1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një i vdekur dhe grindja mes Volkswagenit dhe Preventit

Klaus Ulrich
27 Gusht 2020

Para pak kohësh u gjet i vdekur në makinën e tij të djegur një ish-menaxher në Volkswagen, kundër të cilit heutesia po bënte hetime për nxjerrje sekreti.

https://p.dw.com/p/3hYja
Wolfsburg Volkswagen - Produktion
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Afera e përgjimeve në kompaninë më të madhe të automobilave në Europë, Volkswagen, dëgjohet si subjekt i ndonjë romani policesk. Një kufomë në një makinë të djegur, pronari i së cilës dyshohet për spiunazh e kundër të cilit kishin filluar hetimet e prokurorisë. 

Analizat e bëra në fundjavë nga policia konfirmuan se i zoti i makinës ishte një menaxher i kompanisë, i cili akuzohet për dhënie informacionesh pikante. Prokuroria thotë se ka shumë gjasa të ketë qenë vetëvrasje. Tre muaj më parë pati një incident tjetër: një zjarr-vënie në shtëpinë e të dyshuarit. Ai në atë moment ishte pezulluar nga puna, sepse në vitet 2017 dhe 2018 kishte kishte regjistruar fshehurazi disa bisedime të zhvilluara nëpër grupet e punës të grupit Volkswagen. 

Furnizues problematik

Tema e bisedës ishte furnizuesi i VW-së, Prevent. Kjo kompani është në dorë të familjes bosnjake Hastor. Pronari i sipërmarrjes, Nijaz Hastor, në kohën e Jugosllavisë, ka qenë menaxher në ndërmarrjen shtetërore Tvornica Automobila Sarajevo, TAS, në Sarajevë, ku për 20 vjet me radhë prodhoheshin automjete Volkswagen. Në Bosnjë kompania është një punëdhënës i rëndësishëm me mbi 7 000 vetë. Sipas të dhënave në faqen e internetit, në të janë të punësuar “mbi 10 000” vetë anembanë botës, shumica e tyre, në Gjermani. 

Prevent Automobilzulieferer Volkswagen
Fotografi: picture-alliance/dpa/J.Stratenschulte

Bijat gjermane të Preventit, ES Automobilguss dhe Car Timm, në gusht 2016 e kishin ndalur furnizimin me kuti kambiosh mekanike dhe veshje sediljesh, gjë që i detyroi fabrikat e Volkswagenit në Wolfsburg  dhe në vende të tjera, që të ndalonin prodhimin për disa ditë. Sipas furnizuesve në fjalë, Volkswagen kishte shpërdoruar pushtetin, duke e ndërprerë kontratën, “pa shkak dhe pa afat” dhe refuzonte që ta kompensonte dëmin financiar të shkaktuar te furnizuesi. “Bllokimi i furnizimit ndodh për të mbrojtur interesat e të punësuarve”, vetëjustifikohej kompania Prevent. 

VW Betriebsratschef Bernd Osterloh
Bernd Osterloh Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte


Bernd Osterloh, shefi i këshillit të punonjësve në VW, asokohe do ta kthente këtë akuzë në kundërsulm: “Në gjykimin tonë, përgjegjësinë e ka furnizuesi”, tha ai në një intervistë. Por qarkullojnë edhe spekulime se shkaku i konfliktit kishte qenë një grindje për çmimin. I shtrënguar nga ngarkesa e jashtëzakonshme financiare që ra mbi grupin Volkswagen në vitin 2015 kur u bë publik skandali i makinave me naftë diezel, në vitin 2016, Volkswagenit iu desh ta shtrëngonte edhe më shumë rripin. 

50 orë incizime

Më parë prodhuesi i automobilave, thuhet se kishte pasur konsultime për një kohë të gjatë se si ta nxirrte jashtë loje „Prevent“-in. Dhe pikërisht këto konsultime ishin incizuar fshehurazi dhe i ishin dhënë portalit "Business Insider". I dyshuari kryesor për këto incizime, të cilat përfshinin 50 orë konsultime, tani ka vdekur. Se si erdhi deri tek kjo vdekje, kjo është ende e paqartë. Kur në fund të korrikut u raportua për here të pare për incizimet, Prevent tha se “me sa duket personat përgjegjës në Volkswagen ishin të gatshëm të përdornin çdo mjet për të mënjanuar furnizuesit e pavarur“. Por Prevent tha se vetë nuk ka marrë pjesë në bërjen e këtyre incizimeve.