Në jug të kufirit” me regji të Oliver Stoun-it. Vemendjen në kët festival e tërhoqi dhe filmi dokumentar i regjisorit amerikan Michale Moore, “Kapitalizmi një histori dashurie”. Në
këtë film bëhet fjalë për konfrontimin e institucioneve të njohura amerikane dhe Wall Street-it, atje ku nisi edhe kriza ekonomike mbarëbotërore.
Edhe filmi shqiptar nuk mungoi në këtë festival. Filmi “Muajt e Mjaltit”, një prodhim shqiptaro-serb u prezantua nga aktorët kryesorë të filmit: Yllka Mujo, Bujar Lako, Mirela Naska dhe regjisori serb Goran Paskaljeviç.
Autor: Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Esat Ahmeti