Opinion: Asnjë detyrim për të vendosur vaksinimin me detyrim
27 Janar 2022Tre orë! Kaq kohë rrallë ka debatuar parlamenti gjerman për një temë. Që nga kjo e kupton, se çështja duhet të jetë shumë e rëndësishme. E çfarë ka më të rëndësishme aktualisht, se sa lufta kundër pandemisë së Coronës? Shumica do të përgjigjen: Asgjë. Prandaj është për t'u vlerësuar, që 736 deputetë të parlamentit i kushtuan kohën e duhur një teme kaq të diskutueshme - si të veprohet me vaksinimin me detyrim? Duhet të ndjekë Gjermania shembullin e Austrisë? Qeveria e koalicionit të SPD-së, Të Gjelbërve e liberalëve edhe pas 50 ditësh në detyrë nuk ka një përgjigje të qartë. Të qartë në kuptimin që në rast të një votimi të ligjit të ketë besim tek mazhoranca e vet. Kritikët e akuzojnë kancelarin, Scholz, se ka dështuar që në sfidën e parë.
Kritikë hipokrite ndaj Scholzit
Por kush e shikon këtë si një dobësi drejtimi të pasuesit të Angela Merkelit, argumenton në mënyrë hipokrie. Sidomos, kur të gjithë janë në të njëjtin bord anijeje, pasi edhe radhët brenda koalicionit nuk janë të bashkuara sa duhet për një temë të tillë kaq emocionale. Kjo prek edhe kristiandemokratët në opozitë. Veç partisë AfD, që e minimizon Coronën, nuk ka parti tjetër që është e një mendimi kur vjen puna për vaksinimin me detyrim. Por mosqenia në një mendje nuk është shenjë e dështimit politik, por shprehje e një reflektimi të kuptueshëm. Në fund të fundit në këtë vendim, thënë pa patos, bëhet fjalë për çështje jete apo vdekjeje.
Gabimi është njerëzor, por edhe mund të të çorientojë
Askush nuk kishte pritur që pandemia do të zgjaste kaq gjatë. Kujtojmë atë premtimin e kaluar, se me zhvillimin e shpejtë të vaksinës kjo monstër do të zhdukej. Ndërkohë bota e di: Ky ishte një gabim fatal. Sepse virusi pëson mutacione të rregullta, dhe vaksina nuk të imunizon për një kohë të gjatë dhe të mbron më dobët se sa pritej. Marshimi i shpejtë i variantit Omikron në botë është shembull për këtë. Para daljes së tij përgjegjësit në politikë nuk e përmendnin vaksinimin me detyrim, as virologu dhe ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach. Edhe kancelari, Olaf Scholz u shndërrua nga kundërshtar në përkrahës të vaksinimit me detyrim. Argumenti që përdorin përkrahësit e vaksinimit me detyrim është, se kuota e vaksinimit është ende e ulët. Por ajo është në regjistrimin e 26 janarit gati 74%.
Komunikim i keq i gjendjes së krizës
Në fillim të pandemisë u tha, se imuniteti i tufës mund të krijohet me vaksinimin e 60-70% të popullsisë. Shifra që me çdo mutacion të ri të virusit u korrigjuan, gjithmonë për lart. Tani flitet për të paktën 90% të kuotës së vaksinimit. Mund të jetë kështu, por shifrat e asaj që duhet të arrihet rregullisht u korrigjuan për lart duke sjellë dyshime masive për menaxhimin e krizës.
Dhe tani? Shifrat e infektimeve vërtet po rriten në nivele rekord çdo ditë, por ecuritë e rënda të sëmundjes po bien, bashkë me të edhe një vlerë e rëndësishme: numri i pacientëve të shtruar me Corona në trajtimin intensiv. Në mesin e dhjetorit 2021 ai ishte 5000 vetë, që atëherë kjo shifër është përgjysmuar. Pse? Sepse Omikron është vërtet më ngjitës, por ndryshe nga variantet paraardhëse është më pak i rrezikshëm.
Shpresat u zhgënjyen
Ndërkohë madje edhe virologu më i njohur gjerman, Christian Drosten i Berliner Charite është i mendimit se duhet të vijë në moment që "virusi të lihet të veprojë", sepse popullsinë nuk mund ta vaksinosh gjithmonë. Ai e thotë këtë në një moment kur vaksinat e lejuara veprojnë shumë më pak kundër Omikron. E megjithatë bëhet shumë reklamë për vaksinën përforcuese. Arsyetimi: Ajo të sjellë ecuri më të lehtë të sëmundjes.
Se kur do të vijë një vaksinë e efektshme kundër variantit dominues nuk dihet. Themeluesi i BioNTech, Ugur Sahin e pret vaksinën nga fundi i marsit. Por në të kaluarën shumë shpesh u zhgënjyen shpresat. Çfarë ndodh, nëse deri atëherë del një mutacion tjetër i Coronës? E sërish do nevojitet një vaksinë e re.
Presioni për vaksinën përforcuese të bën të dyshosh
Miliona njerëz po shohin që dikush në familje, mes miqve është infektuar megjithë vaksinën përforcuese. Dhe me këtë ata kuptojnë, se nuk mund të kesh plotësisht besim në deklaratat që bëhen. Certifikatat e vaksinimit papritur janë vetëm 9 muaj të vlefshme dhe jo 12. Të shëruarit e humbasin statusin pas 3 dhe jo 6 muajve. Të gjitha këto i bëjnë njerëzit të pasigurtë dhe të fillojnë të dyshojnë. Në këtë situatë kaq komplekse nuk është ide e mirë të synosh vaksinimin me detyrim. Sepse në bazë të përvojës deri më tani, askush nuk garanton, që një kuotë më e lartë vaksinimi të çon në fundin e pandemisë. Sepse shumë vetë më mirë do pranonin të paguanin gjoba se të vaksinoheshin me detyrim. Sepse do të fillojë një lumë padish.
Pas debatit të parë në Bundestag, ku nuk u paraqit asnjë draft ligjor, fillon faza e nxhetë. Përkrahësit duan të arrijnë që deri në fund të marsit të vendoset vaksinimi me detyrim. Ata mendojnë se e kanë pas vetes popullsinë e lodhur nga pandemia. Por megjithë padurimin e kuptueshëm ata duhet të ruajnë qetësinë. Një votë mbi bazën emocionale dhe atmosferës momentale nuk do të ishte serioze.
Këtu bëhet fjalë për një vendim të ndërgjegjes. Prandaj qeveria bëri mirë që në debatin e parë nuk paraqiti draft ligjor të sajin dhe e kaloi vendimin tek parlamenti. Duke marrë parasysh pasigurinë e madhe, duhet të thënë, se nuk ka detyrim për një vaksinim me detyrim. Edhe më tej kjo temë mund të lihet vullnetit të lirë të qytetarit.