1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Open Balkan: Nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi në Tiranë

22 Dhjetor 2021

Në Tiranë zhvilloi punimet (21.12) samiti i nismës "Open Balkan" me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tre vendet nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi.

https://p.dw.com/p/44frC
PK Open Balkans-Gipfel in Tirana
Fotografi: Albania Premiership Press Office

Samiti i radhës zhvilluar në Tiranë (21.12) i nismës Open Balkan me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u mbyll me nënshkrimin e disa marrëveshjeve: Marrëveshjen që siguron akses të lirë në tregun e punës në tre vendet nënshkruese në kuadër të Open Balkan, atë për identifikimin elektronik të qytetarëve, marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore për kafshët, marrëeshjen për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri, (të njohur me inicialet AEOS) mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe mes Maqedonisë vë Veriut dhe Shqipërisë. Kryeministri shqiptar Rama tha, se zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të fillojë menjëherë pas nënshkrimit.

Në samit mori pjesë përmes një lidhjeje on-line Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë e mirë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ai deklaroi nga Brukseli, se BE mbështet çdo bashkëpunim rajonal. Varhelyi ftoi tre vendet e tjera: Bosnjë - Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën t'i bashkohen nismës së Open Balkan, pasi sipas tij "përfitimi i tyre ekonomik do të ishte shumë i madh”.

Ftesën për t'u përfshirë në nismën e Open Balkan ua drejtoi tre vendeve të rajonit, që nuk i janë bashkuar asaj, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që përsëriti se Open Balkan është ”një nismë gjithëpërfshirëse”.

"Ballkani i hapur është më shumë se një nismë, është një aspiratë. Çdo marrëveshje i afron vendet tona me BE-në, prandaj edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të na bashkohen”, tha kryeministri shqiptar në konferencën që hapi punimet e samitit. "Qëllimi i Open Balkan është zhvillimi i mëtejshëm ekonomik”, theksoi ai. Kryeministri Rama bëri me dije gjatë punimeve të samitit se në vitin që vjen, do të ftohen t'i bashkohen samiteve të nismës Open Balkan edhe vende jashtë rajonit si Greqia, Hungaria dhe Italia.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e vlerësoi nismën” shumë më të madhe se tri vendet”, që i janë bashkuar asaj. "Të lidhin qytetarët tanë me njeri-tjetrin, ata që deri dje kanë menduar më shumë për të shkuarën sesa për të ardhmen. Kjo është një nismë që do të përgatisë të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e quajti nismën e OB, "të hapur për të gjitha vendet e rajonit.” Samiti i rradhës i Open Balkan do të zhvillohet në shkurt 2022 në Shkup.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana