1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një kompromis me shumë dilema

7 Nëntor 2023

Qeveria federale dhe krerët e landeve kanë rënë dakord për ndryshimin e disa rregullave për azilkërkuesit dhe refugjatët. Mosmarrëveshje kanë mbetur rreth disa çështjeve të tjera.

https://p.dw.com/p/4YVZI
Stephan Weil, Olaf Scholz dhe Boris Rhein
Stephan Weil, Olaf Scholz dhe Boris RheinFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Gjatë ditës së djeshme kishte dyshime të mëdha nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje serioze mes krerëve të qeverisë federale dhe landeve për çështjen e refugjatëvedhe azilkërkuesve. Por pas debateve të shumta, në orën 2:45 të mëngjesit, tre burra me humor të mirë u shfaqën para gazetarëve që akoma prisnin para zyrës së kancelarit. Kancelari Olaf Scholz, kryeministri i Hesenit Boris Rhein dhe kryeministri i Saksonisë së Ultë Stephan Weil publikuan vendimet e takimit të gjatë. Ky është një "moment historik”, deklaroi kancelari Scholz, duke shtuar se të gjithë ishin dakord për masat që duhet ndërmarrë. "Qëllimi ynë i përbashkët është të largojmë emigracionin ilegal”. Opozita më pas e quajtë këtë si një hap të mirë në drejtimin e duhur, por jo edhe historik.

Çështjet e dakorduara

Stephan Weil, Olaf Scholz dhe Boris Rhein
Stephan Weil, Olaf Scholz dhe Boris RheinFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Sidoqoftëm, në të ardhmen, do të ketë një shumë fikse për azilkërkuesit dhe refugjatët në Gjermani, që qeveria federale do të ndajë për secilin prej tyre. Euforia e kancelarit nuk ishte e njëjtë edhe tek kryeministrat e disa landeve. Rhine deklaroi: "Sigurisht që ka mundur edhe më shumë të arrihet". Por edhe ai tha se "kemi bërë një hap të mirë përpara", dhe se "jemi të kënaqur me këtë." Pas vonesave dhe debateve të gjata, pjesëmarrësit u dakorduan për një linjë të përbashkët. Pjesëmarrësit kanë rënë dakord që qeveria të ndajë për çdo razilant 7.500 euro në vit, që do të thotë se nëse numri i azilkërkuesve është më i madh, do të shtohen edhe të dhënat e qeverisë federale. Ndërsa nëse numri i azilkërkuesve zvogëlohet, do të zvoglohen edhe të dhënat e federatës. Mes palëve akoma nuk është arritur marrëveshje që procedurat e azilit të kryhen eventualisht në vendet e treta. Kjo çështje do të shqyrtohet prapë. Kancelari tha se për këtë kërkohet edhe dakordimi i vendeve të treta, që eventualisht do të pranonin që procedurat të kryhen në këto vende, e kjo nuk është aq e lehtë. Ka dhe shumë çështje ligjore që duhet të sqarohen.

Financimi është pika qendrore

Kancelari Olaf Scholz
Olaf ScholzFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Pika më e diskutur ishte megjithatë financimi. Mendohet se me masat e miratuara do të kursehen rreth një miliard euro. Për secilin refugjat dhe azilkërkues do të ndahen nga arka federale 7.500 euro. Landet kanë kërkuar 10.500. Kjo kërkesë pra nuk është pranuar, por do të ketë edhe disa lehtësime të tjera për landet dhe komunat. Ndërsa azilkërkuesit në të ardhmen nuk do të marrin përfitime të plota të ndihmave, sikur edhe ndihmat sociale për të tjerët, pas 18 muajsh, siç ka qenë deri tani. Kjo do të jetë e mundur vetëm pas 36 muajsh. E shumë shërbime do të jepen në gjësende, e jo para.

Në takim është biseduar edhe për dëbimin më të shpejtë të azilkërkuesve që nuk kanë të drejtë të mbeten në Gjermani. Ndërkohë që për kontrollet e përkohshme të kufijëve me Austrinë, Zvicrën, Poloninë dhe Çekinë u tha se ato kanë dhënë rezultate pozitive. Këto marrëveshje tani duhet të shndërrohen në projektligj dhe të miratohen në parlament, për të marrë formën e ligjeve.

Në këtë takim nuk është arritur kurfarë marrëveshje për vazhdimin e financimit të biletave të subvencionuara mujore. Kjo çështje është shtyrë për vitin e ardhshëm. Por palët kanë rënë dakord për zvoglimin e burokracisë, si një prej problemeve më të mëdha të ekonomisë gjermane. Një çështje shumë e rëndësishte do të jetë digjitalizimi i shërbimeve. Marrëveshja parashikon 140 rregulla të reja, që do të përshpejtojnë punët adminsitrative dhe të tjera.