1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Greqi po shtrohet çështja e falimentimit të vendit - ndryshe ristrukturimit të borxhit

24 Shtator 2010

Në Greqi thellimi i krizës shtron gjithnjë e më me forcë pyetjen nëse do të ketë falimentim të vendit, apo ristrukturim të borxhit. Qeveria greke dhe “troika” e përjashtojnë në mënyrë kategorike. Zërat pro janë shtuar.

https://p.dw.com/p/PKTy
Pamje simbolikeFotografi: DW

Papandreu dhe qeveria e tij gjashtë muaj pas zbatimit rigoroz të memorandumit mund të kenë siguruar votëbesimin e “troikës” dhe vetë Uashingtonit se vendi “është në rrugë të mbarë”, por jo edhe të grekëve që e ndjejnë se po asfiksohen me “kostumin” e ngushtë" që u kanë veshur. Vetë indekset e ekonomisë në recesion -3.7%, papunësi 12% dhe mungesë të plotë investimesh janë të tillë që me sa duket nuk ngjallin optimizëm tek njerëzit, të cilët ende nuk shohin dritë në fund të tunelit.

Kryeministri Papandreu kundër ristrukturimit të borxhit

Në Greqi janë shtuar zërat që e shohin të pashmangshëm falimentimin e vendit, ose ristrukturimin e borxhit, siç thuhet ndryshe, edhe pse “troika” e përgënjeshtron këtë në mënyrë kategorike. Papandreu e sheh këtë si “katastrofë për vendin”.

Griechenland Finanzkrise
Kryeministri grek PapandreuFotografi: AP

“Logjika e ristrukturimit të borxhit, pezullimi pra i pagesave në një moment, do të ishte shkatërrimtare për vendin tonë, për kredibilitetin dhe të ardhmen tonë, me prerje pagash dhe në sektorin privat, rrënimin eventual të sistemit bankar dhe zhvleftësim të tillë të pronave që do të flisnim për tragjedi për çdo familje” deklaroi Papandreu, i cili një eventualitet të tillë e përjashtoi si në Uashington po kështu edhe në Bursën e Nju Jorkut ku ishte i ftuar dhe u drejtoi apel investitorëve të investojnë në ekonominë e vendit të tij.

Shpëtimi tek dalja e Greqisë nga zona e euros?

Por kjo nuk i frenon zërat, kryesisht të spektrit të majtë që shohin falimentim të vendit, ashtu si edhe analistë dhe ekonomistë të famshëm si amerikani Nouriel Roubini. Në vend është ngritur dhe Komisioni i Ekonomistëve dhe Universitarëve që po merr trajtën e një lëvizjeje dhe kërkon pezullim të pagesave dhe dalje nga zona e euros, pasi sipas një studimi të tyre borxhet e Greqisë janë dyfishuar me hyrjen e saj në Bashkimin Monetar Evropian.Kostas Kazaqis është njëri prej 30 nismëtarëve të kësaj lëvizjeje, i cili i pyetur nga DW nëse sheh rikthim të Greqisë në tregjet financiare në vitin 2013, siç pretendon ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu, përgjigjet: “Jo, kjo nuk konfirmohet nga asnjë skenar. Në qoftë se janë kaq të sigurt në vlerësimet dhe parashikimet e tyre, pse nuk paraqesin modelin ekonomik mbi të cilin janë bazuar?” përgjigjet Kazaqis. .

NO FLASH Griechenland Krise Flaggen
Flamuri grek, ai i Bankës Kombëtare dhe BE-së para Bankës Kombëtare Greke në AthinëFotografi: AP

Shifrat ndërkohë janë të pamëshirshme. Në vitin 2014 Greqisë do t'i duhen 70 miliardë euro për kamatat e borxheve dhe 80 miliardë të tjera për obligacionet që skadojnë. A është në këto kushte ristrukturimi një eventualitet apo i pashmangshëm? Ekonomisti Kazaqis thotë se në proces ristrukturimi ndodhemi që tani. Kuotat e larta të kamatave janë hapi i parë i ristrukturimit, vetëm që bëhet me kushte tregu, d.m.th "me Greqinë të izoluar, nën mbikqyrje dhe pa fuqi për të negociuar”, thotë Kazaqis duke sqaruar më tej se Greqia ndodhet në gjendje falimentimi thjesht për faktin se “për të shlyer borxhet e vjetra i duhet të marrë borxhe të reja”.

Alternativa e falimentimit

E keqja për Greqinë filloi që në vitin 1989, kur Greqia filloi të kreditohet për të paguar pagat dhe pensionet. Paaftësia paguese ka qenë gjithnjë holli i falimentimit zyrtar, thotë Kazaqis. Ai e pranon se falimentimi do të jetë i dhimbshëm për Greqinë ashtu siç ka treguar përvoja historike “me katër falimentimet e saj zyrtare” në të shkuarën. “Por do të shpëtonim nga një barrë dhe do të mund të vemë përseri në lëvizje ekonominë”.

Borxhin e madh prej 350 miliardë eurosh është për ekonomistin një “produkt i rrëmujës dhe zhvatjes së vendit nga një oligarki politike dhe ekonomike”. "Akoma sot Eurostat pret që qeveria greke t'i dorëzojë kontratat swaps, kontratat e fshehjes së borxhit, mbi 30 në numër që qeveria e Simitis nënshkroi me Goldman Sachs dhe 18 banka të tjera dhe çuan vendin në këtë gjendje ku ndodhet sot”.

Ministri grek i Financave Papakonstantantinu në një knferencë shtypi
Ministri grek i Financave Papakonstantantinu në një knferencë shtypiFotografi: AP

Falimentimi si e vetmja alternativë përkrahet edhe nga analisti dhe publiçisti i njohur Moisis Licis. “Për mendimin tim, ristrukturimi është i pashmangshëm për faktin e thjeshtë se është e pamundur në këto monente që t'i shërbehet transheve të larta të borxhit të stërmadh grek prej 350 miliardë eurosh. Objektivi i vetë memorandumit është që Greqia të rikreditohet me kushte të favorshme që të mund të shlyejë borxhet” thotë Licis, i cili gjendjen aktuale e konsideron “rreth vicioz” që Brukseli po punon ta menaxhojë me krijimin e një kuadri institucional falimentimi të kontrollueshëm, me konseguenca sigurisht politike si privimi i votës por edhe ekonomike si ndërprerja e subvencioneve, ku mund të përfshihen në të ardhmen edhe vende të tjera se problemi nuk është vetëm grek.

Në ç'masë do të ishte katastrofal falimentimi?

Publicisti Licis vëren se katastrofal një falimentim do të ishte në qoftë se bëhet vetëm me kushtet e kreditorëve, dhe kur privohet mundësia për të negociuar. Licis është i mendimit se Greqia ndodhet në një pozitë të tillë. Por nuk ka zgjidhje tjetër, sipas tij pasi vendi “nuk disponon ind prodhues që të mund të shlyejë në afat borxhin e madh”.

Analisti Moisis Licis
Analisti Dhimitris KazaqisFotografi: DW

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Pol Tomsen theksoi në Greqi se më shumë se borxhi “problemi i Greqisë është mungesa e reformave strukturore” që do t'i jepnin vendit një riorientim të ri ekonomikt. “Problemi bazë i ekonomisë greke nuk është se si do t'i përgjigjet detyrimeve të memorandumit, në qoftë se do të ketë memorandum të dytë pas vitit 2013, siç diskutohet, por përpilimi i një programi afatgjatë që do të vendosë vendin në orbitë zhvillimi”, thekson Licis.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi