1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Nëpër Shqipëri”: Brezi “call center” e përçarje në shoqëri

Aida Cama
29 Janar 2021

Gazetarja austriake, Franziska Tschinderle ka shkruar një libër për Shqipërinë. Libri me titull “Nëpër Shqipëri”, u mor si bazë në një diskutim online për Shqipërinë me deputetë të Parlamentit Europian.

https://p.dw.com/p/3oXkJ
Franziska Tschinderle - Autorin
Autorja e librit, Franziska TschinderleFotografi: Astrid Knie/Karl Renner Institut

„Në asnjë vend të Europës nuk shkëlqen dielli më shpesh dhe më gjatë se në Shqipëri. E megjithatë në këtë libër nuk do të gjeni Shqipërinë e guidave turisitke e të broshurave promocionale, por do të njiheni me një vend, që është ndër më të varfërit në Europë dhe që ende e ka të vështirë të zbardhë të kaluarën e errët të tij.“ Shkruan Franziska Tschinderle në hyrje të librit të saj “Unterwegs in Albanien” (Nëpër Shqipëri”). Pikërisht për të diskutuar me publikun mbi Shqipërinë ecurinë e saj në këto 30 vjet dhe problemet, eurodeputetët eudeputetët, Viola von Cramon-Taubadel dhe Andreas Schieder dhe autorja kishin ftuar për një diskutim on-line dhe lexim të pjesëve nga libri.

Symbolbild Reiseland Albanien Saranda
Fotografi: Peter Schickert/dpa/picture alliance

Diskutimi i zhvilluar më 27 janar, ditën e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit në hyrje iu kushtua pikërisht kësaj teme, duke u ndalur tek shpëtimi i 26 hebrejve në Shqipëri. Historia dhe rishikimi i saj është një çështje që e ndan shoqërinë shqiptare edhe sot, 30 vjet pas ndryshimeve politike, "të cilat erdhën me vonesë në Shqipëri”, thotë autorja Tschinderle. Shkollat, imazhi historik, monumentet publike, mënyra si trajtohet Lufta e Dytë Botërore janë tema që kanë krijuar përçarje të shoqërisë shqiptare. "Është e vështirë të kuptohen 30 vitet e fundit të Shqipërisë, nëse nuk hedh sytë në shekullin e 20-të”, thotë ajo. Tschinderle, që ka zhvilluar 100 intervista në Shqipëri e fillon librin me figurën e Enver Hoxhës, dhe se si ka ndryshuar ajo 30 vitet e fundit. Ajo lexon pjesë nga libri, një reportazh shkruar nga Blloku. Austriaku socialdemokrat, Andreas Schieder, flet për orientimin amerikan të gjithë vendeve të Ballkanit dhe për Shqipërinë, "ku kjo gjë është në katror”, në krahasim me vendet e tjera.

Mungon rishikimi i historisë

Franziska Tschinderle, që mendon se socialistët në Shqipëri bëjnë politikë të majtë, e pyet eurodeputetin Schieder, çfarë do t'i këshillonte kryeministrit Edi Rama, nëse do t'i duhej të jepte ndonjë këshillë. Schieder, i shmanget pyetjes, duke thënë se "Rama është politikan jo konvencional”. Në Shqipëri, brezi i ri nuk i largohet gjurmëve të familjes, nuk distancohet nga prindërit dhe kjo bën që dualizmi në shoqëri të vazhdojë.

Andreas Schieder
Eurodeputeti socialdemokrat, Andreas SchiederFotografi: Kostadin Delimitov

Edhe politikania e partisë ekologjiste gjermane, Viola von Cramon flet për polarizimin e shoqërisë shqiptare dhe dualizmin e saj. "BE mund të luajë një rol për këtë çështje në Shqipëri,” thotë ajo.

Lidhur me pyetjen a ka ardhur koha për t'u marrë me rishikimin e historisë, Franziska Tschinderle, e cila ka studiuar histori thotë se "gjithnjë ekziston koha për t'u marrë me rishikimin e historisë”.  Duke folur për muzeumet shqiptare, edhe ato që trajtojnë temën e komunizmit, ajo thotë se ato i shërbejnë më shumë "turizmit të errët”, njerëzve që shkojnë të shohin bunkerët. "Ky nuk është rishikim i historisë”, thotë ajo. Në Shqipëri mungojnë vendet e kujtesës, ku njerëzit shkojnë të reflektojnë, mendon autorja e librit, "Nëpër Shqipëri”.

Edhe eurodeputeti Schieder thotë, se Shqipëria nuk është shembulli i mirë për rishikimin e historisë. "Në Ballkan nuk është bërë zbardhja e historisë, thotë ai, dhe këtë e tregojnë shumë mirë shembujt e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku vendet nuk kanë "narrativë të përbashkët”. Sipas tij, shembulli i Maqedonisë së Veriut dhe çështjet e pazgjidhura me Bullgarinë, vend anëtar i BE, e tregojnë më së miri që kjo është pengesë në rrugën drejt BE.

Buchcover - Unterwegs in Albanien von Franziska Tschinderle
Libri i Franziska Tschinderle "Nëpër Shqipëri"

Shembuj të sukesshëm të rikthimit në atdhe

Franziska Tschinderle, kalon në temën tjetër, atë të largimit të shqiptarëve nga vendi duke lexuar pjesë nga libri. Leximi ka të bëjë me historinë e suksesshme të kthimit në atdhe të një migranti, që ka fituar famë duke u bërë kuzhinier. Historia e Bledar Kolës, histori që ngjan me filmat hollivudian të pjatalarësit që bëhet pronar restoranti, tregon për një të ri që pasi mëson profesionin e kuzhinjerit jashtë vendit, kthehet në Shqipëri për "të zbuluar kuzhinën shqiptare”.

Viola von Cramon tregon histori të njerëzve që ajo njeh nga Shqipëria dhe Kosova, që duke pasur nënshtetësinë e një vendi tjetër, kthehen në atdhe për ta ndërtuar atje të ardhmen. Ajo citon njerëz që i kanë treguar se vendet e punës në Kosovë dhe Shqipëri jepen "nga familjet dhe partitë” dhe jo në bazë të aftësive.

Dikush nga publiku shkruan në chat mbi infermierët dhe mjekët që largohen nga Shqipëria për të punuar në Austri apo Gjermani. Kështu që diskutimi kalon tek kjo temë. Franziska Tschinderle thotë, se njerëzit me këto profesione kërkohen me qëllim, për të mbushur boshllëkun që ekziston në Gjermani dhe Austri. Rroga mesatare në këto profesione është 420 euro në Shqipëri, ndërkohë që gjetkë rrogat janë më të larta.

 EU Abgeordnete Viola von Cramon-Taubadel
Viola von Cramon-Taubadel Fotografi: Imago Images/H. Jelinek

Brezi "call center”

Përveç rrogave të ulta, në Shqipëri ekzistojnë dhe kushte të këqija pune, thotë gazetarja austriake. Ajo tregon shembullin e një call center që punon për Vodafon Italia, një kompani që ka 26 milionë abonentë, me volum pune 6 milardë euro, që i paguan punonjësit shqiptarë me 2,60 euro orën. Pagesat në Shqipëri për punonjësit e call center janë dhjetë herë më të ulta se në vendet e BE. "Kjo tregon për moralin e dyfishtë të BE,” thotë Franziska Tschinderle. Viola con Cramon flet për presionin që bëhet për uljen e pagave, dhe kërkon që BE të bëjë diçka që të mos lejojë që Shqipëria të kthehet në treg të punës me kosto të ulët. "Nuk duhet lejuar, thotë ajo, që punëmarrësit në Shqipëri të bëjnë konkurencë me punëmarrësit në Azi.” Ajo mendon se për të luftuar brain drain duhen krijuar perspektiva për njerëzit.

Eurodeputeti Schieder kërkon që programet e BE të përshtaten me problemet që ka vendi. Ai mendon se vendosja e kufijve për pagat minimale europiane do të ndihmohne për të luftuar brain drain. Ai thotë se të gjitha ish-vendet komuniste kanë probleme me kushtet e këqija të punës, "të cilat nuk i kanë përmirësuar”. Ai përmend mungesën e sindikatave, mungesën e sigurimeve shoqërore, mungesën e spitaleve, që të gjitha luajnë rol në pranimin e vendit në BE. "Dimensionet sociale nuk mund të arrihen nga një vend i vetëm. Në arritjen e tyre duhet të luajë rol edhe BE,” thotë ai.

Eurodeputetja von Cramon kërkon që BE të vlerësojë më mirë, në cilat fusha financon projektet në Shqipëri duke patur parasysh rreziqet që shkaktohen nga projektet e hidrocentraleve në lumejtë e virgjër të Shqipërisë.