Prostitucioni i rrugës në Dortmund
19 Shkurt 2013Mu në mes të një rruge me katër korsi një sorrë çukit e tërheq një copë mishi të shtypur, që me gjasa ka qenë kafshë. Ajo fluturon tej duke krakëllitur, kur i afrohet me shpejtësi një makinë. Ndërtesat përgjatë rrugës janë gri e errët: Shiu i vazhdueshëm, i ftohtë i heq pjesës veriore të qytetit të Dortmundit edhe atë pak bojë që i ka mbetur. Në njërën prej shtëpive, një strehë vorfënore e tejnxehur, jolarg daljes në autostradë, rrinë e vështrojnë si të përhumbur disa burra. Njëri po zhvoshk një banane, në prehe ka një qese plastike.
"Ah, i kemi këtu të gjitha kombësitë", thotë një punonjës i sistemit social, i cili ka veshur një golf që i janë zbehur ngjyrat. Gjermanë, polakë, bullgarë, rumunë. Të tëra, thotë duke mbledhur supet. Romë? Shikon shkurt në sallën e ngrënies të mbushur plot, ku shumica burra dhe disa gra po hanë me pjata plastike, dhe tund kokën në shenjë mohimi. Sot jo. "Më mirë shkoni te pazari." Tregon me kokë drejtimin dhe përshëndet me dorë.
Një grup grash që kanë veshur funde me ngjyra të ndezura, çorape me sandale plastike, dhe që bien në sy në mesin e blerësve të tjerë, sillet nëpër tregun e vogël. Kontrollojnë sutjenat e mëdha, të cilave një shitës iu bën reklamë me "Një euro copa!", qeshin dhe flasin romani, gjuhën e romëve. Gratë marrën nga një rrugë anësore dhe humbasin në një oborr të pasmë. Nëpërmjet ca shkallëve që vijnë era dezinfektues dilet në një magazinë rrobash. Një grua po sheh me kujdes pulovra të ngrohtë dhe pastaj heq këmbët zvarrë deri te një pirg këpucësh paksa të deformuara.
Bullgarëve dhe rumunëve ju mbetet vetëm vetëpunësimi
Në dhomën e punonjëses së sistemit social është ngrohtë. Mbi tryezë ka filxhanë të zbrazët çaji. Romët vijnë relativisht shpesh në magazinën e rrobave, rrëfen punonjësja. Organizata ndërmjetëson punë me një euro ora për të papunët, në mënyrë që këta të rifuten në jetën e punës. "Mirëpo rumunët dhe bullgarët nuk lejohen zyrtarisht të punojnë." Po të lejoheshin, zgjidhej çështja, beson ajo.
Por për shumë prej tyre mbetet vetëm vetëpunësimi, sepse megjithëse Bullgaria dhe Rumania janë vende anëtare të BE-së e kësisoj shtetasit e tyre kanë liri lëvizjeje në BE, ende ka kufizime. Kush vjen në Gjermani si student, si mjek apo si inxhinier, merr leje pune. Por shumë romë në Dortmund rrjedhin nga shtresë e varfër, gati nuk kanë arsim, nuk kanë perspektivë punësimi ose të ardhme në atdheun e tyre. Shpesh për ta mbetet vetëm puna me mëditje dhe prostitucioni.
Prostitucion në ilegalitet
Pak hapa më tutje po leskërohet ngjyra nga shkonjat e mëdha mbi mur, të cilat dikur i bënin reklamë hotel-restorantit "Deutscher Hof". Pas një emri në derë për një shërbim pastrimi nis një korridor me shumë dyer. Nuk mund të them nëse kemi dhoma me qira, thotë një grua që mban në krahë një fëmijë. "Këtë duhet ta vendosë shefja". Ajo shikon gjithë mosbesim.
Një bordel jozyrtar? Ka mundësi. Dirk Becker mbledh supet. Ai është përgjegjës për repartin KK22 të policisë së Dortmundit, prostitucion dhe kontrabandë me njerëz. Bashkë me kolegët ai kontrollon shtëpitë publike të Dortmundit, në të kaluarën kanë kontrolluar edhe prostitucionin e rrugës, derisa ky u mbyll në maj 2011. Deri atëherë Beckeri i njihte gati të gjitha prostitutat, thotë. Pothuajse 90 për qind e grave ishin rumune dhe bullgare, ndër to një pjesë e mirë rome, tregon. Më pas shumë prej tyre u zhvendosën në qytete të tjera, ndofta kanë kaluar edhe në ilegalitet, në prostitucion të ushtruar në banesa, thotë ai. "Ne kemi tani më pak kontakt me gratë", konstaton.