Një bombardim dhe shumë teori
19 Shtator 2016Bombardimi nga SHBA i pozicioneve siriane në Lindje të vendit i preokupon në radhë të parë mediet siriane. Agjencia e lajmeve SANA flet për dy letra proteste, të cilat qeveria e Damaskut ia drejtoi Kombeve të Bashkuara dhe personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Sipas letrave, sulmet e ndërmarra nga pesë avionë luftarakë të SHBA janë një sulm për t'u marrë seriozisht kundër Sirisë dhe forcave të saj të armatosura.
SHBA pohojnë se pilotët patën kujtuar se po bombardonin një pozicion të Shtetit Islamik, IS. Ministria e Jashtme siriane nga ana tjetër kuzon SHBA-në se ka vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe e ka llogaritur me dije vdekjen e ushtarëve sirianë.
SHBA - mikeshë e IS?
Në televizionin sirian u lexua të dielën (18.09) paradite një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Damaskut. Në të thuhet se SHBA dhe Shteti Islamik bashkëpunojnë. Sulmi i forcave të armatosura ajrore të SHBA kundër pozocioneve të ushtrisë siriane është sipas deklaratës një dëshmi, se SHBA dhe aleatët e saj e mbështesin Shtetin Islamik dhe grupe të tjera terroriste.
Në fakt, luftëtarët e IS dhe të grupeve të tjera islamike militante janë shpallur nga OKB-ja si terroristë. Në bazë të kësaj, edhe ata përjashtohen nga armëpushimi, për të cilin ranë dakord SHBA dhe Rusia për Sirinë. Në parim, të gjithë ata që marrin pjesë në luftën siriane lejohet ta luftojnë Shtetin Islamik dhe Frontin Nusra, i cili para pak kohësh e ndërroi emrin në Xhabhat Fatah al-Sham.
SHBA - mikeshë e Iranit?
Por të tjerët kanë teorinë e tyre të komplotit: drejtuesi i ish-Frontit Nusra deklaroi në një intervistë me televizionin Al Xhazira, se SHBA, Assadi, Rusia dhe Irani shiit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin - kundër të gjithë myslimanëve sunitë. Këta, u shpreh Abu Mohammed al-Jolani luftojnë "për ekzistencën e tyre. Ne nuk luftojmë më për të mbrojtur qytete dhe fshatra, por për të mbijetuar". Ai shtoi: "Nëse plani shiit kundër sunitëve do të ketë sukses në Siri, kjo do të prekë të gjithë sunitët në rajon".
Pyetja që shtrohet është se kush ka komplotuar kundër popullit; kush kujdeset që ndihmat e OKB-së të mos mbërrijnë tek mbi 500.000 sirianët, të cilët ndodhen në të gjithë vendin të izoluar për shkak të rrethimeve. Kundërshtarët e Presidentit Assad pohojnë se janë njerëzit e tij që bllokojnë ndihmat.
Agjencia e lajmeve Sana nga ana tjetër citon një burim në ministrinë e Jashtme siriane: sipas këtij burimi, në botën e jashtme ka gjithnjë e më tepër pozicionime jokorrekte, kur bëhet fjalë për ndihmat. Siria i respekton detyrimet e saj, për të plotësuar nevojat e të gjithë popullit. Udhëheqja e Damaskut bën sipas këtij burimi gjithçka që është e nevojshme për të mundësuar dërgimin e ndihmave në të gjithë vendin.
Kjo vlen edhe për 250.000 vetët, që janë izoluar në Aleppon Lindore, tha përfaqësuesi sirian. Sipas tij janë banda të armatosura ato që e godasin herë pas here me armë zjarri rrugën e hyrjes për në Aleppo.