1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Opinion: Tërheqja nga Afganistani e Iraku - e papërgjegjshme

Ines Pohl
18 Nëntor 2020

Plani i Trumpit për të zvogëluar numrin e ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe Irak në 2500 deri në mes të janarit është një shuplakë në fytyrën e aleatëve dhe fuqizon forcat ekstremiste, komenton Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/3lVrK
USA ziehen Truppen aus dem Irak ab
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Talbot

Shpresat që qeveria e paparashikueshme dhe egoiste e Donald Trumpit do të përfundonte me fitoren e qartë të Joe Biden tani u shuan edhe një herë. Edhe për nëntë javë, Presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të ketë në duar çelësat e pushtetit. Dhe ai është i gatshëm të përdorë pushtetin e tij deri në orët e fundit.

Këtë e dëshmon njoftimi i tij për ta zvogëluar praninë e trupave amerikane në Afganistan nga rreth 4500 në 2500 - dhe në Irak nga rreth 3000 në 2500 - deri në 15 janar. Pra vetëm pesë ditë para se të duhet t'i dorëzojë pushtetin pasardhësit të tij, Joe Biden.

Ky vendim i papërgjegjshëm, i nxituar peshon shumë. Së pari, kjo vlen për njerëzit e prekur në të dy vendet.

Luftërat nisën pa ndonjë strategji të mirëmenduar. Për Irakun u tha pretendimi i rremë se ky vend kishte armë të shkatërrimit në masë. Në Afganistan, Shtetet e Bashkuara marshuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Së bashku me NATO-n dhe aleatët e tjerë. Ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA u pozicionua në një konflikt aktiv pa ndonjë strategji të qartë.

Trupat amerikane ofrojnë njëfarë parashikueshmërie

Dekadat e luftërave lanë plagë të thella në të dyja vendet. Shtete të qëndrueshme që mund të mbrojnë qytetarët e tyre nga dhuna nuk ekzistojnë as në Afganistan dhe as në Irak. Situata aktuale është absolutisht e pakënaqshme në shumë mënyra. Nuk ka dyshim për këtë.

E megjithatë prania e trupave amerikane lejon njëfarë  parashikueshmërie. Në Afganistan ato janë një mjet për të ushtruar presion në bisedimet e bllokuara të paqes me Talibanët. Po të tërhiqen amerikanët në mënyrë të parregullt, dera do të hapet për forcat radikale.

Në Irak u pa se sa i erdhi kjo për mbarë IS. Siria është gjithashtu provë se vakumi i pushtetit që krijohet plotësohet nga forca të tjera që ndjekin vetëm interesat e tyre. Kjo është e rrezikshme për komunitetin botëror. Dhe vdekjeprurëse për të gjithë afganët që po luftojnë sot për një shtet demokratik që vlerëson të drejtat e njeriut.

Jo e ardhme për NATO-n

Tërheqja e pakoordinuar e Trumpit është edhe një shuplakë në fytyrën e aleatëve ndërkombëtarë. E para dhe më e rëndësishmja, NATO-ja, e cila pas 11 shtatorit vuri në përdorim klauzolën e mbrojtjes reciproke, për të qëndruar pranë SHBA. Dhe tani është pikërisht Presidenti i SHBA, që thyen rregullin e hekurt: së bashku brenda, së bashku jashtë. Partnerët e NATO-s janë plotësisht të varur nga mbështetja logjistike e SHBA në misionin e tyre në Afganistan.

Unë mendoj se është e drejtë që Donald Trump e detyroi Evropën dhe shprehimisht Gjermaninë, të shpenzojë më shumë para në aleancën e mbrojtjes dhe gjithashtu të zgjerojë aftësitë e saj ushtarake. Por që të shkurtosh në mënyrë drastike pa e zgjatur marrëveshje komplekse siç është prania e përbashkët ushtarake në Afganistan është diçka krejt tjetër. Kur vendi më i rëndësishëm anëtar nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje, aleanca nuk ka të ardhme.

Ines Pohl
Ines Pohl Fotografi: DW/P. Böll

Trashëgimi e vështirë për Joe Biden-in

Trumpi i tërheq trupat kundër këshillës së gjeneralëve të tij dhe liderëve republikanë. Zhbërja e një hapi të tillë do t'i kushtojë Joe Biden shumë fuqi.

E edhe më shumë gjëra mund të ndodhin deri në 20 janar.

Me njoftimin e tërheqjes së parregullt të trupave, nuk ka më asnjë dyshim se Donald Trump është me plotëkuptimin e fjalës i gatshëm të ecë mbi kufoma, për t'i mbajtur në humor të mirë mbështetësit e tij dhe për t'i mbajtur të lidhur pas vetes, edhe përtej këtij mandati.