1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE para sprovës shumë të madhe në Ukrainë

Alois Berger/Bahri Cani8 Maj 2014

OSBE-ja llogaritet aktualisht si ndërmjetësuesi më i rëndësishëm në Ukrainë. Por misioni ka dhe shumë sfida të mëdha para vetes, gjë që u pa edhe me rastin e marrjes peng të shumë vëzhguesve.

https://p.dw.com/p/1Bve9
Vëzhgues të OSBE në UkrainëFotografi: Dimitar Dilkoff/AFP/Getty Images

OSBE-ja po përgatitet për një mision të madh. Gati 400 vëzhgues, ndërmjetësues dhe ekspertë ushtarakë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian janë aktualisht në Kiev dhe qytetet e tjera të Ukrainës, në radhë të parë në Lindje. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Lamberto Zannier, mendon se në ditët e ardhshme në Ukrainë duhet të shkojnë edhe 1300 vëzhgues të tjerë.

Vetëm për përgatitjen e zgjedhjeve presidenciale me 25 maj OSBE do të ketë në Ukrainë 1000 persona. Ndërkohë që këtu duhet llogaritur edhe anëtarët e misionit vëzhgues civil të 57 vendve anëtare që kanë shkuar në Ukrainë në mars, në përpjekje për të qetësuar gjendjen. Ky mision do të tuhdj të ketë 500 pjesëtarë. Por Zanier ankohet se misioni deri tani ka vetëm 150 pjesëtarë. Ndërkohë që në muajt e ardshëm ai me dëshirë do të kishte atje tre apo katërfishin e tyre."

OSZE Generalsekretär Lamberto Zannier Archiv 2013
Lamberto ZannierFotografi: picture-alliance/dpa

Në Lindje të Ukrainës ka dhe misione të tjera. Prej marsti dhe prillit atje janë 15 ekspertë ndërkombëtarë për ndërmjetësim dhe për vendosjen e dialogut konstruktiv mes palëve kundërshtare dhe grupeve etnike. Deri tani ata janë marrë me vlerësimin e gjendjes ndërsa në të ardhmen do të paraqesin edhe propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Por në Ukrainë ka dhe grupe të vogla vëzhguesish ushtarakë, të cilët në veçanti janë kritikuar pas marrjes peng të një grupi vëzhguesish prej trupave proruse.

Barazia mes Lindjes dhe Perëndimit

OSBE-ja, e cila për vite të tëra ka qenë nën hijen e organizatave të tjera, tani në kohën e krizës së Ukrainës sërish ka dalur në sipërfaqe. Pas Këshillit të Evropës në Strasburg, OSBE-ja është organizata e vetme ku të gjitha vendet kanë të drejta të barabarta. "OSBE nuk shihet si organizaë e njëanëshme, siç është rasti i NATO-s apo BE-së", mendon specialisti për OSBE Wolfgang Richter, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. "Në OSBE janë të anëtarësuar të gjithë dhe kanë të drejta të barabarta." Për dallim prej BE apo NATO-s, OSBE-ja ka dhe mekanizmat e duhur për të ndërmjetësuar në konflikte: "Ajo ka përvojë në menaxhimin e krizave."

Wissenschaft und Politik
Wolfgang Richter,Fotografi: SWP

Vendimtare për zgjidhjen e krizës është përfshirja e Rusisë në iniciativa. Kjo është edhe fuqia e tanishme e OSBE-së sepse Rusia jo vetëm që është pjesë e saj, por duket se qeveria në Moskë beson se kjo organizatë nuk mban anën e ndonjë pale. Ndaj kancelarja gjermane Angela Merkel ia doli që në mars të bindë presidentin rus Vlladimir Putin që të pranojë vendosjen në pjesët lindore të Ukrainës të një misioni më të madh të OSBE-së. Rusia jo vetëm që e ka mbështetur këtë mision, por ndihmon edhe me financa dhe ka dërguar disa pjesëtarë të saj atje.

Rusia shpreson se do të ketë përfitime

Rusia është bindur se misioni i OSBE-së në Ukrainë është edhe në interesin e saj, mendon Wolfgang Richter: "Një sinjal pozitiv ishte vet prezenca e misionit, sepse ajo e parandalon ndërhyrjen masive ruse." Por ekspertët nuk janë të mendimit sa i përket interesave ruse dhe paraqitjes publike të të gjitha aktiviteteve të forcave ruse. "Strategjia ruse mund të ketë qenë që të demonstrojë gatishmëri për ndihma dhe për uljen e tensioneve", mendon Erwan Fouéré nga Center for European Policy Studies në Brukel. Me fjalë të tjera "Rusia mbase shpreson se do të mbështetet federalizimi i Ukrainës dhe forcimi i të drejtave të popullatës ruse në këtë vend".

Vëzhguesit në rrezik

Siguria dhe misioni i OSBE-së në Ukrainë ishin edhe ndër temat kryesore në takimin e presidentit të OSBE-së, zviceranit Didier Burkhalter, në takimin e tij këtë të mërkurë (07.05.2014) me presidentin e Rusisë Putin. Rezultatet e para janë pozitive, por tendosjet dhe problemet mbeten, sepse forcat proruse në Ukrainë ende nuk kanë hequr dorë nga referendumi i tyre për pavarësi.

Erwan Fouere in Slowenien Archiv 01.02.2005
Erwan FouereFotografi: picture alliance/AP Photo

Mbështetja ruse është shumë me rëndësi, sepse përkeqësimi i gjendjes së sigurisë mund të cënojë seriozisht edhe sigurinë e vëzhguesve të OSBE-së. Vëzhgimi i zgjedhjeve është një prej detyrave kryesore të OSBE-së. Por marrja pengë e vëzhgeusve para dy javësh ka shkaktuar kritika të mëdha, në veçanti në Gjermani. Lamberto Zannier pohon se misioni ushtarak ka qenë në kornizat e OSBE-së, sepse për këtë nuk kërkohet miratimi i të gjitha vendeve anëtare, siç është rasti me misionet e mëdha.

Misionet ushtarake brenda OSBE-së janë miratuar në Vjenë në vitin 1990. Ato kanë për qëllim të mbledhin informacione për gjendjen ushtarake dhecivile në zonat me tendosje të mëdha. Për këtë ekzistojnë edhe mekanizma dhe marrëveshje të qarta. Ukraina ka kërkuar që atje të dërgohen grupe të vogla vëzhguesish: "Misionet e vogla nuk mund të bllokohen me veto prej vendeve anëtare." Zannier është kundër propozimeve të dëgjuara nga Gjermania, që në misionet e këtilla të mos dërgohen personel ushtarak: "Me rëndësi është që atje të jenë edhe njerëz të cilët kanë njohuri për armët dhe e kuptojnë se për çfarë sistemesh është fjala."

Për të ashtuquajturat "Verification Missions" njoftohen të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, pra edhe Rusia e cila e ka ditur se në Ukrianë është dërguar një mision i këtillë me ushtarakë suedezë, gjermanë etj, shpjegon Wolfgang Richter: "Problemi është që rebelët nuk e dinë këtë, që ata janë autistë në veprimet e tyre dhe nuk u interesojnë marrëveshjet ndërkombëtare." Në të ardhmen duhet që në këto misione të përfshihet më shumë edhe qeveria ukrainase, e cila duhet të garantojë sigurinë e vëzhguesve të OSBE. Sidoqoftë, misioni në Ukrainë është për OSBE-në një prej sprovave më të mëdha të viteve të fundit.