011110 Brasilien Wahl Rousseff
1 Nëntor 2010"Askush nuk e mban më mirë postin e presidentit të republikës, se sa një grua," me besim në vetvete e komentoi Dilma Rouseff fitoren e saj. Për herë të parë në historinë e Brazilit, një nga vendet e rëndësishme në zhvillim të grupit G-20, shtetin do ta drejtojë një grua. Rouseff-i fitoi në fund qartë kundër kundërshtarit të saj, socialdemokratit Jose Serra.
Serra pranoi disfatën e tij: "Unë dëshiroj ta uroj kandidaten e zgjedhur, Dilma Rouseff dhe t'i uroj asaj punë të mira për vendin tonë. Unë kandidova me shumë krenari për postin e presidentit. Mesazhi im i lamtumirës këtë moment nuk është "adio", por "mirupafshim së shpejti". Lufta vazhdon, rroftë Brazili!"
Fjalim i kthjellët, programatik
Ndryshe nga mentori i saj, presidenti që po largohet nga posti Lula da Silva, i cili është i njohur për fjalime të mbushura me ndjenjë, 62-vjeçarja Rouseff mbajti një fjalim të kthjellët, programatik. Kjo në një kohë kur ajo kishte plot shkak për të kremtuar: partia e saj i fitoi për herë të tretë radhazi zgjedhjet presidenciale, ajo vetë kandidoi për herë të parë për një post politik: "Vendi ynë duhet t'i përmirësojë me tej zakonet dhe cilësitë e politikës. Së bashku me parti të tjera unë duhet të angazhohem për një reformë politike, e cila të theksojë vlerat republikane, në mënyrë që demokracia jonë e re të avancojë më tej."
Dilma Rouseff kandidatja e zemrës e Lula da Silvas
Lula da Silva, i cili pas dy mandatave në post nuk kishte të drejtë të kandidonte më, luftoi në fushatën elektorale për kandidaten e tij të zemrës sikur të bëhej fjalë për të ardhmen e tij politike. Me një mbështetje prej 80% për politikën e tij, ai është shumë popullor dhe do të hyjë në historinë e vendit si njëri nga presidentët më të suksesshëm.
Prej sot politikë më normale
Për Rousseffin dhe politikën braziliane tani fillojnë kohë të reja, mendon analisti Merval Pereira: "Tani do të jetë më e thjeshtë të bësh opozitë, përballë qeverisë Dilma, më e thjeshtë se lufta kundër një miti. Prej sot politika do të bëhet më normale. Edhe për Dilman, askush nuk pret prej saj që të sillet me po kaq sharmë dhe të bëhet kaq popullore sa Lula."
Autor: Gottfried Stein / Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani