1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Afghanistan nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse

Christoph Hasselbach25 Tetor 2007

Angazhimi në Afganistan kërkon sakrifica të mëdha por NATO-ja duhet ta vazhdojë projektin atje dhe këtu bëjnë pjesë edhe lufta kundër talibanëve dhe Al-Kaidës.

https://p.dw.com/p/Bwbv
Takimi i Noordwijkut nuk solli asnjë gjë vendimtareFotografi: AP

Në Noordwijk të Holandës përfundoi punimet konferenca e ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Amerikanët kërkuan sërish trupa të mëtejshme për Afganistanin, gjë për të cilën disa vende edhe premtuan se do t'i vënë në dispozicion. Por ky takim nuk solli ndonjë gjë vendimtare.

Shumë qeveri të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa nuk mund t'i dëgjojnë më këto kërkesa, sepse thuajse që prej fillimit të misionit të NATO-s në Afganistan amerikanët kërkojnë edhe më tepër angazhim ushtarak. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer ka vite që shkon në kryeqytetet e ndryshme të Evropës për të lypur më tepër ushtarë, helikopterë apo avionë transporti, por në shumicën e rasteve ai detyrohet të ngopet me lugë zbrazur.

Qeveria gjermane më në fund u bind që krahas angazhimit të gjërë gjerman në Afganistan të dërgonte edhe avionë zbulimi të tipit tornado. Por ajo nuk është e gatshme të dërgojë ushtarë në juh të vendit, zonë ku zhvillohen luftime. Për shkak të qëndrimit skeptik të opioninit të gjërë gjerman dhe konstelacioneve politike në Berlin një gjë e tillë është e pamundur.

Tani gatishmërinë për të dërguar trupa shtesë e shprehën disa shtete anëtare të NATO-s, por ende nuk dihet nëse ato do t'i vënë vërtet në dispozicion këto trupa.

Interesante megjithatë është se kërkesat tani kanë një karakter tjetër. Si De Hoop Scheffer edhe presidenti afgan Hamid Karsai i kushtojnë më tepër rëndësi shkollimit dhe trajnimit të ushtrisë afgane. Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s synimi final është që Afganistani të ecë me këmbët e veta. Në këtë drejtim ministri gjerman i mbrojtjes Jung premtoi në Noordwijk trefishimin e masave për trajnimet dhe shkollimin e ushtrisë afgane.

Afganistani duhet të ecë me këmbët e veta

Ky qëllim duhet të jetë në fakt edhe baza e të gjithë angazhimit ushtarak të NATO-s në këtë vend. Por një gjë e tillë, të cilën në fakt e dinë të gjithë, kishte kohë që ishte harruar. Opinioni i gjërë në Evropë nuk është skeptik ndaj misionit në Afganistan vetëm për shkak të ushtarëve të vrarë, por edhe sepse dyshon se angazhimi atje është si një fuçi pa fund.

Po kur do të jetë Afganistani në gjendje që të mbështetet dhe të ecë me këmbët e veta? Asnjë ushtarak nuk do të ishte sot aq i marrë, sa të caktonte ndonjë datë, ndërkohë që shumë vëzhgues thonë se kjo ditë nuk do të vijë kurrë. Sidoqoftë sipas të gjitha shenjave trupave të NATO-s do t'u duhet të qëndrojnë edhe për shumë vjet, e madje dhjetëvjeçarë në Hindukush. Nga ana tjetër NATO-s nuk i mbetet rrugëzgjidhje tjetër. Harxhim jetësh dhe parash? E vërtetë, angazhimi në Afganistan kërkon sakrifica të mëdha dhe çdo ushtar i vrarë, është një i vrarë më tepër. Po si do të shkonin punët në rast se Afganistani do të binte sërish në duart e islamistëve? Në një rast të tillë mund të thuhej me të drejtë se i gjithë angazhimi ishte i kotë.

NATO-ja duhet ta vazhdojë projektin në Afghanistan dhe këtu bëjnë pjesë edhe lufta kundër talibanëve dhe Al-Kaidës, edhe pse për një gjë të tillë në Gjermani heshtet. Por Uashingtoni me sa duket e ka marrë tani vesh se vendimtar nuk është numri i topave. E nevojshme është një strategji gjithëpërfshirëse, në të cilën bëjnë pjesë jo vetëm luftimi i talibanëve por edhe ndërtimi i vendit dhe shkollimi i trupave afgane të ushtrisë dhe të sigurimit. Në Irak një gjë e tillë u kuptua ndoshta me vonesë. Por në Afganistan NATO-ja duhet ta mbajë parasysh këtë mësim.