Në fillim të fundit të epidemisë së SIDA-s
23 Korrik 2012Dr. Diane Havlir është optimiste: "Për herë të parë kam një ndjenjë se jemi në fillim të fundit të epidemisë së AIDS-it." Havlir është mjeke në Spitalin e Përgjithshëm të San Franciskos dhe kryetare e Konferencës së 19-të Ndërkombëtare të SIDA-s. Diane Havlir punon prej vitesh bashkë me kolegët e saj për të luftuar infektimet e reja me këtë sëmundje. Ajo thotë se vitet e fundit janë shpikur një sërë barnash, terapish dhe mjekimesh që jo vetëm mund ta zgjasin jetën e pacientëve por edhe ta pengojnë përhapjen e infeksionit me virusin HIV.
Autoritetet amerikane lejuan të hidhet në treg për herë të parë një ilaç, i cili parandalon mundësinë për t'u infektuar me virusin HIV, që shkakton sëmundjen e SIDA-s. Por ilaçi Truvada nuk ofron mbrojtje 100%, mendojnë studiuesit.
Për këtë shkak masat parandaluese do të jenë sërish në qendër të vëmendjes së pjesëmarrësve në konferencën e Sida-s në Uashington. Gjithësesi në grupet e punës do të diskutohet edhe për punën studimore për gjetjen e një vaksine kundër virusit HIV dhe për shërimin e sëmundjes.
AIDS/SIDA është një sëmundje, që dëmton sistemin e imunitetit, duke i bërë njerëzit të dobët dhe të prekshëm nga infeksionet dhe sëmundjet e tjera. Prej kësaj sëmundjeje në radhë të parë janë të prekur homoseksualët, narkomanët dhe prostitutat. Në kohët e vështira financiare për të gjithë botën problem përbën gjetja e mjeteve financiare për të luftuar këtë sëmundje.
Deri tani në botë prej SIDA-s kanë gjetur vdekjen 30 milionë vetë; vetëm gjatë vitit 2011 nga kjo sëmundje kanë gjetur vdekjen 1.7 milionë vetë. Sipas Kombeve te Bashkuara në botë ka 34 milionë vetë të infektuar me virusin HIV/AIDS dhe vetëm 6 milionë prej tyre gëzojnë trajtim mjeksor.
Lufta kundër sëmundjes dhe beteja kundër stigmës
Lufta kundër AIDS-it është gjithashtu dhe një betejë kundër stigmës, një luftë për të drejtat e njeriut në mbarë botën. Fakti që kjo konferencë, e cila zhvillohet çdo dy vjet, por mbahet tani pas 22 vjetësh përsëri në SHBA lidhet me faktin që presidenti Barack Obama e shfuqizoi në vitin 2009 ligjin, që u ndalonte personave te infektuar me HIV në territorin e SHBA.
Obama vetë nuk do të marrë pjesë në konferencë, në vend të tijj ai ka dërguar MPJ Hillari Klinton. Në këtë konferencë do të flasin edhe ish-presidenti Bill Klinton dhe ish-zonja e parë Laura Bush. Mes figurave të tjera pjesëmarrëse renditen presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Ki, si dhe drejtuesi i Microsoftit dhe filantropisti Bill Gates.