1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Lum kush e ka një vizë Shengen në Turqi

5 Shtator 2022

Në BE janë shtuar zërat që turqve të mos u jepen më viza Shengen. Por që tani praktika e dhënies së vizave për turqit është një manifestim i plotë pushteti i vendeve të BE, është i mendimit Erkan Arikan.

https://p.dw.com/p/4GNtS
Istanbul - Visastelle deutsches Generalkonsulat
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Stache

Prej ditësh, jo prej javësh më vijnë mesazhe nga Turqia. Qytetarë turq që rrëfejnë, se ata ose të afërmit nuk e kanë marrë dot një vizë Shengen, megjithëse kanë paraqitur të gjitha dokumentet e kërkuara. Të pashpresë ata më kërkojnë ndihmë.

Në fillim mendoja, ja edhe një tjetër i zemëruar në Turqi për burokracinë gjermane. Por ndërkohë më është bërë e qartë, që pas çdo lajmi të tillë fshihet një fat personal. Mësues që duan të bëjnë një vizitë tek vëllai ose motra në Holandë. Pensionistë që duan të vijnë për dasmën e fëmijëve në Gjermani. Artistë që duan të marrin pjesë në një festival në Itali. Por vetëm në raste të rralla ata marrin miratimin e vizës. Edhe nëse, vetëm për shumë më pak ditë, se sa e kanë kërkuar.

Kuota e refuzimit shumë e lartë

Më e ashpra në procedurën e dhënies së vizave për turqit është Gjermania, raportojnë mediat turke. Këtë e konfirmon edhe Ministria e Jashtme në Berlin: Qytetarët turq marrin aktulisht ndjeshëm më pak viza nga përfaqësitë gjermane në Turqi. Përpara nxirret si arsye kriza e ekonomisë turke dhe brain-drain-i i vazhdueshëm i akademikëve.

Po, është e vërtetë situata në Turqi është aktualisht katastrofike. Me çdo muaj inflacioni kap maja të reja, sipas shifrave zyrtare së fundmi 80%. Edhe numri i të papunëve është në nivele të larta. Dhe të mos harrojmë, se edhe për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga shteti turk, mund të shtohet tek arsyet se pse ka kaq rezervim në dhënien e vizës. Në vendet e BE është e madhe frika që një numër i madh njerëzish me një vizë Shengen do mund të vendosen diku në Europë dhe do t'i kthejnë kurrizin vendlindjes.

Türkei, Ankara | Deutsche Botschaft
Fotografi: Tuncay Yıldırım/DW

Ky shqetësim u ushqye edhe nga zërat, se studentët që erdhën përmes programit Erasmus në Europë, në numër të madh kishin kërkuar azil - për këtë është raportuar gjerësisht në mediat turke. Pasoja: shanset për studentët turq që të pranohen në një program Erasmus kanë zbritur shumë.

Nga zemërimi kalohet në urrejtje

Shumë njerëz në Europë nuk e dinë, se kërkesat për vizën Shengen janë të shtrenjta për standardin turk. Vetëm tarifa e vizës kushton 80 euro. Nëse kjo vizë nuk jepet, paratë janë të humbura. Kësaj i shtohen në shumicën e rasteve kostoja e fluturimit dhe hotelit për udhëtimin e planifikuar, por që nuk mund të kryhet. Vërtet që e drejta për t'u ankimuar ekziston, vetëm nëse kjo ka ndonjëherë sukses e di vetëm Allahu.

Prandaj zemërimi, gati gati urrejtja ndaj vendeve Shengen po rritet: E kuptueshme? Njerëz, të cilët rregullisht kanë qenë shpeshherë në vendet e BE në të shkuarën papritur nuk marrin më vizë. Njerëz, të cilët kanë një profesion të mirë në Turqi, shtëpi e fëmijë, nuk marrin vizë. Njerëz, që megjithë kushtet e vështira në Turqi, do të kthehen sërish në shtëpi, nuk marrin vizë. Pensionistë, "ish-gastarbeiter", që prej vitesh banojnë në shtëpinë e verimit në Turqi dhe nuk kanë më arsye të qëndrojnë më gjatë në Gjermani apo Europë nuk marrin vizë. Këto vendime të konsullatave janë të pakuptueshme!

DW To the Point Deutsch | 03.02.22 | Erkan Erikan
Erkan ErikanFotografi: DW

Diçka duhet të ndryshojë

Rregulloret e dhënies së vizave Shengen duhet të verifikohen urgjentisht. Ata, që kanë marrë viza më parë dhe kanë qenë shpesh në Europë duhet të trajtohen ndryshe nga autoritetet. Edhe ata që janë në pension dhe duan thjesht të jenë në dasmën e fëmijëve apo nipërve e mbesave nuk duhet të kenë pengesa në marrjen e një vize. Po ashtu edhe sipërmarrësit që momentalisht i japin pak shpresë ekonomisë turke dhe duan të udhëtojnë në panaire apo për negociime marrëveshjesh, duhet pa dyshim ta marrin një vizë. Edhe turistët turq të etur për udhëtime pas pandemisë janë një përfitim për turizmin në Europë.

Delet e zeza që duan të qëndrojnë përfundimisht në Europë, në shumicën e rasteve hyjnë edhe ilegalisht në vendin që e kanë si destinacion. Turqit e pafajshëm nuk kanë pse ndëshkohen për politikën e gabuar të vendit të tyre.

 

Erkan Erikan është gazetar dhe drejtues i redaksisë turke të Deutsche Welles