1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Francë fillon zyrtarisht fushata elektorale

9 Prill 2012

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 22 Prill garojnë tre gra e katër burra. Përveç duelit Sarkozy-Hollande, garon Marine Le Pen nga Fronti Kombëtar dhe kandidati i Frontit të Majtë, Jean-Luc Mélenchon.

https://p.dw.com/p/14Zor
Rivalët Sarkozy-Hollande
Rivalët Sarkozy-HollandeFotografi: picture-alliance/dpa

"Fushata elektorale zyrtare" që fillon tani, nënkupton para së gjithash shumë rregulla: Posterat e zgjedhjeve nuk guxojnë të jenë më të mëdhenj se 594 * 841 mm, dhe ata nuk mund të jenë të shtypur në letër të bardhë në mënyrë që mos të shkaktohet konfuzion me njoftimet zyrtare. Dhe në radio dhe TV të10 kandidatët duhet të kenë në dispozicion kohën e njëjtë dhe vendin e njëjtë të transmetimit. Presidenti në detyrë Nicolas Sarkozy dhe sfiduesi i tij kryesor, socialisti François Hollande mund të thonë po aq sa edhe pesë kandidatët e tjerë që pas dy javësh do të kenë fituar më pak se pesë për qind të votave të përgjithshme.

Kandidatja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen
Kandidatja e së djathtës ekstreme Marine Le PenFotografi: Reuters

Dy kandidatë mund të jenë të sigurt se në këto dy javët e fundit do të jenë në qendër të vëmendjes së fushatës: Jean-Luc Mélenchon dhe Marine Le Pen. Ata mbledhin rreth vetes kryesisht votuesit e pakënaqur - Le Pen nga kampi i djathtë, Mélenchon nga kampi i majtë. Performanca e tyre është vendimtare për zgjedhjet e balotazhit me 6 Maj.

Sulme Sarkozisë

Mélenchon është yll i madh i përbashkët i të Majtës dhe Partisë Komuniste. Tubimet e tij elektorale janë një magnet i turmave - ai shpesh nxjerrë më shumë njerëz në tubime se Sarkozy dhe Hollande. Si për shembull, të enjten në Tuluzë në jug të Francës. 50 000 përkrahës në brohoritje, 20.000 më shumë se në tubimin e socialistit Mitterrand në vitin 1981.

Majtisti Mélenchon sulmon direkt Nikolas Sarkozin: "Unë dua nga ju llogari për fatkeqësinë që po e përhapni dhe koston e injorancës që ju po e përhapni për shkak se keni shkurtuar vendet e mësuesve. Për koston e pacientëve të sëmurë rëndë, të cilët nuk mund të përballojnë me kohë një vizitë tek mjeku, për ata që tani mund të dalin në pension më vonë, për shkatërrimin e gjyqësorit, llogari për këtë shoqëri absurde."

Kandidati i së Majtës, Jean-Luc Melenchon
Kandidati i së Majtës, Jean-Luc MelenchonFotografi: Reuters

E majta marshon

Retorika majtiste po tregohet e sukseshshme, në sondazhet e opinionit Mélenchon shënon ngritje për do javë me nga një pikë përqindjeje. Por kjo nuk e shqetëson shumë Marine Le Pen nga kampi i djathtë ekstrem. Edhe pse në dhjetor ajo renditej në vendin e dytë para Nicolas Sarkozys ndërkohë që sot duhet të garojë me Mélenchon për vendin e tretë: "Unë shpresoj në befasi: sepse këtë duel të paralajmëruar si të pashmangshëm në mes të Sarkozy-s dhe Hollande, këtë nuk e duan shumica e francezëve."

Autorë: Johannes Duchrow / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi