1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri një ndër tre gra dhunohet

16 Dhjetor 2010

Shoqëria civile dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri iu bashkuan fushatës botërore të ditëve të aktivizmit për të ndaluar dhunën ndaj gruas. Në qëndër të fushatës është ndërgjegjësimi i gruas për të denoncuar dhunën.

https://p.dw.com/p/QcyA
Fotografi: DW / picture-alliance / Godong

Të dhëna zyrtare nga INSTAT-i ( Instituti i Statistikave) tregojnë se në Shqipëri një ndër tre gra dhunohet. Por edhe kjo shifër tronditëse nuk është reale. Frika për të denoncuar bashkëshortin dhunues, mentaliteti i të pasurit turp nga të qënit e dhunuar bëjnë që në polici numri i denonciomeve të jetë i pakët në raport me rastet reale të dhunës. Shqipëria ofron raste të frikshme të vrasjes nga bashkëshorti dhunues të gruas, që ka guxuar ta denoncojë atë në polici.

Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës" Aleanca Gjinore për Zhvillim", një organizatë kjo mjaft aktive e shoqërisë civile, me seli në Tiranë, tregon për programin shqip të DW, një rast tronditës: “Një grua iu vra në Koplik nga i shoqi dhunues sepse duke përfituar nga ligji kundër dhunës ajo shkoi dhe e denoncoi atë në polici për dhunën që ai ushtronte në familje ndaj saj dhe fëmijëve. Por ajo nuk i shpëtoi dot dhunës ekstreme: kur i shoqi e mori vesh që ajo e kishte denoncuar në polici, ai e vrau atë në sy të fëmijëve.”

Ndërgjegjësim për të mposhtur frikën dhe denoncuar dhunën

Bashkëshorti i dhunshëm dhje vrasës i gruas nga Kopliku vuan tani dënimin në burg. Nga kjo ngjarje tronditëse të gjitha palët kanë nxjerrë mësime: institucionet shtetërore, komuniteti dhe vetë gratë. Këto të fundit kanë nisur të kuptojnë që i mbron ligji “për barazinë ligjore në shoqëri”, që hyri në fuqi para dy vitesh, dhe kanë filluar të kuptojnë që fillimi i fundit të dhunës ndaj tyre është denoncimi në polici.

Irma Baraku, kontrollon zbatimin e ligjit kundër diskriminimit
Irma Baraku, kontrollon zbatimin e ligjit kundër diskriminimitFotografi: DW

Pikërisht ndërgjegjësimi për të mos heshtur para dhunës, është në qëndër të ditëve të sivjetme të aktivizimit për ta ndaluar atë. “Gratë duhet të flasin për fenomenin e dhunës që ushtrohet ndaj tyre, nuk duhet ta lënë që ajo të mbetet e fshehur brenda familjes, brenda pallatit, komunitetit, farefisit. Fushata jonë synoi të ndërgjegjësojë komunitetin, që të mos ndërhyjë negativisht për shkak të mentalitetit dhe traditës por të lërë gratë e dhunuara të bëjnë zgjedhjet e tyre. Situata e dhunës ndaj gruas në familje dëmton ndër të tjera edhe botën e fëmijëve, që janë të pranishëm kur ndaj nënës së tyre ushtrohet dhunë,” thotë Mirela Arqimandriti.

Në mbështetje të ndalimit të dhunës për rastet e denoncuara në Shqipëri funksionon një zinxhir institucionesh: bashkia, policia, gjykata, qëndrat e shërbimit shëndetësor ku një grua e dhunuar merr ndihmën e parë, dhe më tej punonjësit socialë. Të gjitha këto hallka përbëjnë një sistem referimi kombëtar ku përfshihet edhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD- po ndihmon në funksionimin me efikasitet të këtij sistemi.

UNDP dhe sistemi kombëtar i referimit

Ermira Shkurti, është menaxhetre e projektit të PNUD-it për ngritjen dhje funksionimin e sistemit të referimit kombëtar kundër dhunës ndaj gruas në familje. Ajo shpjegon për programin shqip të DW se çfarë është ky sistem. “Është një lloj sistemi që ndihmon institucionet, disiplinat apo profesionet e veçanta t'i adresojnë nevojat e viktimave të dhunës në familje në mënyrë shumë dimensionale, shumë disiplinore pasi ato janë shumë komplekse. Është njëlloj si një i sëmureë që për fat të keq nuk vuan vetëm nga një sëmundje por nga shumë dhe për ta kuruar duhet të bashkëpunojnë disa mjekë të specialiteteve të ndryshme apo të mblidhet një komision mjekësor. Mendoj se vetëm duke komunikuar së bashku institucionet mund t' i përgjigjern më mirë nevojave të qytetarit të dhunuar, cilido qoftë ai: grua, burrë, fëmijë, i moshuar apo person me aftësi të kufizuar. Së bashku mund të bëhet shumë për të ndaluar dhunën.”

Ermira Shkurti, menaxhetre e projektit të PNUD-it
Ermira Shkurti, menaxhetre e projektit të PNUD-itFotografi: DW

Një sistem i ngjashëm si ky i referimit kombëtar, po ngrihet në 14 bashki nga rrjeti i organizatave të shoqërisë civile kundër dhunës dhe trafikimit të gruas. PNUD-i po zhvillon bisedime me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që modeli i sistemit kombëtar të referimit të përhapet në të gjitha njësitë e pushtetit vendor. Këtij qëllimi i shërben plotësimi i ligjit kundër dhunës në familje me mekanizmin e referimit, dalja e akteve nënligjore që tregojnëse çfarë hapash duhet të ndjekin bashkitë për të ndërtuar mekanizmin e referimit.

Sinergjia mes agjensive të Kombeve të Bashkuara të pranishme në Shqipëri, shoqërisë civile, komunitetit, shtetit, policisë dhe sistemit të drejtësisë synon të fitojë çdo ditë betejën për ndalimin e dhunës ndaj gruas. Kjo nuk është e lehtë por nëse ka një betejë që duhet fituar e para ajo është mposhtja e frikës për të folur, për të denoncuar dhunën nga vetë gratë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama