Opinion: Krimet e luftës - vetëm maja e ajsbergut
20 Dhjetor 2020Një ushtar australian mban njërën dorë te koka e një djali të vogël sikur i jep zemër, me dorën tjetër ai i ka vënë në fyt një thikë të mbuluar nga gjaku. Djali tërësisht i trembur qëndron si i ngrirë. Me duart ai ka kapur fort një qengj të vogël. „Mos ki frikë. Ne vijmë të sjellim paqen", shkruhet në anglisht në fund të fotos. Mbishkrim që sikur transmenton edhe fjalët e ushtarit me buzëqeshje tallëse. Tek këmbët e tyre një flamur australian dhe afgan. Kjo pamje që në këtë formë dukshëm është fotomontazh, u postua nga një përfaqësues i qeverisë kineze në twitter dhe i referohet raportimeve për krime lufte të ushtarëve elitë australianë në Afganistan, detaje e të cilave që nga mesi i nëntorit po dalin në dritë dita ditës. Në Pekin, thuhet në mesazh, janë të shokuar për aktet e tmerrshme të ushtrisë australiane dhe e dënojnë këtë ashpërsisht. Canberra reagoi e zemëruar: Kryeministri australian doli madje në një konferencë për shtyp, dhe u shtuan zërat që të dëbohen diplomatë kinezë për të dërguar një sinjal drejt Pekinit. Me të drejtë?
Moral i dyfishtë apo hedhje hi syve?
Ky moral i dyfishtë i Kinës është karakteristik dhe nuk të habit. Pekini akuzohet prej dekadash për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe në të njëjtën kohë para syve të gjithë botës kryen gjenocid ndaj uigurëve. Por nga një regjim autokratik si ai në Kinë nuk pritet gjë tjetër. Më shumë hedhje hi syve bën një qeveri perëndimore si ajo e Australisë, kur bie në grackën e një fushate publicistike kineze dhe heq vëmendjen nga problematika e vërtetë: Kështu jeta e afganëve bëhet top loje për interesat politike, në vend që të tregohet respekti që duhet. Në qendër duhet të jenë njerëzit e prekur, jo lojërat diplomatike me shtete të tjera.
Sigurisht që duhet përshëndetur, që Australia si vendi i parë perëndimor ka pranuar hapur krimet e luftës në Afganistan, dhe kërkon t'i ndjekë ato në rrugë ligjore. Por mund të mendohet, se raportimet e paraqitura deri më tani janë vetëm një pjesë e asaj që ka ndodhur në Afganistan dhe vazhdon të ndodhë.
Terror në "luftë kundër terrorit"?
Australia që dërgoi rreth 26.000 ushtarë në Afganistan ka një kontribut relativisht të vogël në misionin ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO. SHBA me 775.000 ushtarë ka pasur kontigjentin më të madh të trupave në Afganistan. Vendi simbol për Guantanamon dhe Abu Greib. E me këtë vetëm mund të krijohet një lloj përfytyrimi, se çfarë mund të ketë ndodhur me gjasë në Afganistan. Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare, ICC, Fatou Bensouda mbledh prej vitesh informacione për krime të mundshme lufte që janë kryer nga viti 2003 në Afganistan. Përgjigja e SHBA-së ishte - sanksione personale dhe ndalim hyrjeje në SHBA kundër saj. Edhe Gjermania në këtë drejtim nuk ka bërë emër të mirë. Kur koloneli gjerman i Bundeswehrit, Klein në shtator 2009, në Kundus dha urdhrin për të bombarduar dy cisterna furnizuese, humbën jetën 142 civilë. Një duzinë familjarësh afganë kanë ngritur padi pa sukses. Por megjithatë procedura hetimore në fund u mbyll, vetëm javën e shkuar Gjykata Kushtetuese si instanca më e lartë juridike në Gjermani vendosi se nuk ka detyrim t‘u paguhet dëmshpërblim familjarëve. Dhe koloneli Klein u rrit ndërkohë në gradë gjenerali.
Vetëm maja e ajsbergut
Hetimet e Australisë janë vërtet një risi për luftën në Afganistan. Mund të mendohet, që raportimet e fundit janë vetëm maja e ajsbergut e do të duhen shumë vite që të mësojmë përmasat e vërteta, se cilat krime janë kryer në emër të "luftës kundër terrorit”. E ndoshta edhe atëherë shumica e veprave penale nuk do të dalin dot në dritë.
Por nëse qeveritë e perëndimit nuk shprehen me forcë kundër krimeve të luftës, t'i trajtojnë ato me vetëkritikë dhe t'u paguajnë dëmshpërblime familjarëve, atëherë edhe në të ardhmen do të ofrojnë mundësi për sulme nga qeveri autokratike si ajo e Kinës. Kina si fuqi botërore përdor shfrytëzimin ekonomike në vend të misioneve ushtarake. "Zemrat dhe mendjet” mund të fitohen për Pekinin me yuanin më mirë, se me bomba dhe tortura. Nëse perëndimi dëshiron të mbetet i besueshëm dhe të mbajë në dorë vetë kompetencën e përcaktimit, se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, atëherë duhet të jetë vetë në krye me shembull të mirë.