1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

20 Prill 2023

Qytetarët e Kosovës më së voni nga një janari i vitit 2024, do të mund të udhëtojnë pa viza në cilindo nga shtetet anëtare të Schengenit.

https://p.dw.com/p/4QK0E
Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë së shpejti pa viza në shtetet anëtare të Schengenit
Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë së shpejti pa viza në shtetet anëtare të SchengenitFotografi: Nikolai Sorokin/Zoonar/picture alliance

Në Bruksel u nënshkrua zyrtarisht në mjediset e Parlamentit Evropian akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nëshkrimi zyrtar u bë pas votimit me shumicë votash në Parlamentin Evropian, që shënon edhe hapin e fundit para botimit të vendimit  në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.

Ky është dhe fundi i procesit të liberalizimit të vizavepër Kosovën. Më së voni nga një janari i vitit 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Dëshmi e përkushtimit të BE-së ndaj Kosovës

Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, deputeti holandez Thijs Reuten, tha në një konferencë për media se "ky hap është dëshmi e përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Fakti se qytetarët nga të gjitha vendet fqinje të Kosovës kishin mundësi të udhëtojnë lirshëm për në vendet e Bashkimit Evropian pa viza, përveç Kosovës, ishte i padrejtë dhe i paarsyeshëm dhe është një çlirim i madh që kjo çështje po përmbyllet. Kosova ka punuar shumë fort për përmbushjen e të gjitha kushteve dhe i ka përmbushur ato para shumë vitesh”, tha Reuten.

Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i kushtueshëm dhe burokratik është procesi i pajisjes me vizë
Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i kushtueshëm dhe burokratik është procesi i pajisjes me vizëFotografi: Udo Herrmann/CHROMORANGE/picture alliance

Në ceremoninë e nënshkrimit të  aktit ligjor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha se  liberalizimi i vizave do të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës krahas forcimit të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian.

"Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i kushtueshëm dhe burokratik është procesi i paisjes me vizë. Ishte posaçërisht e rëndë kur pas një procesi të tillë kërkues, qytetarëve u refuzoheshin vizat. Por, vitin tjetër qytetarët tanë nuk do të kenë më nevojë të kalojnë nëpër një proces të tillë”, tha Bislimi. 

Osmani falënderon përmes Twitter-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën, në një postim në Twitter, falënderoi eurodeputetët që ishin zëri më i fuqishëm brenda Bashkimit Evropianpër heqjen e vizave për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,Fotografi: ARMEND NIMANI/AFP

"Për të gjithë eurodeputetët aktualë dhe ish-deputetë që kanë qenë përkrahësit më të vendosur në arritjen e lirisë së vizave për Kosovën: Faleminderit! Faleminderit që jeni zëri i popullit të Kosovës në Parlamentin e BE-së”, shkroi  Presidentja Osmani, në Twitter duke e përmendur Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, Lukas Mandl, Viola von Cramon, Thijs Reuten dhe Ilhan Kyuchyuk.

Kosova ishte dhe vazhdon të jetë edhe për disa muaj, vendi i vetëm në rajonin e  Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk kanë mundur të lëvizin të lirë në zonën Schengen.