Obama flet seriozisht me evropianët
26 Prill 2016Ishte një takim i planifikuar brenda një kohe të shkurtër, të cilin e mundësonte një rast i volitshëm: Presidenti i SHBA ishte mysafir në Hannover, qyteti i siguruar nga mijëra policë dhe me të edhe kështjella Herrenhausen, një vend i përshtatshëm për bisedime politike. Kjo krijoi mundësinë që kryeministri britanik David Cameron, Presidenti i Francës, François Hollande dhe kryeministri italian, Matteo Renzi, të marrin rrugën e shkurtër nga Londra, Parisi dhe Roma për t'u ulur në Hannover në një tryezë me Barack Obaman dhe Angela Merkelin. Një shkëmbim mendimesh, zyrtarisht më tepër nuk do të ishte. Jo mini-samit, dhe as takim i G-5. Një konferencë shtypi nuk qe planifikuar, vetëm fotografi dhe xhirime lejoheshin të bëheshin.
Apel i zjarrtë
Kjo në një kohë kur Obama kishte kaq shumë gjëra për t'u thënë kolegëve evropianë. Se çfarë kishte për të thënë konkretisht, këtë ai e la të kuptohet kur mbajti një fjalim në Panairin e Hannoverit, fjalim i cili më i qartë nuk mund të ishte. "Bota ka nevojë për një Evropë të fortë dhe të bashkuar", tha Obama, duke e ditur që Evropa ndodhet aktualisht në një provë zjarri si asnjëherë. Por SHBA kanë nevojë për evropianët, sot më shumë se kurrë më parë. Siria, Iraku, Afganistani, Libia, Ukraina, konflikti me Rusinë - përballë numrit të madh të vatrave të krizës në botë, për SHBA do të ishte një ëndërr e keqe, sikur BE të shpërbëhej.
"Ju mund të keni besim, se aleati dhe miku juaj më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë në krahun tuaj. Sup më sup, tani dhe përgjithmonë", tha Presidenti i SHBA në fjalën e tij. Evropa luan një rol vendimtar në botë, theksoi mysafiri nga SHBA. "Evropa kontribuon që normat dhe rregullat, me të cilat krijohet paqja të ruhen në të gjithë botën." Për shembull, pa bashkëpunimin e ngushtë midis Evropës dhe SHBA nuk do të kishte qenë e mundur Marrëveshja Atomike me Iranin dhe Marrëveshja e Klimës e Parisit.
Më shumë para për mbrojtjen
Midis të tjerash nuk duhet të lejohet që të hiqen kufijë të rinj. "Jo me dhunë ushtarake", tha Obama duke pasur parasysh Ukrainën. "Madhështia e vërtetë nuk tregohet duke i kërcënuar fqinjët", ishte mesazhi drejtuar Rusisë. Presidenti i SHBA kërkoi nga evropianët edhe mbështetje në luftën kundër Shtetit Islamik, për Obaman aktualisht "sfida më e madhe" në botë.
Presidenti i SHBA shpalli në Hannover dërgimin e 250 ushtarëve të tjerë në luftë kundër milicëve terroristë të IS. Ata do të mbështesin grupe në Siri, por nuk do të luftojnë vetë në front. Edhe përsa i përket NATO-s, Obama kërkoi që çdo vend të japë kontributin e plotë prej dy përqind të Produktit Kombëtar Bruto.
Kërkesa, që Obama i kishte formuluar që në bisedë me Angela Merkelin të dielën. Kancelarja i duket atij nga të gjithë evropianët më e përshtatshmja për ta mbajtur të bashkuar Unionin. "Udhëheqja e saj me dorë të qetë - ne mund të mësojmë prej saj, si mund të drejtosh, si mund të drejtosh me duar", tha Obama. "Unë nuk e di si e quani këtë këtu, kur ajo i mbledh duart kështu. Thurrjen Merkel, më duket."
Pas takimit me Obaman, Cameronin, Hollande dhe Renzin, me lutjen e medieve Kancelarja u tregua e gatshme për një deklaratë. Në bazë të saj, në qendër të raundit të bisedimeve, që sipas Merkelit zhvillohet shpesh në këtë përbërje, qenë krizat në politikën botërore. Bëhet fjalë që të diskutohen probleme në politikën e jashtme dhe të koordinohen aksionet. "Çështjet më urgjente të agjendës politike të sigurisë ne duam t'i diskutojmë në dakordim të ngushtë transatlantik", tha Kancelarja dhe shtoi se kjo është në drejtimin "e apelit të sotëm të Presidentit amerikan".
Konkretisht pesë kryetarët e shteteve dhe të qeverive krahas gjendjes në Siri dhe në Irak u morën edhe me tematikën e refugjatëve. Luftimi i shkaqeve të arratisë është i rëndësishëm, marrëveshja me Turqinë duhet zbatuar. "SHBA janë të gatshme që, po qe nevoja, të marrin përgjegjësi në itinerarin e migrimit nga Libia në Itali", tha Kancelarja. Por misioni i BE, "Sophia" në luftë kundër kriminalitetit të trafikantëve para bregdetit libian megjithatë punon "shumë mirë", tha Merkel.