1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nuk mund të vritet një grua kështu!" Ekspozitë e femrave piktore në Tiranë

Arben Muka25 Prill 2005

Vëmendjen e artdashësve në Tiranë po e tërheq këto ditë një ekspozitë krejt e veçantë me punime të 30 piktorëve femra nga Shqipëria dhe Kosova. Nën titullin domethënës: "Nuk mund të vritet nje grua kështu", ekspozita jep mesazhe për një kujdes më të madh për gruan në shoqëri, si një lloj amortizimi ndaj fenomeneve të maskilitetit që vihet re në ambientin shqiptar, ndaj dhunës në familje, shfrytëzimit, përbuzjes dhe ndaj shfrytëzimit për qëllime prostitucioni

https://p.dw.com/p/AsI5


Në Galerinë e Arteve në Tiranë po tërheq vëmendjen një ekspozitë e veçantë. Autorë janë 30 piktore femra nga të dyja anët e kufirit, nga Shqipëria dhe Kosova. Ekspozita është pjese e projektit "My changes" që organizohet për të tretin vit radhazi. Këtë herë organizatorët kanë përzgjedhur si sllogan kryesor "Nuk mund të vritet një grua kështu!". Një formulim me mjaft nëntekste të njohura për realitetin shqiptar. Krijueset nga Shqipëria dhe Kosova janë shprehur për të shprehur nëpërmjet penelit, emocionin, gjurmën apo mbresën, për të përditshmen e një femre në komunitet. si të thuash perceptime dhe këndvështrime nga më të larmishmet nga realieti ditor i ngritur në art.

"Kam paraqitur gruan brenda derës, brenda derës së shtëpisë, brenda vrimës së çelësit. Në një kohë që vetë ajo grua është çelësi i kësaj dere.Ky është pretendimi i çdo gruaje, e cila është pjesë dhe baza e kësaj shoqërie dhe për të hapur këtë derë është çelësi pas saj."

Kuratorja e ekspozitës, Suzana Varvarica, thotë se nga organizatorët u bë një përpjekje për t'u përfshirë sa më shumë krijuese në këtë eveniment kulturor, si një shenjë e amplifikimit të mesazheve, që do të përcjellë ekspozita për vizitorët. Pas përcaktimit të konceptit ideor "Nuk mund të vritet një grua kështu!" ne ftuam për pjesëmarrje rreth 300 piktore nga Shqipëria dhe Kosova. Në këtë projekt morën pjesë 42 gra. Ndërsa të ekspozura janë 30 nga ato.
Këto lloj aktivitetesh, thekson Suzana Varvarica, kanë për qëllim të ftojnë krijimtarinë, e cila do të seleksionohet në përshtatje me konceptin që do të ndërtohet.

"My changes" synon të krijojë një format aktiviteti kulturor, krejt të veçantë dhe atraktiv për artdashësit duke stimuluar një plan të gjerë krijimtarie nga ato klasike deri tek ato alternative, ku bashkëjetojnë ide dhe performanca nga më të larmishmet.