1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka kufi për luftëtarët fundamentalistë

Anne Allmelling/ Auron Dodi2 Shtator 2014

Në Siri e Irak ka edhe të rinj nga Gjermania, që luftojnë për organizatën terroriste "Shteti Islamik". Kufijtë e hapur ua lehtësojnë hyrjen dhe daljen. Një koncept për trajtimin e të kthyerve nga lufta deri tani mungon.

https://p.dw.com/p/1D52Y
Luftetare te IS ne Irak
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai është i ri, ka rrënjë turke dhe rritet në Hamburg: një i ri fare normal nga një metropol i Gjermanisë së Veriut. Por pastaj, tregon politikania komunale Gülnur Can, djali i ri vendos kontakt me salafistët dhe nis të ndryshojë. "Gjithçka nisi në mënyrë krejt të padëmshme", kujtohet Can. Prandaj edhe familja reagoi me shumë vonesë për faktin se ku qarkullonte biri i saj. "Ai nisi të kritikojë stilin e veshjes të të motrave dhe u përpoq t'i mësonte ato si të visheshin. Papritur, ai e akuzoi familjen e tij si jo besimtare, dhe se ajo ulet para televizorit dhe vështron si vriten myslimanë të tjerë të pafajshëm."

Në një kohë kur pjesa tjetër e familjes është me pushime, i riu niset për t'u bashkuar me islamistët në Lindjen e Afërme. Ai nuk është në asnjë mënyrë i vetmi që ndjek propagandën e radikalëve: vetëm nga Gjermania, në Siri dhe në Irak janë nisur tashmë 400 të rinj për në Siri dhe në Irak, për të luftuar për "Shtetin Islamik" dhe grupime të tjera islamike. Në bazë të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, pesë xhihadistë nga Gjermania kanë kryer atentate vetëvrasëse në Siri dhe në Irak. Për të arritur në rajonet ku luftohet, të paktën një pjesë e të rinjve ka marrë rrugën për në Turqi.

Kontrolle të dobëta në kufi

Vërtet që qeveria turke betohet, që kufiri me Sirinë është i mbyllur. Por herë pas here ndodh, që njerëz dhe automjete janë në gjendje të kalojnë pa pengesë nga një anë në tjetrën. Edhe armë dhe municion besohet se trafikohen. Kufiri shtrihet në gjithsej 900 km, pjesërisht edhe nëpër territor gati të pakalueshëm. Refugjatët sirianë përfitojnë nga kjo, por edhe kriminelët. Qeveria turke e kundërshton me vendosmëri kritikën se mbështet milicinë terroriste "Shteti Islamik" ose ekstremistë të tjerë. Megjithatë ajo ka zgjuar dyshimet e partnerëve perëndimorë.

Për autoritetet gjermane, kufijtë jo të mbyllur janë një problem i dyfishtë. Sepse ato nuk i pengojnë të rinjtë të depërtojnë në rajonet e luftimeve dhe të bashkohen me grupet terroriste. Por edhe sepse luftëtarët fundamentalistë mund të kthehen pa probleme të mëdha në Gjermani, për shembull nëpërmjet Turqisë.

Luftëtare të organizatës terroriste "Shteti Islamik"
Luftëtare të organizatës terroriste "Shteti Islamik"Fotografi: picture-alliance/AP Photo

"Askush nuk vjen nga Siria direkt në Bremen", i thotë senatori për punët e brendshme i Bremenit, Ulrich Mäurer Nordwestradio. "Të rinjtë shkojnë në Turqi. Mund të mendosh se ata shkojnë me pushime dhe pastaj ata kalojnë kufirin. Ata kthehen pastaj nga vendet të tjera sërish në Frankfurt dhe pastaj i sheh dikur sërish në Bremen."

Dhe persona me nënshtetësi gjermane nuk lejohet të kthehen pas në kufi. Për t'u penguar islamistëve nga bota e jashtme hyrjen në vend është tepër e vështirë. Kësaj i shtohet fakti që është shumë e vështirë të kontrollohet, nëse një person që kthehet ka marrë me të vërtetë pjesë në aktet mizore të islamistëve. Prandaj persona të dyshuar si luftëtarë fundamentalistë vëzhgohen në Gjermani nga policia dhe mbrojtja kushtetuese. "Kjo kërkon shumë personel, por unë nuk shoh alternativë ndaj kësaj."