O’Brien: Asociacioni duhet të dërgohetpër shqyrtim
22 Tetor 2024Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien tha në Prishtinë se SHBA-ja pret nga Kosova që projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje të re apo një shtresë tjetër të pushtetit paralel. Por është një mekanizëm për koordinim siç është në disa vende të Evropës. Sipas zyrtarit amerikan, është e rëndësishme që Kosova t'u ofrojë besim qytetarëve në veri se ata mund të ketë një të ardhme.
"Është e rëndësishme që qeveria juaj t'u japë besim qytetarëve në veri që kanë të ardhme këtu si individ dhe si pjesëtarë të komunitetit serb. Një besim i tillë e bën çdo gjë shumë më të lehtë edhe nëse marrim hapa për planifikim, ndërlidhje dhe të mos ketë dhunë. Në fund të fundit ka të bëjë me njerëzit që u besojnë institucioneve”, tha James O'Brien në një intervistë me Kanalin 10 në Prishtinë.
Asociacioni dhe mungesa e koordinimit me qeverinë
"Pra qytetarëve duhet t'u sqarohet se Asociacioni është vetëm një platformë që komunat të shkëmbejnë përvoja, që në Evropë ekzistojnë rreth 400 asociacione të tilla, dhe që në rastin e Kosovës nuk nënkupton një nivel të ri të qeverisjes”, tha O'Bien. Ndaj sipas tij ky Asociacion duhet të dërgohet në Gjykatë për shqyrtim.
Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien gjatë qëndrimit në Prishtinë, takoi për disa orë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai nuk e fshehu që Shtetet e Bashkuara siç tha, "herë pas here kanë mospajtime me qeverinë e Kosovës që lidhen me mungesën e koordinimit.
"Duam të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s. Gjithashtu dëshirojmë të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim i tillë”, tha O'Brien. Sipas tij kryeministri i Kosovës duhet ta kuptojë që është një çast unik, për shkak se përpara ka gjitha ato tranzicione që po ndodhin.
Ndryshimet në BE dhe SHBA
"Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Edhe në SHBA kemi zgjedhje dhe e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha O'Brien. Zyrtari i lartë amerikan i cili ditë më parë vizitoi edhe Serbinë, tha se SHBA-ja "dëshiron që Kosova dhe Serbiat'i zbatojnë plotësisht zotimet e marra me marrëveshjen e një viti më parë”.
"Mendoj se edhe presidenti Vuçiqe sheh si një mundësi që të rritet ekonomia shumë më shumë se tani. Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet të ketë një zgjidhje politike të qëndrueshme për Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit. Kjo është mënyra për të ecur përpara”, tha O'Brien.
Kurti kërkon zbatimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiqit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, vazhdon të insistojë se Serbia duhet ta nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, në mënyrë që të ecet përpara.
"Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, citohet Kurti në një komunikatë të qeverisë. Që Radoiçiq të ndiqet penalisht, e tha edhe zyrtari i lartë amerikan. Sipas tij, ai vëren se Serbia ka ndërmarre veprime për të parandaluar akte të dhunës, në periudhën pas sulmit të Banjskës së 24 shtatorit të vitit të shkuar, kur grupe serbesh të armatosur vranë një polic të Kosovës.
Këtë të enjte i ngarkuari i Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, pret në takim dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Sipas emisarit evropian, "tani është koha për të filluar zbatimin me zell të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritura në shkurt dhe mars të vitit të shkuar.