1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Kush ka partnerë të tillë nuk ka nevojë për armiq

17 Nëntor 2020

Hungaria dhe Polonia bllokuan buxhetin e BE, sepse nuk duan që ndihmat të jepen në varësi të respektimit të shtetit ligjor. Në një kohë që një rregullore e tillë duhet të kishte ekzistuar me kohë, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/3lO9A
Kombobild Orban und Kaczynski  (Attila Kisbenedek/Janek SkarzynskiAFP/Getty Images)
Fotografi: Attila Kisbenedek/Janek SkarzynskiAFP/Getty Images

Retorika e përdorur nga Varshava dhe Budapesti është paturpësi. Qeveria polake flet për "skllavërim" nga BE, sepse përzihet në çështjet politike të Polonisë. Kurse kryeministri Viktor Orban shkon më thellë dhe e krahason BE me Bashkimin Sovjetik, sepse ajo e urdhëron vendin e tij se ç'duhet të bëjë. Të dyja vendet pretendojnë, se sa neveri ndjejnë për të kaluarën komuniste, por kur vjen puna tek propaganda ato jetojnë me traditën e vjetër.

Lexoni të paktën marrëveshjet!

Me pretendime të paqëndrueshme Polonia dhe Hungaria argumentojnë veton e tyre kundër klauzolës së re të shtetit ligjor. Në të ardhmen ajo do të duhet të lidhë dhënien e ndihmave nga buxheti europian me respektimin e demokracisë në vend. Më në fund, kështu duhej të thuhej, sepse një rregullore e tillë duhej të ekzistonte prej kohësh. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, që gjithmonë është një hap më përpara në paturpësi krahasuar me homologun polak, pretendon njëkohësisht, se ai ka të drejtën për pagesa nga Brukseli, pavarësisht, se çfarë bën e lë pa bërë në shtëpinë e tij. Edhe në Varshavë i njëjti pretendim.

Brukseli shihet si arkë, ku mund të futësh dorën të marrësh para, me të cilat të joshësh zgjedhësit apo të urtësosh kolegët e partisë për pazare të ndryshme. Polonia si një nga përfitueset me të mëdha të BE ka marrë në periudhën e fundit të buxhetit rreth 11 miliardë euro neto në vit. Kjo vlen edhe për Hungarinë, por në shumë më të vogla.

Të dyja vendet bëjnë sikur me këto fonde nuk lidhen detyrime. Ato duhet të lexojnë njëherë marrëveshjet e anëtarësimit të Bashkimit Europian, që i kanë nënshkruar në vitin 2004. Aty shkruhet që vendet anëtare të BE janë të detyruara të respektojnë parimet demokratike. E ato as nuk janë të paqarta, as të interpretueshme e aq më pak të negociueshme. Sidomos aty bën pjesë pavarësia e drejtësisë dhe liria e shtypit, që që të dyja në Hungari janë të sulmuara prej kohësh. Edhe Polonia vazhdon në këtë rrugë.

BE është vetë fajtore

Me veton kundër buxhetit, BE futet sërish në krizë. Në një kohë që arritja e ujdisë për fondet e Coronës ishte shumë e vështirë. Tani ajo po e pëson nga gabimi i saj, pasi prej kohësh ka ndjekur jo edhe aq e interesuar dhe pa gjetur ndonjë rrugëzgjidhje për ngritjen e strukturave autokratike fillimisht në Hungari, e pastaj në Poloni. Uniformiteti i mediave në Hungari nuk është krijuar brenda natës, por ka kërkuar kohë. Së fundmi Orban po i jep goditjen medias së fundit të pavarur online dhe radiove të lira. Kjo vlen edhe për çmontimin e drejtësisë së pavarur: Periodikisht liria e gjykatësve u kufizua nga ndonjë ligj i ri, derisa qeveria në fund i kishte ata në dorë. Brukseli ka paraqitur disa padi në Gjykatën Europiane, por vetëm kaq. Qeveritë e BE i druheshin konfliktit, dhe kishin frikë të aktivizonin edhe mjetin e dobët që kishin në dorë, të hapnin një procedurë në bazë të nenit 7 të marrëveshjeve.

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*
Barbara Wesel

Pikërisht kristiandemokratët e mbuluan këto vite marrjen e pushtetit nga ana e Orbanit, dhe deri më sot nuk ia kanë dalë të përjashtojnë partinë Fidesz nga radhët e tyre. Partitë Popullore Europiane që dërgojnë paralajmërime tani ndaj Varshavës dhe Budapestit duhen kujtuar njëherë për fajin e tyre.

Kush ka partnerë të tillë...

Pikërisht në krizën e Coronës, Polonia dhe Hungaria marrin peng 25 anëtarët e tjerë të BE, sepse me sa duket do vazhdojnë ta kenë si qëllim shkeljen me këmbë të demokracisë. Një veprim unik, i padëgjuar që tregon se kreu i partisë PiS, Jaroslaw Kaczynski dhe kryeministri Orban janë larguar nga Europa. Një sjellje të tillë do ta prisje në rastin më të keq nga armiqtë. Paratë nga fondet e Coronës nevojiten kaq urgjentisht në vendet jugore. Por të dyja qeveritë nuk i tremben shantazhit, për të financuar edhe më tej me mjetet e BE marrjen e korruptuar të pushtetit. Kush ka partnerë të tillë, nuk ka nevojë për armiq. Ajo që i nevojitet urgjentisht tani Bashkimit Europian është një klauzolë përjashtimi nga BE.