Opinion: Miq për kokë - Putini dhe Schröderi
2 Maj 2022Në Europë ka luftë. Luftë agresore e Rusisë kundër Ukrainës. Urdhrin e dha Vladimir Putini më 24 shkurt 2022. Pak më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz ishte përpjekur më kot të ndryshonte qëndrimin e sundimtarit në Kremlin. Me vete Putini i dha të ftuarit disa fjalë për mikun e tij më të mirë jashtë Rusisë: gjermanët duhet të jenë mirënjohës për Gerhard Schröderin. Ish-kancelari është një "ekspert i pavarur" dhe një "njeri i drejtë".
Me lëvdata nga goja e një njeriu me gjasë kriminel lufte është mësuar lobiisti i gazit me teserë socialdemokrate. Të dy këta burra kuptohen shkëlqyeshëm prej disa vitesh. Pretendimi i Schröderit se Putini është "një demokrat pa të meta" është legjendar dhe flet më vete. Dy mburravecë i pasojnë njëri-tjetrit lëvdata dhe hedhin rërë në sytë e të tjerëve. Shembulli i fundit: pohimet e Schröderit në intervistë me "New York Times."
Schröder si zëdhënësi personal i Putinit
Ai burrë, të cilit prej dekadash i pëelqen vetja në pozën e atij që të tjerët duhet ta dëgjojnë, ul zërin, kur vjen fjala për mikun e tij Putin. "Ajo që mund t'iu them është se, Putini është i interesuar ta përfundojë luftën. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Ka disa gjëra që duhen të sqarohen." Schröder tingëllon si zëdhënësi personal i ish-agjentit rus. Dikush flet pallavra dhe përpiqet edhe të krijojë përshtypjen, se di më shumë se sa thotë. Kjo është vetëmburrje e një plakushi, që frazat e veta boshe i mban për retorikë të një burri shteti. Në një kohë që Schröderi e humbi shansin të bëhej një "Elder Statesman" si Helmut Schmidt, Richard von Weizsäcker, menjëherë pas humbjes në vitin 2005 kundër Angela Merkelit duke i shërbyer Putinit si portieri që hap derën për marrëveshjet energjitike me Gjermaninë.
Schröder mund të kthehej në shembull
Dëshira për vetinskeim ka qenë një tipar i rëndësishëm i maskilistit Schröder. Etiketat si "shoku i bosëve" ai i ka pas merituar. Politikanit të dikurshëm të majtë, (Schröder ka qenë kryetar i socialistëve të rinj) i ka pëlqyer gjithmonë e i pëlqen të jetë i barabartë me bosët që peshojnë miliona. E kjo nuk është akuzë. Në fund të fundit Schröder ia doli të ngjitet në karrierë nga shtresa e thjeshtë. E parë nga kjo perspektivë ai mund të ishte edhe shembull. Por asnjëherë atij nuk i është shqitur imazhi i një arroganti që i ka hyrë vetja në qejf e që ta shton edhe ajo është vënë re, se ai gjithmonë ka pasur në qendër vetëm veten. E kush e vë veten në epiqendër ka tendencën e mbivlerësimit pamasë.
Marshi gjerman: "një mik, një mik i mirë"
Si me vizitën e tij private tek Putini pas fillimit të luftës. Me sa duket ai besonte vërtet, se do mund të bindte me sukses mikun e tij të ndalonte luftën menjëherë. Ndoshta Schröder ka ëndërruar të merrte edhe çmimin Nobel të Paqes, në rast se do kishte sukses. Por në të vërtetë ai u kthye bisht ndër shalë nga Moska në qytetin e tij, Hanover. Asnjë fjalë nuk u dëgjua për takimin e tij me nxitësin e luftës në Kremlin. Sjellja e Kremlinit të kujton gati tragjikisht një këngë marshi popullore në vitet 30 në Gjermani. "Një mik, një mik i mirë." Kjo këngë në vargun e dytë vazhdon: "Një mik mbetet gjithmonë një mik, edhe nëse bota përmbyset." Kaq larg nuk kanë shkuar punët. Por trupat e Vladimir Putinit që nga 24 shkurti 2022 kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe kanë vrarë mijëra vetë. E për Gerhard Schröderin kjo nuk është aspak arsye për të hequr dorë nga miqësia me Putinin.