1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një dekadë e humbur për eurozonën

Zhang Danhong12 Nëntor 2014

Kriza e euros është zbutur por nuk është zgjidhur. Politikës i mungon guximi dhe fantazia për t'i trajtuar me themel problemet. Një strategji e qartë mungon edhe më tej.

https://p.dw.com/p/1DlZB
Fotografi: picture-alliance/dpa/Fernando Villar

Eshtë çështje perspektive. Për Rolf Strauch nga bordi menaxhimit të fondit për shpëtimin e euros ESM, politika dhe Banka Qendrore Evropiane kanë dëshmuar se mund të veprojnë nëse është e nevojshme. Tani eurozona e ka lënë prapa recesionin, vendet në krizë i kanë rritur eksportet dhe reduktuar deficitet buxhetore, tha Strauch në tryezën e 14 të rrumbullakët, e cila u zhvillua të hënën (10.11.) në Frankfurt am Main.

Raporte japoneze në Evropë

Për Ulrich Kater, kryeekonomist pranë DekaBank dhe organizator i takimit, unioni monetar gjendet në mes të një dekade të humbur. Performanca ekonomike e eurozonës është rritur nga 2008 deri në 2014 me vetëm 0,1 për qind. Fantazma e defalcionit po merr merr konture. Hapësira e euros i është afruar edhe më shumë raporteve japoneze, është konkluzioni i tij.

Dr. Ulrich Kater Chefanalyst der DekaBank
Dr. Ulrich Kater, kryeanalist DekaBankFotografi: DekaBank

"Problemet që kanë çuar në krizën e euros, p.sh borxhi i lartë në disa ekonomi popullore, nuk janë zgjidhur ende", thotë Kater për Deutsche Welle. Vërtet vende në krizë si Greqia, Irlanda, Spanja dhe Portugalia kanë rekuperuar në aftësinë konkurruese, thekson Jürgen Matthes nga Instituti për Ekonominë Gjermane në Köln (IW). Ato madje bëjnë pjesë ndër vendet e industrializuara më të zellshme për reforma, vlerëson OECD. Megjithatë këtë nuk e bënë me vullnetin e tyre. Kushtet për reforma ishin pjesë e marrëveshjes. 450 miliardë euro janë ende në dispozicion, thotë menaxheri i ESM Rolf Strauch. Kjo është më shumë se e mjaftueshme për t'i ardhur në ndihmë një vendi si Qipro por shumë e vogël për të ndihmuar vende të mëdha të eurozonës si Franca apo Italia.

Franca konsiderohet si vendi më problematik

Dhe pikërisht dy të mëdhenjtë konsiderohen aktualisht si raste problematike. Ndërkohë që Italia është stabilizuar në një nivel të ulët, rënia e Francës po përshpejtohet. "Franca është për mendimin tim rasti më shqetësues pasi në 10, 15 vitet e fundit nuk është bërë asgjë e rëndësishme, ku mesazhet nga globalizimi nuk janë marrë", thotë drejtori i IW, Michael Hüther. Fraktet sipas tij flasin vetë: "Në Francë nuk ka një shtresë firmash të mesme. Industria përbën ndërkohë vetëm 11 për qind. Pra gjysmën e nivelit të industrisë në Gjermani. Nuk ekziston as një pozicion i rëndësishëm në eksporte", thotë Hüther në intervistë me DW.

Michael Hüther Direktor des Instituts der Deutschen Wirtschaft Köln
Michael Hüther, drejtor i IDW KölnFotografi: picture alliance/ZB

Një Francë e dobët dhe e paarsyeshme do të rëndonte gjithë Evropën, thotë Hüther. Në vend që të marrin vetë në duar fatet e tyre, Franca dhe Italia shpresojnë në ndihmën e Bankës Qendrore Evropiane. Dhe presidenti i saj Mario Draghi nuk i ka zhgënjyer deri tani. Pas takimit të fundit të Këshillit nuk ka asnjë dyshim se BQE jo vetëm do të blejë jo vetëm tituj financiarë të bankave por edhe obligacione shtetërore. Michael Hüther e sheh kështu BQE në rrugën drejt një Bad Bank: "Nëse këta tituj financiare do të kishin vlerë të lartë ato mund të shiteshin edhe në treg; nëse janë tituj me cilësi të dobët atëherë BQE do të bëhet një Bad Bank. Nuk është kjo detyra e saj."

Një Bad Bank evropiane

Një Bad Bank në nivel evropian për Ulrich Kater nuk është një ide e keqe. Në fund të fundit në bilancet e bankave evropiane flenë shuma gjigante kredish të këqija siç tregoi edhe testi i stresit i BQE. Nëse një vend nuk është vetë në gjendje të rimëkëmbë sektorin financiar, mund të ndihmonte një Bad Bank evropiane. "Kjo tashmë është aplikuar pjesërisht kur ESM mori një funksion të ngjashëm për bankat spanjolle. Këtu është shumë i rëndësishëm kondicionaliteti", thotë Kater.

Kjo do të thotë që përmirësimi në sistemin financiar duhet të lidhet me përmirësime në sistemin e ekonomisë reale. Nëse nuk bëhet asgjë ka rrezik që të përjetohet sërish përvoja japoneze, thotë kryeekonomisti i DekaBank. Atje cilësia e dobët e sistemit financiar në periudhë afatgjatë ka rënduar negativisht perspektivat ekonomike.

Edhe projekte të përbashkëta investimesh sipas Ulrich Kater do të ishin të mirëpritura për të çuar përpara integrimin e unionit monetar. Megjithatë për momentin nuk ndihet asnjë ambicie e politikës. "Ka të ngjarë që të shohim hapa vendimtarë vetëm pas një ashpërsimi të mëtejshëm të krizës."