1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Gjermani shënohet "Dita e Xhamisë së hapur"

Bahri Cani*
3 Tetor 2023

Këtë të martë, më 3 tetor, shumë xhami dhe objekte të fesë islame kanë hapur dyert për vizitorët. Në ditën e "dyerve të hapura", vizitorët mund të informohen me zhvillimet në këto institucione.

https://p.dw.com/p/4X4IQ
Xhamia Sehitlik në Berlin - salla e brendshme e faljes e bardhë me ornamente blu
Xhamia Sehitlik në BerlinFotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Të martën, me tre tetor, kur Gjermania shënon edhe ditën e ribashkimit të vendit, myslimanët në Gjermani i kanë ftuar të gjithë të interesuarit në "Ditën e Xhamisë së Hapur”, që të vizitojnë objektet dhe institucionet fetare islame. Sipas Këshillit Koordinues të Myslimanëve (KRM), rreth 1000 xhami në mbarë vendin po marrin pjesë edhe një herë në këtë aksion, me qëllim që të interesuarve t'u jepet një pasqyrë e besimit islam dhe që të gjithë t'i ftojë në dialog. "Shkëmbimi është i mundur vetëm përmes njohjes me njëri-tjetrin," thuhet në faqen e internetit të KRM. "Dita e Xhamisë së Hapur” më 3 tetor, ofron mundësinë për të përjetuar diversitetin e jetës myslimane në Gjermani dhe për të thyer keqkuptimet dhe paragjykimet, thuhet në shpjegim.

Xhamia në Manheim -pamje nga lart e ndërtesës me abazhurin me drita
Xhamia në ManheimFotografi: picture-alliance/dpa/R. Wittek

Sivjet motoja e ditës është "Lutja – reflekton, gjallëron, lidh”. "Bota jonë karakterizohet nga qasja e vazhdueshme, nga shkëmbimi i informacioneve dhe bashkëbisedimi e dialogu pa ngarkesa. Lutja u jep besimtarëve hapësirë ​​dhe kohë për reflektim të brendshëm dhe u mundëson atyre të rimendojnë në qetësi", thotë KRM, e cila organizon ditën e përvitshme si organizatë ombrellë e disa shoqatave islamike. Namazi luan një rol qendror në Islam dhe vepron si një lidhje e drejtpërdrejtë midis besimtarit dhe Krijuesit të tij. Përveç vizitave me guidë në xhami dhe ofertave të kuzhinës, shumë komunitete pjesëmarrëse kanë një program mbështetës me leksione, diskutime ose ekspozita.

Traditë dhe organizimi

Xhamia në Këln - brendësia e xhamisë me njerëz
Xhamia në KëlnFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopres/picture alliance

"Dita e Xhamisë së Hapur” shënohet në Gjermani që nga viti 1997. Sipas organizatorëve, festa kombëtare gjermane e ribashkimit të vendit, është zgjedhur qëllimisht si datë për të dërguar pikërisht në këtë ditë një sinjal përkushtimi ndaj shoqërisë shumicë gjermane. Vlerësohet se në Gjermani jetojnë më shumë se 5,5 milionë myslimanë, tre të katërtat e të cilëve janë sunitë. Ka edhe shiitë, alevitë, ahmedianë dhe nëngrupe të tjera.

Numri i xhamive llogaritet në rreth 2800. Këto janë shpesh "xhami në oborrin e shtëpisë" që nuk bien në sy ose dhoma në zona industriale. Që nga vitet 1990, shoqatat islamike kanë ndërtuar gjithnjë e më shumë xhami përfaqësuese me kupola dhe minare, si në Bremen, Mannheim, Duisburg dhe Këln. Xhamia më e madhe është në Këln, ndërsa thirrja e ezanit ndërkohë lejohet në disa dhjetëra vende në mbarë vendin, por duke respektuar rregullat e caktuara.