1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Osmani: Nuk shtyhen zgjedhjet lokale - votimet më 17 tetor

Bekim Shehu
14 Shtator 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ai është në favor të shtyrjes së zgjedhjeve lokale. Partitë opozitare janë kundër.

https://p.dw.com/p/40H8v
Kosovo I Vjosa Osmani I Wahlen
Fotografi: Armend Osmani/AFP

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ashtu siç ka qenë e caktuar më herët dhe nuk do të ketë shtyrje. Edhe pse për shkak të situatës së përkeqësuar me pandeminë dhe rekomandimin e Institutit të Shëndetësisë Publike për shtyrje të zgjedhjeve, partitë në pushtet dhe ato opozitare nuk u pajtuan për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Këto komente, presidentja Osmani i bëri të hënën (13.09) në mbrëmje pas takimeve konsultative që zhvilloi me partitë politike ku u diksutua mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen më 17 tetor.

"Kushtetuta është e heshtur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe mundësia e vetme, sipas standardeve ndërkombëtare, është që të arrihet një pajtim midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë për një gjë të tillë. Ky konsensus për momentin mungon. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu siç ka qenë", tha presidentja Vjosa Osmani. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një letër dërguar presidentes kishte rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, nga frika e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që njëherësh është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ai është në "favor të shtyrjes së zgjedhjeve, por përfaqësuesit e partive opozitare nuk u pajtuan”.

"Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re, për shkak se varianti Delta i koronavirusit është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor, ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh”, tha kryeministri Kurti.

Përfaqësuesit e partive opozitare që nuk u pajtuan për shtyrje të zgjedhjeve, i kërkuan qeverisë që të intensifikojë përpjekjet dhe t'i japë prioritet vaksinimit të qytetarëve. Memli Krasniqi kryetar i partisë më të madhe opozitare PDK, tha se partitë opozitare janë të gatshme që të mos ketë fare fushatë zgjedhore ose të ketë vetëm disa ditë.

"Kërkova po ashtu edhe nga ana e qeverisë që t'i japë prioritet vaksinimit të trupave zgjedhorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe punonjësve të tij, të komisionerëve, të vëzhguesve të partive politike, në mënyrë që ata të jenë të mbrojtur dhe të mos jenë në rrezik të bartjes së infeksionit në ditën e zgjedhjeve. Kemi kërkuar edhe përshpejtim të procesit të vaksinimit”, tha Krasniqi.

Sidoqoftë, Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Më 28 gusht qeveria e Kosovës ashpërsoi masat anti-Covid, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe shkurtimin e orarit për gastronominë. Në bazë të këtij vendimi 30 persona lejohen në mjedise të mbyllura, kurse në ambiente të jashtme vetëm deri  në 50 persona, çka nënkupton se tubimet e partive politike do të jetë shumë të kufizuara.  Megjithatë, shtyrje të zgjedhjeve lokale nuk do të ketë. Ato do të mbahen më 17 tetor. Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Kërkesa drejtuar BE-së për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. E në një njoftim të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas Borrel, "Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike”.