080911 Berlin Terror
9 Shtator 2011Policia e Berlinit ia ka dalë të enjten të mënjanojë një atentat të mundshëm. Ajo ka arrestuar dy persona të dyshuar si terroristë islamikë. Një 24-vjeçar gjerman me origjinë libaneze dyshohet se ka planifikuar së bashku me një bashkëpunëtor 28-vjeçar nga Rripi i Gazës një sulm me bombë dhe kanë porositur për këtë arsye kimikate. Hetimi nga policia dhe prokuroria ka kohë që vazhdon, pohoi një zëdhënës i policisë. Ekziston dyshimi për përgatitjen e një krimi të rëndë. Akoma është e paqartë, nëse kjo ka lidhje me vizitën e ardhshme të papës në Berlin, apo me dhjetëvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Gjermani i arrestuar konsiderohet si i dyshuari kryesor. Ai kishte porositur qysh para disa muajsh një sasi të madhe qesesh me xhel ftohës, informon gazeta "Tagesspiegel". Përbërja e xhelit së bashku me një acid të veçantë është shumë shpërthyese.
Substancat u porositën përmes internetit
Zëdhënësi i policisë së Berlinit Thomas Neuendorf pohoi: "Bëhet fjalë për substanca kimike, të cilat janë porositur përmes internetit. Me to mund të prodhohen lëndë shpërthyese. Të dhëna të sakta për lëndët nuk duam të japim." Njësitë e policisë bënë sipas të dhënave të zëdhënësit të saj kontrolle në banesat e të akuzuarve në lagjet Kreuzberg dhe Neukölln si dhe në një xhami në lagjen e Berlinit, Wedding. Sipas prokurorisë dy të arrestuarit kanë qëndruar shumë në këtë xhami e madje edhe kanë fjetur atje. Gjithsesi, sipas policisë nuk po zhvillohen hetime ndaj Shoqatës Kulturore Islame. Zëdhënësi i policisë së Berlinit Thomas Neuendorf tha: "Shoqata Kulturore Islame nuk bën pjesë ndër të akuzuarit në këtë proces. Por meqë të dy personat kanë qëndruar në ambientet e saj, policia ka kontrolluar edhe ndërtesën e kësaj shoqate."
Gjendja e sigurisë pa ndryshim thelbësor
Sipas mendimit të politikanit të CDU-së Wolfgang Bosbach pas këtyre arrestimeve gjendja e sigurisë në Gjermani nuk ka ndryshuar në mënyrë themelore: "Që prej vitit 2001 ne kemi gjetur masën e duhur mes vëmendjes dhe çlirshmërisë. Ne i kemi shtuar ndjeshëm përpjekjet në luftë kundër terrorit - kjo vlen si për masat ligjore, edhe për vendimet organizative , si p.sh. qendra e përbashkët e mbrotjes kundër terrorit në Berlin-Treptow. Pra vigjilencë, por jo panik. Dhe kjo vlen edhe pas arrestimeve të sotme. Prej tyre nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor të gjendjes së sigurisë në vend."
Autor: Angjelina Verbica / Pandeli Pani
Redaktoi: Elert Ajazaj