Një film zemëron Frontin Nacional në Francë
1 Shkurt 2017Filmi "Tek ne" rrëfen historinë e kujdestares Pauline nga veriu i Francës, një rajon minierash. Pauline, një nënë që rrit e vetme dy fëmijë, nuk e ka braktisur kurrë vendlindjen- Pikërisht për një njeri të tillë kemi nevojë, thonë disa njerëz të fuqishëm. Një grua e re, nga kampi i majtë, e njohur dhe e dashur nga të gjithë - nëse është edhe e bukur - aq më mirë, thotë kryetarja e partisë. Plani është - që Pauline të kandidojë për partinë "Blloku patriotik".
"Film pa vlerë"
Kuptohet qartë që filmi ka shumë paralele me partinë populiste të djathtë, Frontin National. Reagimet nga Partia e Marine Le Pen, e cila e sheh veten të vënë në lojë, janë mjaft të zemëruara, sidomos në mediat sociale. "Një film pa vlerë", thotë Fronti Nacional. Propagandë si në kohën e Göbbels, kjo është jodemokratike dhe manipuluese. Florian Philippot numri i dy i partisë populiste të djathtë shprehet po ashtu i zemëruar. „Ah liri shprehjeje! Jemi dy muaj para zgjedhjeve. Filmat francezë paguhen nga taksapaguesit francezë, pra edhe nga votuesit tanë. Përfytyroni, nesër shfaqet një film për Fillon, Valls apo të tjerët, kjo do të quhej skandaloze, e padurueshme. Le ta financojnë po të duan një film të tillë, drejt e nga burimet e kundërshtarëve tanë."
Film realist
Filmi është xhiruar nga një regjisor belg, Lucas Belvaux duke u mbajtur në sekret të plotë. Regjisori është mjaft i habitur me reagimet e shpejta dhe brutale. Ai thotë se ka dashur të bëj një film realist. „Ambienti social që paraqitet në film bazohet në kërkime të thelluara, figurat në film janë realiste. Në Veri dhe Lindje të Francës vërtet ka rajone minierash të qymyrit dhe çelikut. Punëtorët aty gjithmonë votonin për të Majtën. Por shumica tani voton për Frontin Nacional. Pikërisht ata njerëz, që dikur kanë qenë socialistë të bindur, madje edhe komunistë." Akuza për propagandë nga Front Nacional vazhdojnë, megjithëse filmi ende nuk është shfaqur. Historinë e tij mund ta kuptosh vetëm nga një spot publicitar. Filmi shfaqet në shkurt, para zgjedhjeve presidenciale në Francë.