Osmani: Elektorati i LDK-së dëshiron reforma përmbajtësore
30 Qershor 2014DW: Zonja Osmani, tani edhe zyrtarisht, me 39.925 votat e fituara ju jeni gruaja më e votuar, jo vetëm në zgjedhjet e 8 qershorit por në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri sot në Kosovë. A keni pritur se do të arrini një rezultat të tillë?
Osmani: "Ndihem thellësisht falenderuese për të gjithë qytetarët që patën besim tek unë dhe këtë besim e shprehën nëpërmjet votës së tyre në zgjedhjet e 8 qershorit. Njëherit, besoj që nëpërmjet kësaj mbështetjeje, qytetarët, dhe në veçanti elektorati i LDK-së, dhanë mesazh të fuqishëm se ata duan reforma përmbajtësore në vendimmarrjen e LDK-së. Jam zotuar se këtë besim do ta përkthej në punë dhe angazhim maksimal në interes të vendit dhe të qytetarëve. Tani na pret shumë punë, si LDK, por edhe si Kosovë, dhe ka ardhur koha që në këto sfida gjenerata e re të ketë më shumë hapësirë. Fundja, përkrahja që kam marrë nga gati çdo i katërti votues i LDK-së, tregon se pritshmëritë e tyre për reforma mbështeten pikërisht në gjeneratën tonë. Natyrisht se LDK nuk do të ishte partia më e madhe në vend sikur mos të ishte kontributi i gjeneratës së themeluesve të LDK-së, të cilët punuan shumë jo vetëm për LDK-në por edhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Besoj se në LDK ka hapësirë të mjaftueshme që secili të jep kontributin e saj apo tij, bazuar në fuqinë e votës dhe mbështetjen që e gëzon te qytetarët."
DW: Ju nuk ishit kandidatja e vetme që nuk kishit nevojë për ligjin për përfaqësimin e grave në parlament. Çfarë mendoni, edhe në sa palë zgjedhje Kosova do të ketë nevojë për një ligj të tillë?
Osmani: "Më vjen mirë që sërish në këto zgjedhje, femrat më të votuara në Kosovë janë nga LDK dhe numri më i madh i tyre që kanë hyrë në Kuvend pa kuotë janë pikërisht nga LDK. Mirëpo besoj që edhe në partinë tonë ka nevojë që zëri i grave të jetë akoma më i pranishëm dhe më i fuqishëm, sidomos në degë dhe nëndegë. Prandaj besoj se fuqizimit të grave në institucione duhet t'i paraprijë fuqizimi i grave brenda vetë partive politike. Edhe për një kohë, prandaj, deri sa të arrihet një barazi në përfaqësim, besoj se institucionet e Kosovës kanë nevojë të ndërmarrin veprime edhe më të favorshme afirmative, siç janë kuotat, në mënyrë që gratë të jenë të përfaqësuara në vendimmarrje. Nëse përcillet puna e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, dhe në veçanti në Komisione ku kryhet puna kryesore, do të shihni që gratë janë më aktivet. Më vjen mirë që viteve të fundit po rritet vetëdijësimi qytetar sa i përket pjesëmarrjes së grave në politikë, por duhet të bëhet shumë më shumë edhe për përfaqësimin e tyre në fushat e tjera, siç janë siguria dhe diplomacia."
DW: Suksesin tuaj në zgjedhjet e fundit megjithatë nuk e shënoi edhe partia për të cilën garuat. Sipas jush përse LDK nuk arriti të dali partia më e fuqishme nga këto zgjedhje?
Osmani: "Janë disa arsye për këtë. Së pari, PDK garoi në një koalicion të gjerë, dhe përveç që keqpërdori buxhetin gjatë zgjedhjeve të fundit, u dëshmua sërish se ka vota klienteliste. Për më tepër, besoj se edhe neve na është dhënë një mesazh se pritjet nga elektorati kanë qenë për reforma më të thella dhe më të shpejta dhe tani LDK duhet patjetër që t'i marrë parasysh këto pritje."
DW: Pas arritjes së marrëveshjes së bllokut opozitar nga LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën, në përpjekje për krijimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, opinioni publik në Kosovë është preokupuar shumë me interpretimin e Kushtetutës. Ju si juriste, si e interpretoni atë sa i përket kësaj çështjeje?
Osmani: "Njëjtë si kushtetutat e tjera të shteteve demokratike, edhe Kushtetuta jonë duhet të lexohet, dhe sidomos të interpretohet, në frymën e saj. Unë nuk shoh ndonjë paqartësi në Kushtetutë sepse aty flitet për shumicë në Kuvend, që nënkupton 61 vota, dhe kushdo që e krijon këtë shumicë formon Qeverinë. Do të ishte një anomali serioze nëse vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse partia fituese nuk arrin të formojë qeverinë, pa i dhënë mundësinë koalicionit që ka shumicën në kuvend. Fundja, demokracia është e bazuar në numra dhe mbi këtë parim është hartuar edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila si objektiv kryesor ka zgjidhjen e situatave dhe stabilitetin politik dhe jo shkaktimin e krizave politike, të cilat janë të dëmshme për Kosovën dhe interesin e qytetarëve të saj. Megjithatë, tani gjithçka sa i përket interpretimit të këtyre dispozitave kushtetuese është në duar të Gjykatës Kushtetuese dhe ne nga ky institucion presim paanshmëri dhe profesionalizëm."
DW: Ndërkohë disa media kosovare rapotojnë për pakënaqesi edhe në vet radhët e LDK-së për koalicionin me AAK-në dhe Nismën. Cili është qëndrimi juaj?
Osmani: "Ne tani po presim që Gjykata Kushtetuese të dalë me interpretimin e saj sa i përket mandatarit për formimin e Qeverisë, dhe besoj kjo do të sqarojë shumë gjëra. Një gjë duhet ta kemi parasysh, në momentin kur liderët e tri partive janë ulur së bashku, qëllimi ka qenë që të parandalohet krijimi i një qeverie Thaçi III, sepse kjo do të shkatërronte edhe më tej imazhin ndërkombëtar të vendit dhe mundësinë e qytetarëve për zhvillim e punësim, pra do të shkatërrohej shpresa për një Kosovë më ndryshe. Si parti institucionaliste, dhe njëjtë sikur në të kaluarën, LDK do të respektojë të gjitha procedurat e parapara me statut të saj sa i përket krijimit të koalicioneve para ose paszgjedhore."
DW: Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me disa kushte për mbështetjen e koalicionit LDK-AAK-Nisma. Këtë të hënë liderët e këtyre tre partive pritet të bisedojnë edhe njëherë për kushtet e vendosura nga partia e Albin Kurtit. Sipas jush, sa ka mundësi që të pranohen kushtet e Vetëvendosjes?
Osmani: "Mua më vjen mirë që Vetëvendosja është treguar mjaft bashkëpunuese me partitë e tjera këto ditë, dhe besoj që ky model i bashkëpunimit, kur janë në pyetje interesa të rëndësishme shtetërore, duhet të vazhdojë. Besoj që ka shumëçka që duhet të sqarohet sa i përket atyre që ata i quajnë ‘kushte', mirëpo LDK përherë në programin e saj e ka pasur dialogun si metodë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë ato me Serbinë si shtet fqinjë. Fatkeqësisht qeveria Thaçi e ka udhëhequr procesin e dialogut tërësisht e papërgatitur, pa strategji të qartë, dhe me një politikë reaktive ndaj propozimeve dhe iniciativave të Serbisë. Në rrethana të tilla, nuk ka përfituar nga dialogu aq sa do të duhej dhe aq sa është pritur. Megjithatë, një qeveri e përgjegjshme, e përgatitur mirë, me agjendë e strategji të qartë, me korniza të përcaktuara edhe përmbajtësore edhe kohore, besoj se mund të arrijë suksese të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës në këtë proces. Ka shumë çështje që duhet të sqarohen në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë thellë të involvuar në këtë process dhe ne e shohim si tejet të rëndësishëm thellimin e partneritetit me ta."