NSA së shpejti me një shef të ri, vizita e parë në Mynih
31 Janar 2014Arsyeja e ndryshimin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) nuk është skandali i përgjimeve, por dalja së shpejti në pension e shefit të deritanishëm Keith Alexander. Michael Rogers do të marrë postin në mars. Ashtu si paraardhësi i tij në detyrë, Rogers krahas postit të shefit të NSA-së do të drejtojë edhe "Cyber Command", komandën speciale të forcave të armatosura për strategjinë e luftës digjitale. Këtë detyrë deri tani ai e ka kryer për marinën. Emërimi i 53-vjeçarit duhet të miratohet edhe nga Senati.
NSA është në qendër të artikujve kritikë të shtypit, qëkurse ish punonjësi i saj Edward Snowden filloi të bënte publike dokumente të brendshëm të shërbimit sekret në qershor 2013. Ato dëshmojnë se autoritetet e spiunazhit kanë mbledhur miliona të dhëna telefonatash në të gjithë botën, kanë lexuar postën elektronike dhe kanë përgjuar politikanë të lartë, ndër të tjerë edhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Këto përgjime kanë shkaktuar indinjatë të fortë edhe tek aleatët e SHBA. Megjithatë nuk pritet që Rogers të ndërmarrë ndryshime të thella të menjëhershme.
Presidenti i SHBA Barack Obama reagoi ndaj indinjatës brenda dhe jashtë vendit me një rishqyrtim të punës së shërbimeve sekrete. Një komision i pavarur paraqiti në dhjetor më shumë se 40 propozime për reforma, të cilat Presidenti do t'i zbatojë vetëm pjesërisht.
Ministri i Mbrojtjes i SHBA Chuck Hagel foli për një kohë kritike për NSA. Ai shprehu megjithatë bindjen se "admirali Rogers dispozonon zgjuarsinë e nevojshme për të gjetur një ekuilibër mes kërkesave për siguri, mbrojtje të të dhënave dhe liri, në epokën tonë digjitale".
Rogers prej kohësh konsiderohej kandidati i favorizuar për pasuesin e Keith Alexander. Ai ka pas një karrierë 30-vjeçare në ushtrinë e SHBA dhe konsiderohet specialist në fushën e sigurisë informatike. Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe një komision ekspertësh i angazhuar nga Obama për vlerësimin e punës së NSA, kishin propozuar një civil në krye të NSA-së.