Një shqiptar vritet në Mitrovicë
8 Prill 2012Një bombë vrau një shqiptar të Kosovës dhe plagosi të shoqen sot (08.04.) në Mitrovicë, e cila njihet si qendër tensionesh etnike midis shqiptarëve dhe serbëve.
38 vjeçarin e vranë në orët e para të ditës së sotme me një bombë të vendosur jashtë apartamentit tek Tri Rrokaqejt, një zonë në Mitrovicën e veriut të kontrolluar nga serbët, ku jetojnë pak familje shqiptare. Anëtarët e familjes së tij, gruaja dhe katër fëmijët po mjekohen në spital për plagë të vogla.
"Një lëndë eksplozive u vendos dhe u aktivizua në dritaren e katit përdhes të familjes Haradinaj" tha policia në një deklaratë për medie. Deri tani nuk është arrestuar askush dhe nuk dihen motivet e aktit.
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë shtuar javët e fundit, pas planeve të Beogradit për ta përfshirë Kosovën në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale muajin e ardhshëm.
Autor:rtr/aud
Redaktoi: Esat Ahmeti