1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opsionet e Turqisë pakësohen, Rusia mbështet Asadin

13 Shkurt 2020

Një ofensivë siriane e mbështetur nga Rusia në Idlib i ka sjellë forcat turke në konfrontim të drejtpërdrejtë me trupat e Presidentit Asad. Kjo kërcënon të minojë një marrëveshje të brishtë mes Turqisë dhe Rusisë.

https://p.dw.com/p/3XgYm
Syrische Regierungstruppen nehmen wichtige Autobahn vollständig ein
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/D. Vinogradov

Bisedimet për qetësimin e situatës midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Turqisë nuk kanë arritur asnjë marrëveshje, pasi 13 ushtarë u vranë gjatë javës së kaluar kur forcat e Presidentit sirian Bashar Asad vazhduan përpjekjet e tyre për të marrë autostradën strategjike M5 për në Alepo nga kryengritësit, për herë të parë që nga viti 2012. Deri në fund të së martës, ishte e paqartë nëse përpjekjet e qeverisë siriane ishin të suksesshme.

Turqia ka dërguar javën e kaluar qindra automjete ushtarake dhe trupa në pozicionet e saj në Idlib, në një nga konfrontimet më serioze midis Turqisë dhe qeverisë së Sirisë në luftën nëntë vjeçare. Megjithëse Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan ka kërcënuar se qeveria e Asadit do të paguajë "një çmim shumë të lartë" për ushtarët turq të vrarë, ai mund të mos dëshirojë të rrezikojë një përplasje të drejtpërdrejtë me avionët dhe personelin rus që mbështesin forcat siriane, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të rrezikshëm.

Rusia dhe Turqia nuk janë "të gatshme të heqin dorë as nga parimi as nga terreni" në Idlib, i tha DW Tobias Schneider, studiues në Institutin e Politikës Publike në Berlin. "Ne mund të shohim një përshkallëzim të vogël siç e pamë në vitin 2015, kur turqit rrëzuan një avion rus, dhe pastaj do të shohim se kush do të tërhiqet së pari," tha Schneider. "Kjo është e panjohura e madhe tani."

Sirianë të mbështetur nga Turqi
Sirianë të mbështetur nga TurqiaFotografi: Getty Images/AFP/A. Watad

Soçi 2.0

Pasi Rusia hyri në luftë me mbështetje ajrore për forcat e Asadit në vitin 2015, duke e kthyer dinamikën në favor të regjimit, Turqia mbështeti në vitin 2016 disa grupe kryengritëse, që kërkonin pjesë të veriut të Sirisë. Por një armëpushim i ndërmjetësuar nga qeveritë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana dhe bisedimet e Soçit tani duken të kërcënuara, pasi Kremlini mbështet ofensivën e Asadit në zonat e kontrolluara nga Turqia.

Kjo e vë Turqinë në një pozitë më të dobët, thotë Schneider. Mosmarrëveshjet e Ankarasë me anëtarët e tjerë të NATO-s e kanë zvogëluar mundësinë që Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane të ndihmojnë në rivendosjen e balancës.

Më shumë të ngjarë, tha Schneider, është një vazhdim i "kolapsit të ngadaltë të menaxhuar" të Idlibit, pasi Asadi vazhdon të ndërmarrë fushata periodike më të vogla. Të martën, Zyra e OKB për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi se qyteti i Idlibit, vendstrehimi i 280.000 njerëzve, mund të kthehet në varrezë po të vazhdojnë armiqësitë.

Që nga dhjetori, ofensiva ka zhvendosur 700.000 civilë brenda provincës veriore prej 3 milionë banorësh - më shumë se në çdo kohë tjetër gjatë luftës, sipas OKB-së, me shumë vetë që përballen edhe me të ftohtët ekstrem.

Erdogani ka paralajmëruar se po të kalojnë kufirin një numër i madh refugjatësh, ai do të lejojë që shumë të kalojnë në Bashkimin Evropian, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes BE-së dhe Turqisë në vitin 2016. Në atë rast BE-ja me siguri do të rinegociononte me Turqinë dhe ndoshta do të vendoste sanksione kundër saj, thotë Schneider.

"Në një kohë që askush nuk dëshiron një katastrofë në Idlib, evropianët me të vërtetë e shohin atë si një çështje të sigurisë kufitare dhe të migrimit, dhe janë mjaft të sigurtë në aftësinë e tyre për ta përmbajtur atë problem," thotë ai. "Ata mendojnë se në thelb mund ta zgjidhin këtë duke dërguar shumë çadra dhe duke e mbyllur kufirin."

 

Tom Allinson, Imane Mellouk