Për krizat nevojiten zgjidhje urgjente
6 Shkurt 2015Fakti që bota i ka hedhur këtë fundjavë sytë nga Mynihu lidhet me shpresën se në rastet kur diplomacia zyrtare e krizave ngec në vend, Konferenca e Sigurisë hap një hapësirë për zgjidhje të reja - ose të paktën për kërkimin e tyre. Zgjidhje kërkohen si për luftën mizore të milicisë terroriste "Shteti Islamik" edhe për luftimet e vazhdueshme në Ukrainën lindore, të cilat u kanë kushtuar deri tani jetën më shumë se 5.300 vetëve. Përvoja e "kolapsit të rendit botëror" është ajo që paracakton agjendën e konferencës këtë vit, tha drejtori i saj Wolfang Ischinger në një intervistë me Deutsche Wellen. "Sa më serioze krizat, aq më e rëndësishme është Konferenca e Sigurisë për ata drejtues shtetesh që kanë nevojë për të gjetur zgjidhje për konfliktet."
Rritet presioni ndaj Rusisë
Për të diskutuar ka mjaft për 20 kryetarët e shteteve dhe të qeverive, 60 ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe eskpertët e shumtë që do të mblidhen në këtë konferencë. Dhe jo vetëm gjatë diskutimeve zyrtare, por edhe pas dyerve të mbyllura dhe në dhoma me qilima të trashë që kanë gëlltitur tashmë shumë beteja me fjalë të nxehta. Kështu në Mynih do të takohen presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, dy kundërshtarë e një konflikti që ka shkaktuar një epokë të re akulli mes Rusisë dhe Perëndimit.
Pa dyshim, përshkallëzimi i fundit i dhunës në Ukrainën lindore do të jetë një nga temat qendrore në Mynih. Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vijë në konferencën e sigurisë pas bisedimeve që zhvilloi e shoqëruar nga presidenti francez Francois Hollande, në Kiev dhe Moskë me presidentin Poroshenko dhe Putin. Edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së Joe Biden, i cili udhëheq delegacionin e madh amerikan në Mynih, u shpreh vërtetë qartë kundër furnizimit me armë vdekjeprurëse, por e kritikoi ashpër ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë.
Ç'rol luan Gjermania?
Përpjekjet e mëdha të qeverisë gjermane për të gjetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit Ukrainë, i përshtaten temës kryesore të Konferencës së fundit të Sigurisë. Aty si Presidenti gjerman, dhe ministri i Jashtëm dhe ministrja e Mbrojtjes premtuan një zëri një përfshirje më të madhe gjermane në krizat ndërkombëtare - duke nënkuptuar me këtë përfshirje shitjen e armëve për milicët kurdë të Peshmergës në Irakun verior si dhe stërvitjen e tyre ushtarake.
Nga perspektiva e lojtarëve globale si OKB-ja, Gjermania mund të bëjë edhe më shumë: "Do të ishte mirë nëse ne burimet e Gjermanisë mund t'i shohim edhe në Afrikë," tha nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së Jan Eliasson për Deutsche Wellen, duke pasur parasysh misionet paqësore të Kombeve të Bashkuara. "Unë do të thosha se Gjermania me traditën e saj mund të luajë një rol në të gjitha fazat e një krize: në parandalimin e saj, gjatë krizës dhe 'pas konfliktit"' pra pas një krize", tha Eliasson, i cili gjithashtu merr pjesë në Konferencën e 51-të të Sigurisë.