1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Nuk është strategji vetëm të qetësosh

Eugen Theise
27 Janar 2022

A mund të mbrohet Europa e lirë vetëm me paralajmërime dhe sanksione? Këtë pyetje duhet t'i shtrojë vetes Gjermania, para rrezikut të një sulmi të gjerë rus kundër Ukrainës, kritikon Eugen Theise.

https://p.dw.com/p/462w6
Ukraine | Konflikt in der Ostukraine
Fotografi: Anna Kudriavtseva/REUTERS

E drejta e më të fortit vendoset kundër forcës të së drejtës - kështu e quajti një herë ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel mënyrën si veproi Rusia në Ukrainë në vitin 2014, kur aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe lëvizi fijet në prapaskenë në luftën në Ukrainën lindore, me pasojë mijëra viktima. Ky është çmimi i përgjakshëm që po paguan Ukraina, që kur u shkëput nga Moska.

Gjermania e mbështet Ukrainën në rrugën e saj drejt Europës, si asnjë vend tjetër. Të dyja vendet, sipas ambasadores gjermane të angazhuar në Kiev, Anka Feldhusen i lidh një miqësi e ngushtë. Vetëm për projektet e zhvillimit që nga viti 2014 janë derdhur një gjysmë miliardë euro. Ekspertët gjermanë po shoqërojnë procesin e reformave. Në momente të vështira Gjermania tregohet solidare. Pas shtypjes së dhunshme të protestave proeuropiane në sheshin Majdan në Kiev, aviacioni ushtarak gjerman mori të lënduar për t'i trajtuar në Gjermani, më vonë një numër ushtarësh të plagosur në luftime.

Ukraine | Konflikt in der Ostukraine
Forcat ukrainase në LindjeFotografi: Maksim Levin/REUTERS

Miqësia në sprovë

Por të gjitha këto nuk vlejnë shumë në sytë e ukrainasve, që nga koha, kur më shumë se 100.000 ushtarë rusë të armatosur kanë rrethuar Ukrainën nga tre anë. Ukraina dridhet për sovranitetin e saj. Për të forcuar këtë vend në aspektin mbrojtës,SHBA, Britania e Madhe, por edhe Çekia e vendet balltike po oftrojnë armë mbrojtëse, si raketa mbrojtëse për tanket. Por përballë përmasave të një invazioni të dyshuar rus, këto furnizime janë thjesht simbolike e jo vendimtare në një luftë. E megjithatë ky është një sinjal inkurajues për Kievin. Moskës i tregohet, se Ukraina ka aleatë. E sa më shumë rezistencë të ketë, aq më e lartë do të jetë kostoja politike për Vladimir Putinin. Se çfarë dinamike politike do të vinte në lëvizje një invazion ushtarak i pasuksesshëm dhe me mijëra viktima, këtë e di Moska që nga dështimi në Afganistan në vitet 80-të që dha sinjalin e fundit të Bashkimit Sovjetik.

Por në Berlin thirrjet e Kievit për armë për t'u mbrojtur nuk dëgjohen. Në vend të raketave Gjermania dërgon një spital fushor ushtarak. Pavendosmëria e Berlinit irriton edhe partnerët perëndimorë. Kështu avionët britanikë me armë e municione gjatë rrugës për në Ukrainë mënjanuan hapësirën ajrore gjermane. Në Estoni tundin kokën me mosmiratim për raportimet, sipas të cilave Gjermania i mohon Talinit furnizimin me armatim nga rezervat e vjetra të RDGJ-së. Nga Berlini thuhet, se nuk duhet të shkallëzojmë situatën më tej.

Ukraine | Konflikt in der Ostukraine
Fotografi: Anna Kudriavtseva/REUTERS

Shenjë dobësie

Presidenti rus njeh vetëm të drejtën e më të fortit, siç e përcaktoi me të drejtë kancelarja Merkel në vitin 2014. Atëherë Berlini kërcënoi me sanksione të ashpra, por revizionistët në Kremlin nuk u impresionuan. Tetë vite më vonë, Gadishulli i Krimesë është i pushtuar ende, pjesë lindore të Ukrainës janë nën kontrollin rus.

Kush mbështetet ende në sanksione për të ndalur tanket e gatshëm për luftë në front të gjerë tregon vetëm dobësi. Moskës nuk duhet të'i ketë shpëtuar, që në BE merren ato masa ndëshkuese, pasojat e të cilave nuk dëmtojnë mundësisht askënd brenda komunitetit europian. Më përpara bëhet ujku vegjetarian, mund të thuhet në Kremlin, para se BE-ja me miratimin gjerman të vendosë vërtet sanksione tronditëse po të mendohen 20 miliardë euro investime direkte gjermane në Rusi.

Refreni gjerman është tallje për Ukrainën

Putin nuk do të hapë rrugë. Një Ukrainë demokratike, europiane është rrezik për regjimin e Moskës . Nëse ky vend i lirë një ditë do të rimëkëmbej ekonomikisht, mundet që rusët të dyshojnë gjithnjë e më shumë në regjimin e tyre. Se çfarë ndodh, kur model i suksesshëm shoqëror fqinj duket më i preferuar se modeli yt, Putini e përjetoi si njeri i KGB-së kur RDGJ-ja mori fund.

Gjermania që në vitin 2014 në krah të Ukrainën në luftën për liri sot rezervohet. Refereni se nuk furnizojmë me armë zonat e kriës tingëllon si tallje për ukrainasit. Ata nuk kanë faj, pse vendi i tyre prej tetë vjetësh është rajon krize.

Gesichter Deutschlands Autorengalerie Eugen Theise
Eugen TheiseFotografi: DW

Shumë gjëra bëhen nëse ka vullnet

Por në të vërtetë furnizimet me armë në rajonet e krizës janë të mundura, nëse ka vullnet politik për këtë. Këtë e treguan para 7 vitesh furnizimet gjermane për kurdët në Irak. Ashtu siç ishte e mundur atëherë, të mbështeteshin kurdët në luftë kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik" kështu duhet të jetë e mundur edhe tani, t'i japësh mbështetje me armë një vendi mik që kërcënohet nga një despot i fuqishëm.

Gjermania duhet të ketë mësuar nga historia më e re, se qetësimi kundrejt Moskës është rruga e gabuar. Që në vitin 2008 Ukraina dhe Gjeorgjia që ndodheshin në paradhomën e NATO-s ishin në kërcënimin rus. Ishte Gjermania ajo, që në samitin e Bukureshtit atëherë pengoi një "plan aksion anëtarësimi" për të dy vendet për të mos provokuar Moskën. Putin e përdori këtë shans: Pak muaj më v0në Rusia marshoi në Gjeorgji, dhe në vitin 2014 në Ukrainë.