1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oscari për Studentët 2014 dy herë në Gjermani

Gerhard Brack / P. Pani9 Qershor 2014

Lennart Ruff-it i duket ende si ëndërr: regjisori i ri u nderua me çmimin e artë të Oscarit për Studentët Gold nga Akademia e Filmit në Beverly Hills. Tani atij i hapen mundësi të shkëlqyera për karrierën.

https://p.dw.com/p/1CEfr
Fotografi: DW/Gerhard Brack

Ndryshe nga çmimi i zakonshëm, Oscari për Studentet nuk jepet në kategori të ndryshme, por vetëm si çmim i artë, i argjendtë dhe bronxi. Lennart Ruff është studenti i tretë i Akademisë së Mynihut për Televizion dhe Film që nderohet me "Honorary Foreign Film Award". Ky çmim i cili konsiderohet si "vëllai i vogël" i Oscarit të famshëm, ndahet që nga viti 1972 nga akademia Academy of Motion Picture Arts and Sciences në Beverly Hills.

Një film mes ëndrrës dhe realitetit

Lennart Ruff u nderua për filmin thriller "Noceb" i cili tregon për një test të dështuar medikamentesh. Ky film ishte punimi i diplomës së Lennart Ruff në Akademinë e Mynihut për Televizion dhe Film. Filmi 40-minutësh është i mbushur me aksion, emocione dhe imazhe konfuze joreale. Në qendër është një çift i ri që merr pjesë në një test medikamentesh. Kristiani 22-vjeçar zbulon bashkë me të dashurën e tij Anën se një pacient ka vdekur gjatë testit. Por mjekët përpiqen ta mbulojnë incidentin. Tani Kristiani dëshiron të shpëtojë të dashurën e tij që të largohet nga klinika. Por papritmas atij i vihen pas disa persona që e ndjekin. Meqë Kristiani vuan nga skizofrenia dhe paranoiat atij i mjegullohen ëndrrat me realiteti.

Pamje nga filmi "Noceb"
Pamje nga filmi "Noceb"Fotografi: Südart-Fimproduktion

Kudhër Oscarësh për filmat gjermanë

Akademia e Filmit e Mynihut mund të konsiderohet sot si kudhra ku farkëtohen fitues Oscarësh për filmat gjermanë. Nga kjo akademie nuk kanë dalë vetëm regjisorë të rinj që janë nderuar me çmime për debutantët e rinj, por edhe dy fitues Oscarësh, Florian Henkel von Donersmark që e fitoi këtë çmim në vitin 2007 për filim "Jeta e të tjerëve" dhe Caroline Link për filmin "Askund në Afrikë".

Nuk është pra çudi që çdo vit për këtë akademi aplikojnë qindra vetë. Por akademia pranon vetëm 30 studentë, dhe nga këta dhjetë në degën e kinemasë dhe filmit artistik. Kush aplikon duhet të dorëzojë dy punime në video, një film të shkurtër narrativ dhe një vetportret si dhe një dokumentar fotografik si dhe një ekspoze të shkurtër të filmit. "Gjëja e rëndësishme është që për filmin të vendosësh me gjithë zemër" thotë regjisori i ri Lennart Ruff. "Këtë s'mund ta bësh për gjysmë."

Me Oscarin për Studentët u nderua edhe një regjisor tjetër gjerman. Peter Baumann u nderua me çmimin e bronxtë për filmin e shkurtër "Border Patrol".