1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oqeanet humbasin oksigjenin prej ndryshimeve të klimës

9 Dhjetor 2019

"Deoksigjenimi" i oqeaneve po sjell pasoja katastrofike për jetën e detit. Ndryshimet do të "prekin qindra miliona njerëz", paralajmërohet në raportin e paraqitur në Konferencën e OKB-së për Klimën në Madrid.

https://p.dw.com/p/3UPUW
Meeresschildkröte
Fotografi: picture alliance/dpa/Prisma/R. Mohammed

Oqeanet po humbasin oksigjenin për shkak të ndryshimit të klimës, proces ky me pasoja të rënda për jetën në det dhe biodiversitetin e peshkimin, theksohet në raportin e ruajtjes së natyrës, që u publikua në fundjavë (7.12).

Ky është "apeli i fundit për ndërgjegjësimin" për njerëzimin sa u përket emisioneve në rritje të diaoksidit të karbonit, sipas raportit, botuar në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet e Klimës në Madrid.

Autorët thonë, se raporti "Deoksigjenimi i Oqeanit: Problemi i të gjithëve", është studimi më i madh i rishikuar për shkaqet, ndikimet dhe zgjidhjet e mundshme lidhur me humbjen e oksigjenit të oqeanit.

"Me këtë raport, shkalla e dëmtimit nga ndryshimi i klimës po shkatërron oqeanin, fokusohet edhe më fort. Ndërsa oqeani prej ngrohjes po humbet oksigjenin, ekuilibri delikat i jetës nënujore ka nisur të çrregullohet", tha dr. Grethel Aguilar, drejtor i përgjithshëm në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), një organ i përbërë nga grupe qeveritare dhe shoqëri civile.

'Alarmi ultimativ i zgjimit'

"Efektet potencialisht të rënda ndaj peshkimit dhe gjallesave vulnerabël në zonat bregdetare e përforcon edhe më shumë rëndësinë e vendimeve të marra në Konferencën e OKB-së për Klimën. Për të frenuar humbjen e oksigjenit të oqeanit krahas ndikimeve të tjera katastrofike të ndryshimit të klimës, udhëheqësit botërorë duhet të angazhohen për uljen e menjëhershme dhe të qenësishme të emisioneve të dioksidit të karbonit".

Indonesien Riff
Fotografi: picture-alliance/Prisma/R. Dirscherl

Sipas raportit, territoret ujore me përqëndrim të ulët oksigjeni janë duke u zgjeruar: afro 700 zona oqeanike në të gjithë globin janë të prekura aktualisht nga niveli i ulët i oksigjenit - nga vetëm 45 që kanë qenë prekur në vitet 1960. Gjatë pesë dekadave të fundit, zonat e zbrazura plotësisht prej oksigjenit janë katërfishuar.

"Ky është ndoshta alarmi i fundit i zgjimit për t'i dhënë fund eksperimentit të pakontrolluar që njerëzimi po bën në oqeanin botëror, pasi emetimet e dioksidit të karbonit vazhdojnë të rriten", tha Dan Laffoley, këshilltar për shkencën dhe ruajtjen e detit në Programin Global Marine dhe Polar të IUCN dhe një bashkëpunues në grupin e drejtuesve të këtij studimi. "Shkatërrimi i oksigjenit të oqeanit po rrezikon ekosistemet detare tashmë nën stres nga ngrohja e oqeanit dhe acidifikimi. Për të ndaluar përhapjen shqetësuese të zonave me varfëri oksigjeni, duhet të frenojmë me vendosmëri emetimet e gazrave serë, si dhe ndotjen e lëndëve ushqyese nga bujqësia dhe burimet e tjera."

Planeti ynë blu

Jo më kot planeti ynë quhet planeti blu: Sepse oqeani mbulon gati 71% të sipërfaqes së Tokës dhe 90% të biosferës. Ai është pjesë integrale e jetës duke siguruar diku midis 50 deri 80% të oksigjenit të planetit, që e bën atë një pjesë vitale të ciklit të karbonit. Origjina e oqeanit është ende e panjohur, por mendohet se është formuar 4.4 miliardë vjet më parë, duke siguruar një katalizator për format e hershme të jetës.

UN-Klimakonferenz 2019 | Cop25 in Madrid, Spanien | Protestmarsch
Protesta për klimën gjatë konferencës botërore në MadridFotografi: Reuters/J. Medina

Efektet e mungesës së oksigjenit në oqeane kanë filluar të ndryshojnë ekuilibrin e jetës nënujore, duke favorizuar specie tolerante me oksigjen të ulët (p.sh. mikrobet, kandilat e detit dhe disa kallamarë) e kjo bie në kurriz të atyre gjallesave që janë të ndjeshme ndaj mungesës së oksigjenit si shumë specie detare, duke përfshirë edhe shumicën e llojeve të peshkut.

Peshku ton, shpatë dhe peshkaqenët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve këtyre ndryshimeve. Lloje të tilla po orientohen tani drejt shtresave gjithnjë e më të cekëta të ujit, që janë të pasura me oksigjen, e kjo po  i bën ato më të ekspozuara ndaj mbipeshkimit.

Raporti parashikon që oqeani do të humbasë 3-4% e rezervatit të tij global të oksigjenit deri në shekullin e ardhshëm. Shumica e humbjeve parashikohet të jenë në 1000 metrat e sipërm të kolonës së ujit, e cila është pjesa më e pasur e biodiversitetit detar.