1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ODHIR: Zgjedhje të qeta, partia në pushtet pati avantazhe

26 Prill 2021

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it paraqet vlerësimin paraprak për zgjedhjet parlamentare 2021, në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/3sbjv
Albanien Wahlbeobachter OSCE ODHIR | Urzula Gacek
Fotografi: ODHIR

Kryesuesja e misionit, ambasadorja Urzula Gacek, e vlerësoi procesin zgjedhor në ditën e votimit  në përgjithësi si "transparent dhe të qetë.”

"Besimi në procesin zgjedhor në Shqipëri po rikrijohet. Pas shumë konfliktesh politike, aktorët politikë kryesorë dhe zgjedhësit kanë besim të mjaftueshëm në procesin zgjedhor për të marrë pjesë në të,” theksoi Ambasadorja Urzula Gacek.

Por misioni dënoi tensionin gjatë fushatës elektorale, vrasjen e një personi në Elbasan dhe plagosjen e pesë të tjerëve.

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21
Fotografi: Stringer/AFP

Ajo vuri në dukje që "partia qeverisëse mori shumë avantazhe nga pozicioni i saj, përmes kontrollit në administratën lokale dhe përdorimit  të burimeve qeveritare”

Akuzat për blerjen e votës - shqetësuese

Në vlerësimin paraprak të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë zuri një vend të konsideueshëm ꞔështja e blerjes së votës.

"Gjatë fushatës zgjedhore kemi dëgjuar nga partitë politike akuza për blerjen e votës. Shitblerja e votës është një dukuri e vështirë për t'u zbuluar për shkak të natyrës së saj kriminale. Një varg rastesh dhe pretendimesh para ditës së votimit po hetohen nga Prokuroria Shqiptare dhe ODIHR-i do t'i monitorojë gjithashtu ato. Ndërkohë që SPAK po ndjek 33 raste të tilla.” - tha kryesuesja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, ambasadorja Urzula Gacek.

Sipas vëzhgimeve të këtij misioni gjatë fushatës elektorale "akuzat dhe pretendimet për shitblerje votash nuk kanë pasur ndikim tek besimi i votuesve në procesin zgjedhor, shoqëruar me besimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve të reformuar, në administratën zgjedhore në të gjitha nivelet.”

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21
Fotografi: Gent Shkullaku/AFP

Shitblerjen e votës e quajtën shqetësuese edhe Azay Guliyev, kordinator i posaꞔëm dhe drejtues i vëzhguesve afatshkurtër të misionit të OSBE-së dhe senatori Alexander Pociej, përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, (PACE) .

"Ka akuza, por jo prova, fakte. Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë sesi këto akuza do të trajtohen nga autoritetet dhe do t'i monitorojmë. Shqipëria është në monitorim nga PACE dhe trajtim i nga autoritetet i këtyre akuzave do të jetë pjesë e monitorimit për të zbuluar nëse ato kanë qënë të vërteta apo të rreme,” tha senatori Alexander Pociej.  

Ambasadorja Gacek konsideroi shumë të rëndësishëm reagimin efikas të autoriteteve ndaj pretendimeve të partive politike për shitblerjen e votave sidomos "në zbutjen e perceptimit negativ që votuesit kanë nga kjo dukuri” - tha ajo.

Teknologjitë e reja- rritën besimin tek zgjedhësit

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtare vlerësoi  përdorimin e teknologjive të reja në rritjen e besimit të votuese tek procesi zgjedhor. 

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21
Fotografi: Visar Kryeziu/AP Photo/picture alliance

" Zbatimi i tyre, sidomos për identifikimin e zgjedhësve në të gjithë vendin luajti rol të rëndësishëm në rritjen e besimit në procesin zgjedhor” tha  ne konferencën për shtyp, Ambasadorja Urzula Gacek.

Publikimi i të dhënave personale të votuesve

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë e quajti publikimin e të dhënave personale të votuesve ”shkelje për të cilën autoritetet duhet të hetojnë”.

"Qytetarët duhet të jenë të sigurtë që vota e tyre është dhe mbetet sekrete, Çdo informacion që mund të  zbulojë se për cilën forcë politike apo kandidat do të votojë zgjedhësi është kërcënim për demokracinë dhe votimin normal” tha Alexander Pociej.

Numërimi i votave dhe dalja e rezultatit

"Nuk dëshirojmë të sakrifikojmë transparencën dhe saktësinë e rezutateve për hir të shpejtësisë së daljes së tyre. Për misionin tonë është më e rëndësishme që sistemi të jetë transparent” - theksi ambasadorja Urzula Gacek.

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21
Fotografi: Olsi Shehu/AA/picture alliance

Ajo tha se sistemi është i komplikuar pasi për herë të parë votuesit e Shqipërisë "duhet të votojnë për partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar në listë, gjë që do kohë, kur është fjala për numërim”

Vota e emigrantëve dhe standardet ndërkombëtare

Lidhur me shtimin e masave kufizuese anti Covid-19 për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, që bënë të pamundur votën e emigrantëve më 25 prill, ambasadorja Gacek tha se "shqiptarët jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë, por kufizimet e vendosura prej pandemisë, që janë ndërkombëtare, e vështirësuan këtë proces. Nuk ka një standard ndërkombëtar që vendos detyrime ndaj shtetit për të krijuar kushte/mundësi që ata të kenë mundesi të japin votën e tyre në vendin ku jetojnë dhe punojnë”, theksoi ajo.

Raporti përfundimtar i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it do të dalë në fund të muajit maj.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana