1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE-ja edhe kësaj radhe lehtëson rivotimin në veri të Mitrovicës me 17.11.

Bekim Shehu14 Nëntor 2013

OSBE nuk ndihet përgjegjës për sigurinë e procesit të votimit. Policia e Kosovës me EULEX-in e KFOR-in janë të gatshëm për intervenim, nëse paraqitet nevoja.

https://p.dw.com/p/1AHV1
Fotografi: DW

Misioni i OSBE-së ëerish do ta ndihmojë rivotimin me datën 17.11. në veri të Mitrovicës, por ky mision nuk ndihet përgjegjës për sigurinë e procesit të votimit. Policia e Kosovës së bashku me misionin EULEX dhe KFOR-in janë të gatshëm për intervenim, nëse paraqitet nevoja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë për t'u zhvilluar rivotimi në veri të Mitrovicës me datën 17.11. Rivotimi në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës bëhet me vendim të KQZ-ve, pas incidentit që ndodhi me tre nentor, kur grupe të organizuara të serbëve penguan procesin e votimit duke shkatërruar edhe tërë materialin zgjedhor.

Kryeminsitri Hashim Thaci thotë se janë bërë përgatitjet për rivotimin.
Kryeminsitri Hashim Thaci thotë se janë bërë përgatitjet për rivotimin.Fotografi: DW/B. Shehu

“Më datën 17 në tri qendra votimi, që do të ketë rivotim, përgatitjet janë duke u bërë maksimalisht dhe kam besim të plotë se i tërë ky proces do të kalojë sipas standardeve ndërkombëtare”, tha kryeministri Hashim Thaçi pas mbledhjes së fundit të qeverisë së Kosovës.

Edhe kësaj radhe misioni i OSBE-së do ta lehtësojë procesin e rivotimit, megjithëse në votimet e tre nëntorit OSBE-ja nuk arriti që ta sigurojë materialin zgjedhor duke tërhequr stafin e saj pas sulmit, që ndodhi në qendrat e votimit. Zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Gaon, i tha DW se përgjegjës për sigurinë e materialit zgjedhor janë organet e sigurisë.

OSBE nuk është përgjegjëse për sigurimin e materialit zgjedhor

“OSBE-ja ka marrë rolin e lehtësuesit të zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, me kërkesë të palëve të angazhuara në bisedimet e Brukselit në linjën e marrëveshjes ndërmjet palëve. Një gjë duhet mbajtur mend, që OSBE-ja nuk është ofrues i sigurisë por ne duhet të mbështetemi në të, për faktin që ofruesit e sigurisë duhet të ofrojnë siguri për stafin tonë në procesin elektoral”, thotë Nikolla Gaon.

Ai thotë se edhe kësaj radhe OSBE-ja është gati që ta lehtësojë procesin zgjedhor në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës me datën 17.11.

Edhe njohës të çështjeve të sigurisë pajtohen që sigurimi i materialit zgjedhor në veri nuk duhet t'i lihet në dorë OSBE-së, sepse ky mision nuk ka mandat të sigurisë. Florian Qehaja, nga Instituti për Studime të Sigurisë, i tha DW se në veri të Mitrovicës siguria madje nuk duhet të varet krejtësisht as nga policia e Kosovës, sepse në këtë pjesë sipas tij brenda policisë ka elemente të caktuara jo lojale, që nuk respektojnë zinxhirin komandues të Prishtinës.

“Në pjesën veriore të vendit përgjegjësinë për mbajtjen dhe vendosjen e rendit e kanë kryesisht EULEX-i dhe KFOR-i. Këto dy misione kanë kalkuluar gabimisht që me mosveprim do të ruajnë stabilitetin në atë pjesë”, thotë Florian Qehaja. Ai thotë se këto dy misione në bashkëpunim me prokurorinë duhet urgjentisht para rivotimeve në veri që të bëjnë arrestimin e personave që penguan procesin e votimit më tre nëntor.

Florian Qehaja thotë se KFOR-i dhe EULEX-i duhet që në mënyrë më rigoroze ta kontrollojnë kufirin Kosovë-Serbi, në mënyrë që mos të lejohet hyrja e ekstremistëve nga Serbia në Kosovë.

“Duhet që të sigurohemi se elemente ekstremiste nuk vijnë nga Serbia në Kosovë me qëllime të caktuara. Tutje duhet të ketë një prezencë të shtuar të EULEX-it dhe KFOR-it nëpër rrugët e veriut, sidomos gjatë ditës së zgjedhjeve”, thotë Florian Qehaja.

Votimi do të përsëritet në tri qendra në veri të Mitrovicës
Votimi do të përsëritet në tri qendra në veri të MitrovicësFotografi: AFP/Getty Images

KFOR-i dhe EULEX-i në një deklaratë të mëhershme pas incidenteve me tre nëntor në veri të Mitrovicës thanë se Policia e Kosovës e ka pasur rolin kryesor të intervenojë.

"Në pajtim me përgjegjësitë e tij EULEX-i menjëherë i ka ofruar Policisë së Kosovës ndihmë shtesë pas një sulmi të kryer në vendvotimin në veri të Mitrovicës, për t'i ofruar siguri personelit të OSBE-së dhe Misionit Mbikqyrës të BE-së, që ishin dërguar atje. Personeli i KFOR-it, i dislokuar në veri, intervenoi gjithashtu duke dërguar personel shtesë, përfshirë Forcën për Reagim të Shpejtë, për t'i siguruar urat në lumin Ibër dhe për ta parandaluar kështu përkeqësimin e situatës", thuhej në një deklaratë të përbashkët të KFOR-it dhe misionit EULEX.

Policia e Kosovës do ta sigurojë materialin zgjedhor

Policia e Kosovës nga ana e saj tashmë ka hartuar planin e saj operativ që të sigurojë rivotimin në veri të Kosovës, i tha DW, Baki Kelani, zëdhënës i policisë.

Shkolla Sveti Sava, ku u dëmtua materiali zgjedhor
Shkolla Sveti Sava, ku u dëmtua materiali zgjedhorFotografi: Reuters

“Policia e Kosovës tashmë ka hartuar planin e saj operativ për të siguruar procesin e rivotimit në tri qëndra votimi në veri të Mitrovicës me datën 17.11. Intervenues i parë në rast nevoje do të jetë policia e Kosovës, intervenuesi i dytë do të jetë misioni EULEX, ndërsa intervenuesi i tretë do të jenë forcat paqeruajtëse KFOR”, thotë Baki Kelani.

Ai thotë se policia e Kosovës do ta bëjë edhe sigurimin e materialit zgjedhor në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë dhe nuk do të lejojë të ndodhë ajo, që ndodhi në votimet e tre nëntorit kur nga grup ekstremistësh serbë, pos që penguan procesin e votimi, demoluan qendrat e votimit dhe shkatërruan edhe materialin zgjedhor në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës.