1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hesen: Makina mësyn me shpejtësi në masën e karnavalistëve

24 Shkurt 2020

Në Volkmarsen në veri të landit të Hesenit një person që ngiste makinën është përplasur qëllimisht me masën e njerëzve gjatë procesionit tradicional të karnavaleve.

https://p.dw.com/p/3YLT6
Deutschland Auto fährt in Rosenmontagszug in Volkmarsen
Fotografi: Reuters/E. Schulten

Policia mendon, se shoferi i automjetit është përplasur qëllimisht me procesionin e karnavaleve. Sipas një zëdhënësi nuk ka të dhëna për një sulm të motivuar politikisht apo ndonjë atentat. Ndërsa nga Ministria e Brendshme e landit të Hesenit, u tha, se nuk mund të përjashtohet se kemi të bëjmë me ndonjë sulm.

Dëshmitarët okularë thonë, se automjeti me shpejtësi të lartë depërtoi rreth 30 metra mes turmës, derisa ndaloi. Shoferi vazhdonte t'i jepte gaz motorit. 30 vetë janë plagosur, shtatë në gjendje të rëndë, njoftoi presidenti i Policisë së Frankfurtit Gerhard Bereswill.

Shoferi u arrestua, ai sipas të dhënave të hetuesve është nënshtetas gjerman, 29 vjeç dhe vjen nga kjo zonë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të landit të Hesenit të hënën personi nuk ishte në në gjendje për t'u marrë në pyetje.

Gazeta "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" njofton, se dëshmitarët e kanë përshkruar situatën, se si shoferi duke i devijuar perimetrit të sigurisë i ka dhënë gaz makinës dhe ka depërtuar me furi mes masës së njerëzve. Dëshmitarët kanë pasur përshtypjen, se shoferi ka pasur në shënjestër kryesisht fëmijët. Por policia nuk jep të dhëna lidhur me këtë.

Një dëshmitar i ka thënë gazetës "Bild", se njerëzit e indinjuar në vendin e ngjarjes e kanë qëlluar me grushta shoferin e automjetit dhe policisë i është dashur ta mbrojë atë. Në procesionin e karnavaleve në Volkmarsen merrnin pjesë rreth 1500 vetë. Qyteza ka afërsisht 6800 banorë dhe ndodhet rreth 30 km larg qytetit të Kaselit.

 

 

hf/uh (rtr, ap, hr)