1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një seri defektesh para procesit ndaj NSU-së

Anja Fähnle / Esat Ahmeti5 Maj 2013

42 për qind e gjermanëve besojnë se procesi gjyqësor për vrasjet neo-naziste mund të përmirësojë reputacionin e Gjermanisë në botë.

https://p.dw.com/p/18SKI
Fotografi: DW/M. Lejeune

Në fakt, procesi kundër së dyshuarës si terroriste e djathtë, Beate Zschäpe, dhe katër mbështetësve të grupit terrorist "Ilgaliteti Nacionalsocialist" (NSU) duhej të fillonte më 17 prill. Zschäpe duhet të përgjigjet si anëtarja e vetme që ka mbetur në jetë e trios së supozuar terroriste për vrasjen e dhjetë migrantëve në mes të viteve 200 dhe 2007.

Ky është një nga proceset më të mëdha terroriste gjermane dhe një proces që ka zgjuar interesim në mbarë botën. Interesimi filloi pikërisht me ndarjen e vendeve të pakta për përfaqësuesit e shtypit në sallën e gjyqit. Vetëm 50 gazetarët e parë që kishin dorëzuar kërkesën për akreditim siguruan vendet e rezerevuara për shtypin në sallën e gjyqit në Mynih, të tjerët mbeten duarbosh.

Shumë zhurmë për ndarjen e vendeve

Fillimisht asnjë nga mediat turke nuk arriti të sigurojë ndonjë vend për përcjelljen e procesit gjyqësor. Megjitahët ato kanë një interes të veçantë për të marrë pjesë në proces, pasi që tetë prej viktimave të vrasjeve kishin origjinë turke. Gjykata ka pasur probleme me rolin e publikut dhe sidomos me publikun turk dhe nuk e ka trajtuar atë me sensibilitetin e mjaftueshëm, e pranon ish nënpresidenti i Gjykatës Federale Kushtetuese Winfried Hassemer. "Një proces i tillë nuk zhvillohet çdo ditë", tha Hassemer në një intervistë për DW.

Në foto, Winfried Hassemer
Në foto, Winfried HassemerFotografi: Imago

Gazeta turke "Sabah" përfundimisht u ankua në Gjykatën Kushtetuese për ndarjen e diskutueshme të vendeve në sallën e gjyqit duke kërkuar rezervimin e një numri të caktuar të vendeve për mediat e huaja, veçanërisht për ato turke. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë gazetës dhe vendet e shtypit duhej të ricaktoheshin. Pak ditë para fillimit të planifikuar të procesit më 17 Prill 2013, gjykata vendosi të bëjë rindarjen e vendeve për mediat dhe atë me një procedurë të ndërlikuar shorti. Procesi prandaj duhej të shtyhej për tre javë.

"Si një shuplakë në fytyrë"

Për këtë, familjarët e viktimave të NSU-së dhe avokatët e tyre fillimisht mësuan nga mediat. Vetëm 40 minuta më vonë, një faks i Gjykatës së Lartë të Mynihut kishte ardhur si konfirmim, i tha Deutsche Welle-s, avokati Sebastian Scharmer. Ai në proces përfaqëson Gamze Kubasikun, vajzën e viktimës Mehmet Kubasik. Klientja e tij ishte e tronditur dhe e mërzitur: "Ajo u shtang dhe më duhet të them, ajo ishte madje e zemëruar, sidomos për shkak se ne për këtë mësuam së pari nga mediat."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Politologu Hajo Funke tregon mirëkuptim për reagimin e pjestarëve të familjeve të viktimave: "Për familjet e viktimave është e vështirë sepse ata për më shumë se dhjetë vjet nuk janë marrë seriozisht dhe kundër tyre është hetuar me metoda pjesërisht shumë të vrazhda."

Funke: "Unë besoj në sundimin e ligjit"

Rrëmuja tjetër tani është shkaktuar nga mënyra e akreditimit me short për gazetarët. Mediat fillimisht u ndanë në grupe të ndryshme dhe nën-kategori. Kanë qenë mbi 300 aplikacione për 50 vende. Të hënën e kaluar (29.04.2013) një noter ishte i pranishëm gjatë hedhjes së shortit.

Pastaj ndodhi shkelja e radhës: gjatë hedhjes së shortit u tërhoq emri i një gazetari i cili kishte tërhequr më parë me shkrim akreditimin e tij. Disa ditë më vonë u desh të hidhet një short i ri për ndarjen e këtij vendi. Politologu nga Berlini Funke megjithatë bëri thirrje për të mos mbivlerëusar serinë e defekteve: "Bëhet fjalë për kokëfortësinë, pandjeshmërinë dhe mospërputhjet në rrjedhën burokratike, disa nuk e dinin se çfarë kishin përgatitur të tjerët, diçka e tillë ndodh." Megjithatë, ai beson në sundimin e ligjit.

Në foto, Hajo Funke
Në foto, Hajo FunkeFotografi: picture-alliance/dpa

Kritika ka edhe mbi rrjedhën e procesit të planifikuar. Deri tani janë ftuar më shumë se 600 dëshmitarë. Për marrjen e tyre në pyetje janë ndarë nga vetëm 45 minuta. Kjo është shumë pak, mendon Hajo Funke.

Të hënën në Mynih pritet të fillojë procesi gjyqësor kundër grupit NSU. Pritjet e popullsisë gjermane nga ky proces janë të larta. 42 për qind e gjermanëve thanë në një sondazh për revistën "Stern", se procesi gjyqësor për vrasjet neo-naziste mund të përmirësojë reputacionin e Gjermanisë në botë.