Obama dërgon ushtarë në Siri
2 Maj 2016Jo trupa të rregullta në Siri, kjo ishte dhe mbetet motoja e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama. Megjithatë, këtë javë ai dërgoi 250 ushtarë të tjerë në terren.
"Ata nuk do ta drejtojnë luftën në tokë, por do t'u ofrojnë forcave lokale trajnim dhe mbështetje, për ta sprapsur IS-in", është shprehur Obama.
Strategjia e SHBA-së është: luftën kundër Shtetit Islamik duhet ta zhvillojnë trupat vendase. Por megjithatë është e mundimshme gjetja e luftëtarëve të përshtatshëm. Ushtarët amerikanë në terren do të japin ndihmën e tyre për këtë, deklaroi një zëdhënës i Pentagonit, Peter Cook. Ai tha se plotësimi me ushtarë të rinj do të mbështetet në suksesin që kanë arritur 50 ushtarët e forcave speciale, të dërguar më parë në Siri.
"Ato e kanë përmirësuar pamjen që kemi për fushën e betejës, kanë vendosur kontakte me vendas, me trupa të afta dhe e kanë përmirësuar saktësinë e objektivave tona. Trupat e reja do ta zgjerojnë këtë dhe do të mbështeten në atë që funksionon."
Shpresa është që në këtë mënyrë të sprapset edhe më tej Shteti Islamik. Objektivi është "Rakka", fortifikatë dhe në njëfarë mënyre kryeqyteti i IS-it në Siri. SHBA -ja shpreson të kenë sukses luftëtarët veçanërisht efikasë kurdë. Megjithatë, ato kërkojnë edhe trupa arabe. Scott Mann ka punuar për 18 vjet në trupat speciale të SHBA-së dhe i shpjegoi NPR punën e trupave.
"Puna që bëjnë me të vërtetë shumë prej këtyre tipave është që ata punojnë pranë, me dhe në mes të trupave vendase. Kemi të bëjmë me metodën e vjetër të "Lorencit të Arabisë": një grup i vogël luftëtarësh përzihet në një kulturë lokale, flet gjuhën e vendit, qendron gjatë aty dhe i ndihmon me themel trupat vendase."
Suksese po jo luftë të gjatë
Qëndrimi i qeverisë së SHBA -së është i qartë: ajo dëshiron suksese, por nuk dëshiron të përfshihet në një luftë të gjatë me trupa tokësore. Kjo taktikë e kujdesshme ka kohë që në Uashington shkakton kritika, për shembull te senatori republikan John McCain:"Duket sikur ne jemi gjithmonë një hap pas, një ditë më vonë ose një dollar më pak."
Sipas McCain, dërgimi i 250 ushtarëve shtesë ishte një hap tjetër ngurrues në një rrugë të rrezikshme të shkallëzimit gradual të situatës. McCain është prej kohësh kritik i politikës së jashtme të Presidentit Obama, veçanërisht përsa i përket qendrimit të tij ngurrues në Lindjen e Afërme:
"Ne jemi tërhequr dhe kemi qëndruar të përmbajtur dhe jemi përpjekur të bindim veten, se të gjitha do të rregullohen. Rezultati: në Lindjen e Afërme nuk u krijua ndonjë rend i ri, vetëm kaos."
Kaosi në Siri e bën edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje. Në luftë kundër Shtetit Islamik, amerikanët mbështeten veçanërisht tek kurdët. Këtë, aleati Turqi nuk e shikon me qejf - për t'u shprehur në mënyrë të kujdesshme. Armëpushimi i gjetur me vështirësi në luftën civile siriane thuajse ka marrë fund- gjë që e vështirëson luftën e përbashkët kundër terrorit.