1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Hamburg përfundoi Dialogu i Petersburgut

Christiane Hoffmann11 Shtator 2004

Në forumin e sivjetshëm munguan kancelari Shrëder dhe presidenti Putin

https://p.dw.com/p/ArSK
Logo e Dialogut të Petersburgut
Logo e Dialogut të Petersburgut

Në Hamburg përfundoi Dialogu i Petersburgut, forum ky i inicuar për herë të parë para katër vitesh prej kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe presidentit rus Vlladimir Putin. Për shkak të aktevetë fundit terroriste në Rusi, kësaj radhe në forum munguan si presidenti Putin ashtu dhe kancelari Shrëder.

Ishin bisedime të mira dhe konstruktive gjatë të cilave për dallim prej viteve të mëparshme nuk u tregua me gisht nga problemet reciproke. Kështu lavdërohet rrjedha e dialogut të Petersburgut i cili përfundoi të premten si nga pala ruse ashtu dhe nga ajo gjermane. Tema e sigurisë dhe luftimi i terrorizmit padyshim që ishte në plan të parë.

Dhe këtu u shfaqën edhe dallimet kryesore mes pikëpamjeve ruse dhe gjermane. Bashkimi Evropian dhe me të edhe Gjermania ndjekin një strategji të parandalimit të konflikteve rajonale përmes mjeteve civile, nënvizon Gernot Erler, koordinator i qeverisë federale për bashkëpunimin gjermano-rus:

"Pala ruse është shumë skeptike. Ajo i qëndron më afër konceptit amerikan dhe përgjigjeve të armatosura dhe beson se në rrethana të caktuara edhe sulmet preventive pa sigurimin e të drejtës ndërkombëtare janë të drejta. Këto janë zhvillime tepër serioze dhe mund ta largojnë Rusinë nga Evropa", thotë Gernot Erler.

Dhe pikërisht për shkak të këtyre divergjencave tentohet të thellohen diskutimet dhe së bashku me Këshillin e Evropës të zhvillohet një strategji kundër terrorizmit. Erler mendon se kjo do të jetë një prej temave kyçe e dialogut të Petersburgut edhe në të ardhmen. Një pikë tjetër me rëndësi është edhe forcimi i shoqërisë civile, çka në Gjermani është e lidhur me transparencën shtetërore e cila nuk ekziston në Rusi. Por rusët nuk janë të këtij mendimi. Vetëm dy përqind e popullsisë vlerësojnë se gjendja e të drejtave të njeriut është e keqe, thotë Ella Pamfilova, e ngarkuara e qeverisë ruse me të drejtat e njeriut:

"Këtë temë ju këtu e trajtoni ndryshe. Tek ne njerëzit dhe shoqëria janë të gatshëm që pushtetin dhe çdo kompetencë ti vën në dispozicion. Njerëzit janë të gatshëm që në masë të madhe kufizimet e të drejtave të tyre dhe lirisë t`i sakrifikojnë për më tepër rend", nënvizon Pamfilova.