1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përdhunimi: "Të nevojshme masat e kujdesit paraprak"

Priya Esselborn / Esat Ahmeti25 Gusht 2013

Përsëri një bandë përdhunon në Indi: Disa burra kanë sulmuar një fotografe 22 vjeçare në Mumbai. Edhe në dhjetorin e kaluar një rast i ngjashëm shkaktoi indinjatë të madhe.

https://p.dw.com/p/19Ve3
Fotografi: Nivedita Mookerji

Deutsche Welle ka biseduar me gazetaren e njohur Nivedita Mookerji, i cila punon për gazetën "Business Standard" në Nju Delhi, lidhur me kushtet e punës së gazetareve në Indi dhe mbulimin pjesërisht sensacional në mediat indiane të rasteve të përdhunimit.

Deutsche Welle: Sa të sigurta janë gazetaret në vendin e punës dhe sa të rrezikuara janë ato kur ushtrojnë profesionin e tyre?

Nivedita Mookerji: "Unë nuk do të thoja se puna jonë është e rrezikshme në parim, por gazetaret duhet të marrin masat e kujdesit paraprak. Ne duhet të shmangim, për shembull, që të lëvizim natën vetëm. Por pothuajse të gjithë koleget e mia apo dhe gazetaret e tjera që unë njoh, shpesh shkojnë në shtëpi pas orës dhjetë, njëmbëdhjetë, apo edhe pas mesnate. Dhe nuk mund të thuhet se ne sulmohemi apo dhunohemi të gjitha. Por në fakt gjithmonë ka raste të tilla. Ne e dimë se një qytet si Nju Delhi nuk është i sigurt për gratë dhe veçanërisht për gratë është me rrezik udhëtimi me autobusë, ndërkohë që metroja është më e sigurt. Në metro ka më shumë personel sigurie, ajo monitorohet më mirë dhe ka më pak njerëz, të cilët ngacmojnë seksualisht gratë."

Cilat janë rreziqet, që shoqërojnë gratë në Indi në transportin publik, sidomos në autobusë në mbrëmje apo natën?

Nivedita Mookerji: Në mbrëmje në rrugë ka shumë pak njerëz, sidomos pas orës nëntë apo dhjetë. Nëse ka pak njerëz në autobus, atëherë mund të fillojë dikush të të ngulë vështrimin dhe njeriu fillon menjëherë të ndihet i pasigurt. Dhe kur njeriu zbret dhe merr rrugën drejt shtëpisë, atëherë fillon të ndihet i pasigurt, për shkak se rrugët nuk janë të ndriçuara mirë. Janë gjëra të shumta, që mund t'i ndodhin njeriut, duke filluar nga ngacmimi, sulmi, e deri te përdhunimi. Por me këtë nuk duhet të teprohet, sepse kjo nuk ndodh çdo ditë.

Gazetaret shpesh duhet të punojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, apo të bëjnë edhe ndërrimin e natës. Pikërisht për këtë shumë në Indi thonë se ky nuk është profesion për gratë. Si reagojnë punëdhënësit?

Nivedita Mookerji: Pothuajse të gjitha ndërmarrjet mediatike kanë filluar ndërkohë që pas orës dhjetë të marrin apo t'i dërgojnë vetë gratë në shtëpi. Edhe kur ato duhet të punojnë më gjatë në dispozicion është gjjithmonë një shërbim taksie. Dhe pas rastit të përdhunimit dimrin e kaluar në secilën veturë duhet të jetë edhe një oficer sigurimi. Kështu që gazetaret nuk janë vetëm. Dhe gratë nuk dalin asnjëherë të fundit nga makina. Kolegu i gjinisë mashkullore duhet të zbresë gjithmonë pas saj.

Në rastin e përdhunimit në grup dhjetorin e kaluar mediat kanë raportuar mbi çdo detaj të vogël, ashtu si dhe në rastet e tjera. Gjatë raportimit ka munguar sensibiliteti kundrejt viktimave. A kanë mësuar mediat nga këto raste?

Nivedita Mookerji: Po, kjo është e vërtetë, nganjëherë mungon ndjeshmëria. Duhet të thuhet po ashtu se këto përdhunime nuk janë një dukuri e re në Indi. Por pas rastit të dhjetorit të kaluar, pas protestave, shumë aksioneve, tani raportohet më shumë dhe shpesh me shumë agresivitet. Dhe në mediat indiane të rëndësishme janë vetëm kuotat dhe mposhtja e konkurrentit. Kështu që kërkohen lajme sensacionale dhe kjo është gabim.

Po atëherë cila është përgjegjësia e mediave? A nuk mund të sjellë media një ndryshim në mënyrën, se si i sheh shoqëria gratë?

Nivedita Mookerji: Ka gjithmonë dy anë të medaljes. E para është diçka pozitive, që mediat në Indi kanë filluar të prekin debatet shoqërore dhe të trajtojnë tema të tilla si çështjet e grave. Kjo ka detyruar edhe politikën që të veprojë. Më parë çështje të tilla shfaqeshin si lajme të shkurtra, të fshehura në faqen e tretë të gazetës, ndërsa sot ato janë kthyer në kryetituj. Po ashtu edhe qeveria, politikanët, edhe pse kryesisht japin vetëm premtime boshe, prapëseprapë janë bërë shumë më aktivë.